Akuzon shqiptarët UDB-ash për maltretime në kohën e Serbisë

0
1990

Adnan Dreni

Kishte qenë vetëm 16-vjeçar, kur në qytetin e Pejës në vitin 1984, Adnan Dreni ishte arrestuar nga Policia serbe 30 vjet më parë. Në shtëpinë e tij ishin gjetur 12 kilogramë material eksploziv të llojit “Tritol”. Dreni ishte akuzuar se atëkohë kishte montuar eksploziv për të ndërprerë në gjysmë koncertin e këngëtares serbe, Lepa Brena, në Pejë.

Atëherë dhe në Polici, por edhe sot, Dreni thotë se eksplozivin e kishte blerë për ta përdorur për “këmbë të dhenve” dhe se në asnjë formë nuk kishte tentuar që ta ndërprejë atë koncert. Ai arrestimin e tij e quan politik, duke thënë se ishte arrestuar edhe për faktin se në shtëpi të tij ishin gjetur kopje të gazetës “Zëri i populli”.

Dreni kishte qëndruar në burg për më shumë se një vit dhe si rezultat i maltretimeve thotë se e ka humbur të pamurit me syrin e majtë. Me plagët e së kaluarës, Dreni të hënën i është drejtuar Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Gjatë takimit që e ka realizuar me prokuroren, Fatmire Cacaj, Dreni i ka rrëfyer asaj për maltretimet që ai i ka përjetuar.

Ai pretendon se është maltretuar nga pesë shqiptarë, që sipas tij atë kohë kanë qenë pjesë e shërbimeve serbe. Ai përmend pesë persona me emra dhe të njëjtit thotë se do t’i dërgojë në Prokurori, në kuadër të padisë që ai do ta përpilojë.

“Personi në fjalë ka qenë në Prokurori dhe ka diskutuar me prokuroren Cacaj dhe në ditët vijuese ai ka thënë se do të sjellë dokumentet, që ai pretendon se i ka”, thotë Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë së Shtetit.

Dreni në anën tjetër, pretendon se ka dokumente të mjaftueshme që ai të dëshmojë fajësinë e shqiptarëve që e kanë maltretuar në burg.

“Nuk jam i interesuar për kompensim material, por thjesht më në fund po dua t’i tregoj popullit tonë se çfarë shqiptarësh kemi e kush më ka maltretuar”, thotë Dreni, teksa për këtë pritje 30-vjeçare ai ka shpjegim.

Me t’u arratisur nga burgu në vitin 1985, Dreni kishte shkuar në Gjermani dhe nga atje thotë se është kthyer në Kosovë tek në prill të 1998-s kur edhe i ishte bashkuar UÇK-së më saktësisht Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”. Përfundimi i luftës në Kosovë nuk kishte qenë fundi i luftës për Drenin. Ai thotë se ka marrë pjesë edhe në luftën në Luginën e Preshevës e në Likovë të Maqedonisë.

“Sa kam qëndruar në Gjermani kam qenë në burg një vit. Më patën dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e tre serbëve, por që në Shkallën e Dytë u vërtetua se nuk ka prova për këtë gjë dhe më liruan”, tregon Dreni.

Por jo vetëm në paraluftë e në Gjermani, Dreni ishte burgosur edhe në vitin 2004 nga Policia e UNMIK-ut. I njëjti kishte qëndruar në burg për 14 muaj, me pretendimin se ka qenë pjesëmarrës në trazirat e marsit.

“Edhe kjo nuk u vërtetua dhe më në fund u lirova”, thotë Dreni.

Ai tash jeton në Pejë dhe merret me ndërtim. Pavarësisht punës që bën e bren e kaluara e hidhur dhe fajtorët për tmerret e së kaluarës, ai pretendon t’i nxjerrë para drejtësisë.

Nënsqetull, të hënën, ai mbante dokumentet me të cilat i është drejtuar Prokurorisë e në mesin e tyre edhe dokumentet, që ka qenë i dënuar politik e që edhe sot e mban librezën dhe i merr benificionet si i burgosur i dikurshëm politik.

“Si të mitur më kanë shti në burg. Shqiptarët më kanë maltretuar në atë kohë. Ata shqiptarë që kanë punuar për UDB-në dhe për ata shqiptarë që ma kanë humbur edhe njërin sy, duhet ta kuptojnë të gjithë. Ndonëse ka kaluar kohë e gjatë që e vërteta të del në shesh, nuk është vonë asnjëherë”, përfundon Dreni. “është koha që tashmë t’i tregoj popullit se kush më ka maltretuar”, thotë ai, i bindur se për drejtësi nuk është vonë asnjëherë.

Nga; Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu