Al Qaida e Sirisë

0
631

Udhëheqësit e grupit kryengritës Xhabat Al Nusra paraqiten publikisht vetëm me maska. Ekspertët janë të mendimit se bëhet fjalë për xhihadistë nga Iraku. Kjo organizatë sipas të gjitha gjasave është e lidhur me Al Qaidën në Irak. State Departamenti amerikan madje i ka cilësuar këto dy organizata si identike.

Ata që e pinë duhanin nuk kanë fare nevojë të bëjnë përpjekje për tu anëtarësuar në organizatën Xhabat Al Nusra. Kjo organizatë pranon vetëm luftëtarë, të cilët respektojnë versionin konservator të islamit: nuk ka cigare dhe alkool. Qëllimi i grupit Al Nusra: krijimi i një shteti islamik në Siri, si në shekullin e shtatë.

Xhabar Al Nusra nuk është grupi më i madh i kryengritësve në Siri. Sipas disa vlerësimeve, ky grup ka prej 5 deri në 7 mijë pjesëtarë. Megjithatë, është një prej grupeve më efektive. Flitet se ky grup ka ndërmarrë mbi 600 sulme kundër forcave qeveritare, përfshirë këtu edhe sulmin në Damask, në korrik të vitit 2012, gjatë së cilit u vranë gjysma e pjesëtarëve të Këshillit të Sigurisë së presidentit Baschar Al Assad. Ky grup ka një prani të madhe në veri të Sirisë. Në radhët e këtij grupi veprojnë edhe shumë luftëtarë, të cilët kanë përvojë në luftën guerile, pasi që shumë prej tyre kanë qenë luftëtarë të Al Qaidës në Irak.

“Xhabat Al Nusra është grupi më i njohur në komunitetin ndërkombëtarë të xhihadit”, thotë Aron Lund, një gazetarë suedez, i cila ka publikuar analiza për xhihadin në Siri. Këtij grupi i janë bashkuar shumë xhihadistë ndërkombëtarë, përfshirë këtu çeçenë, evropianë dhe arabë nga shtetet e Gjirit. Ajo që bie në sy është se Xhabat Al Nusra është grupi i vetëm i kryengritësve në Siri, video-porositë e së cilit publikohen në faqën në internet të afërta me Al Qaidën.

“Shumë udhëheqës të këtij grupi vijnë nga rrjeti i Abu Musab Al Zarkavit”, theksoi Fondacioni Quilliam. Zarkavi, deri në vrasjen e tij në vitin 2006, ka qenë njëri prej terroristëve më të kërkuar në botë. Pas hyrjes së amerikanëve në Irak, në vitin 2003, Zarkavi formoi degën e Al Qaidës në Irak, duke terrorizuar vendin me sulme me bomba dhe rrëmbime.

“Disa prej rekrutëve të parë të Zarkavit vijnë nga radhët e Vëllazërisë Myslimane në Siri”, thotë Nada Bakos, ish-analiste për Al Qaidën e CIA-s në Irak.

Udhëheqësi i grupit Xhabat Al Nusra e quan vetën Abu Mohammed Al Golani, një pseudonim i cili lë të kuptojë se ai vjen nga Rrafshnalta e Golanit në Siri. Se kush është ky njeri, këtë nuk e di pothuajse askush. Madje edhe gjatë takimeve me udhëheqësit tjerë të grupeve kryengritëse në Siri Al Golani paraqitet vetëm me maskë.

Përshkrimi i bërë nga Fondacioni Quilliam i këtij personi enigmatik, i cili fshehet prapa maskës, përputhet me përshkrimin e një terroristi sirianë, i cili ka vepruar në Irak: emri i tij është Sulaiman Dervish.

Flitet se ai ka luftuar në vitin 1999 në Afganistan, ku thuhet se ka formuar një grup me emrin “Luftëtarët sirianë”. Ai në këtë kohë është njoftuar me Zarkavin, të cilin më pas e ka përcjëellur në Irak. Darvish u shndërrua në financues të rrjetit të Zarkavit dhe ishte përgjegjës për rrugët e kontrabandës mes Sirisë dhe Irakut. Mbetet e paqartë se a është vrarë ai nga forcat ndërkombëtare në Irak, apo është ende gjallë.

Si duket, Xhabat Al Nusra nuk ndan vetëm personelin udhëheqës me Al Qaidën në Irak, por edhe logjistikën e kësaj organizate.

“Pa dyshim se Al Qaida po shfrytëzon rrugët e kontrabandës mes Sirisë dhe Irakut, të cilat i ka hapur gjatë viteve të kaluara”, thotë Bakos. Me gjasë kanalet e vjetra tani po funksionojnë në drejtimin e kundërt. Në vend se të dërgojnë luftëtarë dhe para nga Siria në Irak, tani kjo po bëhet në drejtimin e kundërt.

“Besoj se nuk ekzistojnë dallime të mëdha mes Al Qaidës në Irak dhe Xhabat Al Nusras në Siri. Së fundi, duket se këto dy grupe ndajnë burimet e njëjta”, thekson Bakos.

Në dhjetor, State Departamenti amerikan theksoi se Xhabat Al Nusra është një pseudonim i Al Qaidës në Irak dhe si një përpjekje e Al Qaidës në Irak për të shfrytëzuar për qëllimet e veta luftën e popullit sirian.

Se çfarë do të thotë forcimi i Xhabat Al Nusras për ardhmërinë e Sirisë, kjo ende nuk dihet. Xhihadistët duket se kanë mësuar nga përvoja në Irak, ku Al Qaida me veprimet e veta e humbi mbështetjen në radhët e popullatës.

 

(Der Spiegel)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu