Alarmi i kolonel Pashës: Po përsëritet e njëjta skenë si me marrëveshjen me Greqinë

0
578

Pa busull: Po jetojmë në qeverisjeje pa orientim e pa busull të Shqipërisë, kur s’jemi të zotë të përkufizojmë terma që i shërbejnë ndarjes e menaxhimit të kufijve shtetërorë

Nishani: Thotë vetëm një frazë “shfuqizimi…” duke ngecur në baltovinën e një papërgjegjshmërie të madhe të departamenteve të tij që jam i sigurt se nuk e kanë kaluar nëpër duar atë ligj

Deputetët: Të mos e pranojnë, por ta kalojnë edhe një herë tek ekspertë përkatës profesionalë për të gjithë termat, përkufizimet të cilat edhe në ligjin e vitit 2001 janë të gabuara nga ana shkencore po edhe pa përputhshmëri me të drejtën detare ndërkombëtare

Intervista

Projektligji për kufirin nuk është parë nga ekspertët

“Apel gjithë specialistëve, ta kundërshtojmë draftin”

“Apel, specialistëve gjeografë dhe ligjorë. Apel studiueseve të Akademisë së Shkencave, Institutit të Gjeoshkencave,  departamenteve, Gjeografisë së Universitetit të Tiranës,  të së Drejtës Ndërkombëtare dhe Detare, studentëve të Gjeodezisë,  Hartografisë, Gjeomatikës të demonstrojmë së bashku ndaj këtij ligji të hartuar në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë.

Ky është një alarm i vërtetë, një kambanë për veshët e shqiptarëve se sa poshtë kanë rënë institucionet, studiuesit dhe ligjvënësit e këtij shteti në njohjen e Shqipërisë së tyre, se sa papërgjegjshmëri skajore shpërfaqin kuvendarët ligjorë dhe ata të Sigurisë Kombëtare teksa risjellin një ligj të tillë, që është një njollë turpi. Deti Jon, i shqiptarëve nuk mbaron deri te Kepi i Sarandës or kuvendarë!. Nuk ka as “kep të Sarandës” dhe ju keni bërë një shkelje të rëndë në përshkrimin e Ujërave të Brendshëm duke ia hapur derën e detit për negocime të reja shtetit fqinj gjersa na keni bashkuar një vijë të drejtë “kepin e Qefalit e kepin e Sarandës”. Po më tej pse nuk keni shkuar? Kush u ka penguar!? Vijat bazore që keni përcaktuar e kanë nxjerrë në treg detin e shqiptarëve. E gjithë pika (1) dhe (2) e nenit 3 janë të pasakta, në terma ligjorë ndërkombëtarë dhe nuk japin “vijën bazore” të cilën duhet ta përkufizojë Ligji Detar i Brendshëm. Nuk mund të ketë kufij pa një vijë bazore të saktë. Përfytyroni se është lënë edhe emërtimi “…i kufirit shqiptaro-jugosllav  (Mali Zi) “me një shtrirje që s’mund të kuptohet dot.

Ky ligj nuk duhet të kalojë në Parlament, mbasi ai nuk ka përkufizuar vijat bazore, emërtimet e sakta të kepeve, koordinatat e sakta të vijëdrejtave bazë nga nis matja dhe llogaritje e vijës së mesme të Ngushtesës së Korfuzit, e cila për të dy shtetet është brenda 12 md ( miljeve detare) çka ka të bëjë edhe me mëvetësinë territoriale të të dyja vendeve fqinje. Emërtimet që janë dhënë janë çorientime të mëdha e të duken sikur i kanë hartuar ata që nuk kanë qenë kurrë në këtë vend dhe jo specialistë shqiptarë. Nuk janë ndarë gjiret që përmbushin kushtin gjeometrik si gjiri i Tetranisit as Kanali i Butrintit e etj. Kuvendarë! Ju jeni të pandreqshëm”.

Fatjona Mejdini

Kolonel Myslym Pasha, njeriu i cili denoncoi paktin e ndarjes së ujërave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke u bërë shkas për anulimin e kësaj marrëveshjeje akuzon klasën politike shqiptare se është ende shumë larg hartimit të një ligji bashkëkohor për ndarjen e kufijve. Në një intervistë për gazetën “Shqip” kolonel Pasha shprehet kategorikisht kundër rikthimit në fuqi të ligjit të vitit 2001 për kufijtë. Sipas Pashës, ky ligj i rikthyer ka terma krejt të pasakta në tekstin e tij për sa i përket gjeografisë së vendit. Por si çështjen më shqetësuese ai shikon faktin se në këtë ligj nuk qëndron as përkufizimi i “vijave bazore”, koordinatë kjo nga e cila nis dhe ndarja e kufirit detar të vendit. Kështu kolonel Pasha sugjeron që palët politike të hartojnë një ligj të ri për kufijtë, i cili duhet të ishte bashkëkohor dhe të shërbente si bazë e mirë dhe e sigurt për ndarjen e kufirit detar me Greqinë.

http://www.youtube.com/watch?v=9V4BKedccnc

Zoti Pasha, palët politike kanë vendosur të lënë sërish në fuqi ligjin e vitit 2001, për kufirin detar. A do të thotë kjo se qeveria është tërhequr nga pakti detar me Greqinë?

Ka disa kohë që deputeti Ilir Gjoni i PS-së është marrë me boshësinë ligjore detare dhe tokësore, të fshirë nga qeveria në vitin 2008. Kjo, tashmë dihet. Pa u marrë me “psetë” e shuarjes së atij ligji, i cili përkonte dhe me fillimin e negociatave për Paktin Detar me Greqinë tanimë të shfuqizuar, duhet të themi se diskutimi dhe shqyrtimi që iu bë propozimeve të PS në Komisionin e Ligjeve është një “skeç” i shëmtuar kuvendar i bërë nga një Komision i papërgjegjshëm, i cili duket se e ka bërë vetëm në mënyrë formale, pa e studiuar në thellësi problemin, mbasi atyre  ligjvënësve iu duket po aq i lehtë dhe pa asnjë shqetësim, rikthimi i një ligji të fshirë, që u bë po me atë shpejtësi ashtu sikundër u bë edhe para tre vjet më parë nga po të njëjtët ligjvënës, me mllef e me inat të paparë, për secilin nen të marrëveshjes famëkeqe. Po e njëjta skenë e vajtueshme dhe e turpshme, njëkohësisht. Veç kësaj do të shtoj se nuk ka lidhje fare me tërheqjen e qeverisë nga pakti detar, sepse ai pakt s’ekziston më. Është tjetër gjë se si u bënë kaq afër edhe shuarja e ligjit për kufirin dhe po kështu vetë pakti.

Kthimi i ligjit në fuqi u bë dhe me miratimin e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. Çfarë mendoni se nuk shkon me këtë qëndrim të Parlamentit për ligjin e kufijve?

Po pra, ministri Nishani i mbushi mediumet me praninë dhe fotot e mëdha në faqe të gazetave, me një buzëqeshje tinëzare dhe me një qetësi olimpike, për të na treguar se sa i përgjegjshëm është një ministër i Brendshëm, që s’ka as ligj për Kufirin Detar po as edhe një ligj për Kufirin Tokësor. Dhe thotë vetëm një frazë “shfuqizimi…” duke ngecur brenda në baltovinën e një papërgjegjshmërie të madhe të departamenteve të tij dhe njerëzve që punojnë në atë ministri, pra kufitarët, topografët, gjeografë,  juristë, që jam i sigurt se nuk e kanë kaluar nëpër duar atë ligj të fshirë të cilin e sjellin në Kuvend ashtu skundër ishte. Po kësilloj, në atë bashkësi futen edhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët po ashtu qëndrojnë indiferent ndaj secilës frazë secilit përshkrim dhe përkufizim që ka të bëjë me terma gjeografikë, koordinativë, ligjorë të përputhur, kur atje ka një Institut Gjeografik Ushtarak dhe një Komandë të Forcave Detare.

Ne duket se po jetojmë në një kohë qeverisjeje pa orientim e pa busull të Shqipërisë sonë, kur s’jemi të zotë të përkufizojmë terma themelorë studimorë që i shërbejnë jo vetëm njohjes po edhe ndarjes e menaxhimit të kufijve shtetërorë me shtetet fqinje si Greqia, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare. Tashmë ligji iu kalua Komisionit të Sigurisë Kombëtare, dhe a e dini se para tre vjetësh duke i besuar këtij Komisioni Suprem ia pata nisur një letër të hapur dhe me zemër shqiptare, po të hapur duke iu përgjëruar, që të mos e kalonin në Parlament Marrëveshjen famëkeqe. Po ata, as që deshën që t’ia dinin, “këta sigurues të epërm të fateve të kombit”. Unë prapë iu bëj thirrje deputetëve, që mos t’i besojnë Komisionit të Ligjeve dhe atij të Komisionit të Sigurisë, mbasi këta kanë qenë aq shumë të zënë me ligje, sa nuk mbajnë mend se ç’kanë bërë, ç’ka u duk edhe nga vetë shpejtësia që e thamë aty pari. Të mos e pranojnë, por ta kalojnë edhe një herë tek ekspertë përkatës profesionalë për të gjithë termat, përkufizimet të cilat edhe në ligjin e vitit 2001 janë të gabuara nga ana shkencore po edhe pa përputhshmëri me të drejtën detare ndërkombëtare. Unë e di se ata kanë mbi supe “goxha peshë për fatet e vendit” po le të përqendrohen në këtë aspekt ligjor që ka lidhje me sigurinë kombëtare në Shqipëri dhe në rajon.

Atëherë ju nuk jeni dakord edhe me ligjin e vitit 2001, në mënyrë se si ai është hartuar?

Jo vetëm unë, por edhe shumëkush që përqendrohet disa minuta, duke e parë dhe lexuar, do të habitet kryesisht me nenin 3 të këtij ligji ku përcaktohen kufijtë e ujërave territorialë dhe ujërat e brendshëm. Një rikthim është i pranueshëm, por ky nuk është një rikthim i lumtur. Ai ngjan si një gjymtyrë, pak më parë e humbur që e montojmë pak më mirë sesa paterica…Ai është sa për të mos pasur boshësi. Por ai nuk qëndron në asnjë fjalë, apo grup fjalësh, as në terma gjeografikë, ai të duket se është hartuar jo nga shqiptarë që e njohin gjeohapësirën e tyre, gjeografinë shqiptare në të gjithë indet e saj, por sikur të jetë hartuar nga Herodoti Helen. Jo vetëm termat nuk qëndrojnë, por nuk qëndron as përkufizimi i “vijave bazore” nga fillojnë ujërat territorialë dhe ujërat e brendshëm. Sepse vijat bazore, janë fillimore ashtu si e kanë emërtimin, nga të cilat fillon edhe ndahet kufiri detar për të cilin nuk po mundemi dot që ta rinegociojmë. Si mund të fillojë ky proces, kur te ne në këta tre vjet nuk është bërë asnjë ndryshim, asnjë përmirësim në terma ligjorë të përkufizuar, nuk është bërë asnjë “workshop” për të sqaruar Paktin tradhtar ndaj mëvetësisë territoriale të Shqipërisë.

Me sa kujtojmë gjatë shqyrtimit të Paktit Detar, ka pasur rëndësi togfjalëshi ligjor gjeohapësinor “përmes kanalit të Korfuzit”

Ky është një kthim jetësor, dhe i vetëm i ligjit, për vetë pozicionin që zë Ngushtica e Korfuzit, brenda gjerësive detare të 12 md (që është mëvetësi territoriale e të dy shteteve). Sa shumë është diskutuar asokohe për shkëmbin Barketa, që bie sikur ta kenë vendosur perënditë helene dhe ilire, në mes të kësaj ngushtësire. Po edhe ky term na sjell një pikë me vlerë të pakalueshme ashtu lehtë-lehtë dhe që do të jetë ndofta barriera më e pakapërcyeshme midis të dy shteteve. Prandaj na duket aq acaruese dhe aq agresive se si nga mediumet marrim vesh që z. I. Rusmali kur i bëhet një pyetje: “A ka sot një vijë kufitare të bashkëpranuar nga të dyja palët…” ia ndërpret diskutimin e mëtejshëm atij kuvendarit tjetër, tamam, sikur ta ketë porositur njeri, ashtu sikundër ka bërë tre vjet më parë. Ҫ’janë këto përkime tronditëse!

Atëherë ju mendoni se diskutimi nëpër komisione i këtij ligji të kthyer nuk ka pasur asnjë produkt?

Këta kuvendarë po të perifrazojmë atë thënien e Konicës që ka ngelur proverbiale të “Konstitutës” në Parlamentin e Zogut, ngjajnë me atë “burrin që shkoi në Patos. Vajti shul dhe u kthye lloz”. Ka pasur një produkt më të keq sa ai i vitit 2001. E keqja e dytë është një “super e keqe”. Po ndër ne askush nuk mban përgjegjësi. Po të vini re kur diskutojnë kuvendarët u japin rëndësi të sharave, tipizimeve, dialogut me urrejtje. As që duhet t’ia dinë për bazën shkencore, historike të ligjit, i cili mëton të jetësojë probleme themelore të Shqipërisë në sigurinë e saj kombëtare. Prandaj kërkohet një diskutim i thelluar shkencor, në një mirëkuptim për të mos shkuar prapë në skandale si ai i tre vjetëve më parë.

Atëherë ç’duhet bërë më konkretisht për të mos u kthyer në situatën e kaluar?

Ju të mediumeve shqiptare t’u bëni zë, kuvendarëve që ta rikthejnë për hartim mirëfilli të ligjit, pastaj ta sjellin në Komision të Ligjeve. Aty, këta kuvendarë të kenë një ligj të plotë edhe për kufirin detar po edhe atë tokësor, për të cilin  ministri Nishani thotë që s’ka nevojë, sepse rregullohet nga piramidat kufitare. Pra duhet edhe ligji për kufirin tokësor me përkufizimet që i ka e gjithë bota, me përkufizimet e sakta të vijave bazore, të ujërave të brendshëm, të detit territorial dhe koordinatat e sakta për të cilat është përgjëruar edhe deputeti Ilir Gjoni.

Proverbi

“Këta kuvendarë po të perifrazojmë atë thënien e Konicës që ka ngelur proverbiale të “Konstitutës” në Parlamentin e Zogut, ngjajnë me atë “burrin që shkoi në Patos. Vajti shul dhe u kthye lloz”

 

Nga Fatjona Mejdini

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu