Al Kaeda pranon vdekjen e Bin Ladenit

0
821

“Osama bin Laden ka vdekur”. Sipas një komunikate të shfaqur në disa faqe islamike interneti, organizata terroriste Al Kaeda ka konfirmuar vdekjen e liderit të saj. Ndërkohë, mijëra veta kanë zbritur në shesh në Qeutta, kryqeyteti i provincës Baluchistan, për të mbështetur xhihadin kundër SHBA-ve dhe për t’i bërë homazhe Osama bin Ladenit, i cili u vra disa ditë më parë nga një komando amerikane në Pakistan. “Rroftë Osama” këndonte turma gjatë manifestimit të organizuar nga partia islamike Jamiat-Ulema-e-Islam (JUI).

Pjesëmarrësit kanë djegur edhe flamurin amerikan, një gjë që ndodh shpesh pas lutjes së të premtes edhe në qytete të tjera të provincës në kufi me Afganistanin.

“Shërbimi që Osama u ka bërë të gjithë myslimanëve do të kujtohet gjithmonë”, ka thënë para turmës Abdul Qadir Looni, një prej figurave kryesore të partisë. “Një Osama është bërë martir, por që nga ky moment mijëra Osama do të lindin, sepse ai ka krijuar një lëvizje kundër forcave antimyslimane që shkon përtej ekzistencës së tij”, ka shtuar Hafiz Fazal Bareach, ish-senator i Jui.

Islamabadi është një vend aleat i Washingtonit në luftën kundër terrorizmit, por opininoni publik në tërësi ushqen ndjenja antiamerikane. Shumë parti fondamentaliste islamike kanë lëshuar apelin për të zbritur në sheshe sot, në shenjë proteste ndaj “argesionit” amerikan dhe dhunimit të sovranitetit të Pakistanit gjatë operacionit që çoi në vrasjen e Bin Ladenit në Abbottabad.

Bin Laden kishte planifikuar edhe 11 shtatorin e 2011-s

 

Al Kaeda po arkitektonte një atentat të njëkohshëm në disa trena në zona të papërcaktuara të SHBA-së. Plani ishte menduar të vihej në zbatim pikërisht në 10-vjetorin e sulmeve mbi kullat binjake, 11.09.2011.

Sipas televizionit amerikan ABC, ky informacion ka dalë nga dokumentet e gjetura në shtëpinë ku strehohej Bin Ladeni para se të vritej nga forcat speciale amerikane.

Katër ditë pa Osama Bin Ladenin, Obama viziton “Ground Zero”

Presidenti amerikan Barak Obama zhvilloi një takim me të mbijetuarit e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2011 pikërisht në vendin ku “Kullat Binjake” u sulmuan.

Duke e cilësuar si sulmin terrorist më të keq, Obama takoi në Ground Zero një kompani zjarrfikësish e cila humbi 15 pjesëtarë të saj ditën e sulmit gjatë aksionit për të shpëtuar të mbijetuarit.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, Obama vazhdon të jetë i mendimit se fotot e Bin Ladenit të vrarë nuk do publikohen kurrë sepse ato që besojnë në teori konspirative sërisht nuk do kënaqeshin me kaq.

Vizita e Obamës vjen katër ditë pas vrasjes së kreut të Al-Kaedës në Pakistan. Po sot, Pakistani kërcënoi SHBA-të me rishikim të marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve, kjo pasi Pakistani nuk ishte në dijeni të operacionit për vrasjen e Bin Ladenit.

Redaksia Online

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu