Albin Kurti i prerë: Nuk lejoj Asociacion me baza etnike

0
22
Kosovo’s Prime Minister Albin Kurti speaks during a press conference in Pristina on February 26, 2020. (Photo by Armend NIMANI / AFP)

Kryeministri i Kosovës flet në një intervistë ekskluzive për DW për Asociacionin e Komunave Serbe, rrezikun e bosnjëzimit të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe për “Open Balkan” ndaj të cilit është kategorisht kundër.

DW: Zoti Kurti, ju keni disa muaj në qeveri si kryeministër i Kosovës me një mandat të fituar me mbi 50% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti. Sa ja keni dalë që të përmbushni përgjegjësitë tuaja karshi gjithë asaj mbështetjeje që keni marrë. Opozita ju kritikon vazhdimisht për mospërmbushje të premtimeve.

Kurti: Unë besoj që kemi qenë të sukseshëm gjatë këtyre tetë muajve të qeverisjes sonë, kemi fituar një mandat të qartë dhe tre kandidatët në listën tonë zgjedhore të shkurtit, sot drejtojnë tri institucionet kryesore të vendit, por edhe kam një kabinet ministrash shumë të përgatitur mirë, të edukuar dhe profesionistë të aftë, ndërsa në anën tjetër njihen si qytetarë të përgjegjshëm në shoqëri, njërëz që janë të pakorruptueshëm. Gjatë këtyre tetë muajve ne kemi arritur të luftojmë korrupsionin si asnjë qeveri më parë. Kemi pasur 437 operacione policore, kemi bërë 746 bastisje dhe kemi shkatërruar 31 grupe kriminale dhe kemi përgatitur projekt-dokumentin për vetingun në drejtësi në mënyrë që gjyqësori dhe prokuroria jonë të bëhen me integritet dhe të jenë eficiente dhe shumë aktive. Në anën tjetër kemi arritje ekonomike shumë të mira. Rritja ekonomike në vitin 2021 sipas Bankës Qendrore do të jetë së paku 9.9 përqind të produktit vendor bruto dhe me këtë rast vlen të theksohet se eksporti është rritur me 68 përqind, ndërsa administrata tatimore ka rritur të ardhura prej 34 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Na kritikuan që po krahasohemi me vitin 2019 me pandeminë, ndonëse edhe ky është vit i pandemisë, të hyrat tatimore krahasuar me vitin 2019 janë 21 përqind më të larta gjithnjë pa i ndryshuar politikat fiskale. Buxheti për vitin 2022 do të jetë mbi 2.7 miliard euro apo 8.7 përqind më i lartë sesa rishikimi i tij në mesvit dhe mbi të gjitha jemi të lumtur për menaxhimin e mirë të pandemisë. E kemi gjetur me zero vaksina, zero kontrata për vaksina, ndërkaq sot që po flasim i kemi përdorur 1.6 milion doza vaksine.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit nuk arritët nivel të kënaqshëm votash, sikurse prisnit, e keni thënë edhe vetë edhe këtë. Çfarë ndodhi, pse kjo rënie në nivel të përgjithshëm të votave, ndonëse po flasim për zgjedhje lokale?

Kurti: Së pari besoj se ka një dallim të madh ndërmjet zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare dhe duket që tek zgjedhjet lokale ne jemi një raund zgjedhjesh prapa zgjedhjeve parlamentare. Kur kemi hyrë në institucionet e Kosovës si një organizatë civile politike siҫ ishim, ne këtë e bëmë së pari në parlament dhe nëse e shikoni rezultatin e zgjedhjeve, kjo i përngjan Vetëvendosjes së vitit 2019 dhe nuk e kemi Vetëvendosjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Jemi të parët në nivel republike edhe në këto zgjedhje mirëpo, kemi pritur që të jemi në më shumë komuna në balotazh, jemi në 12 sosh, por këto janë tejet të rëndësishme dhe shpresojmë e urojmë më të mirën për balotazhin e së dieles.

Vendosja e reciprocitetit në targat e veturave solli një situatë të tensionuar në raport me Serbinë, në veri pati bllokada rrugësh nga serbët lokalë, bllokim të pikave kufitare me Serbinë. Dërgimi i njësisë speciale atje u kritikua nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrel, por jo nga vendet e QUINT. Kishte edhe një aksion të policisë antikontrabandë në veri. Partitë opozitare thanë se aksioni ishte për të fituar politikisht pikë para zgjedhjeve. Tani kur aty situata është e qetë, si i gjykoni këto veprime në veri?

Kurti: Besoj që kemi vepruar ashtu siҫ na ka kërkuar kushtetuta e vendit dhe ligjet në fuqi. Me datë 15 shtator ka skaduar marrëveshja dhe ne kemi vendosur për reciprocitet jo për inat të ndokujt ose për t’u hakmarrë ndaj dikujt, por besojmë se ishte një obligim i yni dhe një e drejtë e qytetarit. Për më shumë se 10 vite kur qytetarët tanë dëshirojnë të shkojnë në Serbi, detyrohen të paguajnë pesë euro dhe të vendosin targa të përkohshme të Serbisë, ndërkohë që kjo nuk vlente kur automjetet nga Serbia hynin në Kosovë. Ne ndërmorëm këtë masë reciprociteti dhe filluam ta zbatojmë atë, por menjëherë filluan dhe u bllokuan rrugët nga pjesëtarë të strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë dhe ne u detyruam ta dërgojmë njësinë speciale për t’i mbrojtur policiët tanë kufitarë, meqenëse bllokimi ishte jo i zakonshëm ishte me maune dhe buldozer. Kur kësaj i shtojmë faktin që u dogj qendra e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok, ndërkaq, për fat të mirë nuk eksploduan granatat e dorës, atëherë është e qartë se bëhet fjalë për sulm të organizuar mbi institucionet e vendit tonë. Kur ministri i Mbrojtjes së Serbisë së bashku me ambasadorin rus në Beograd u shfaqën në pikën kufitare në Jarinje me ҫrats po inspektonin grumbullimin e forcave ushtarake të Serbisë ku kishte edhe automjete të blinduara, ndërkaq sipër tyre e ngritën aeroplanin ushtarak Mig-29 që e kishin marrë nga federate ruse, me siguri që tensionet u ngritën shumë, por jo për shkak tonin. Ata dëshironin të na frikësonin, të na kërcenonin por ne nuk u zmbrapsem dhe në fund gjithçka përfundoi në Bruksel dhe sot jam i lumtur që kemi masën e reciprocitetit në targa. Pra ne e konsiderojmë veten të pavarur, Serbia nuk na njeh, por ajo nuk mund të kërkojë prej nesh që ne të mos njohim veten tonë. Ne dëshirojmë që mos të kemi fare barriera, por përderisa Serbia insiston tek ato, do të na duhet edhe neve të përgjigjemi në bazë të ligjit.

Megjithatë këto veprime stagnuan dialogun me Serbinë, flas për nivelin politik?

Kurti: Besoj që stagnimi i dialogut me Serbinë ka ndodhur ngahera, ka shumë vite që s’po ecën dhe kjo për fajin e Serbisë e cila qartazi dëshiron që ta bosnjizojë Kosovën. E para ata nuk duan zgjidhje për serbët e Kosovës, por duan kompensim për Serbinë, kompensim për humbjet që ka shkaktuar regjimi i Millosheviqit nga pikpamja e tyre. Unë nuk besoj që Kosova u ka takuar kurrë atyre mirëpo, ata e konsiderojnë që Millosheviqi e humbi dhe tash na paska ardhur një lider i ri që do ta kompensojë atë humbje. Pra nuk mund të bashkëpunojmë kështu, ne duhet të bashkëpunojmë si të integrohemi në Bashkimin Evropian në aleancën veriatlantike, të kemi fqinjësi të mirë, të adresojmë të shkuarën, të kemi demokratizim dhe sundim të ligjit, mirëpo jo duke vajtuar për humbjet e Serbisë nga koha e Millosheviqit. Andaj dialogu politik ka kohë që nuk po ecën, ndërkaq, ky dialogu le të themi për çështjen e të pagjeturve, as ky nuk është që ka pasur ndonjë sukses por po vazhdon. Edhe dialogu për shembull për disa ҫështje për punën e targave që megjithatë e ka një dimension politik, por nuk është për atë marrëveshjen gjithpërfshirëse e cila do t’i normalizojë raportet midis nesh. Ka pasur arritje, por dialogu politik është e vërtetë që ka ngecje, por unë besoj për shkak të synimit dhe qasjes së Serbisë.

Sa jeni i bindur për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi së shpejti aq shumë të kërkuar nga faktori ndërkombëtar, dhe si e shihni rolin amerikan dhe sidomos atë evropian si ndërmjetës në këtë proces?

Kurti: Padyshim që Kosova dhe Serbia nuk kanë mundësi të bëjnë marrëveshje jashtë kornizës së BE-së. Bashkimi Evropian duhet të jetë ndërmjetësuesi dhe lehtësuesi i kësaj marrëveshje dhe kjo marrëveshje duhet të ketë në qendër njohjen reciproke. Aktualisht kemi mosnjohje reciproke, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Kosova si Republikë nuk e njeh Serbinë dhe kjo është një marrëdhënie që ne e kemi tash e 13 vjet, e paqëndrueshme, por që ka të bëjë me luftën e fundit në Kosovë për të cilën Serbia nuk dëshiron ta marrë përgjegjësinë. Pra mosnjohja e krimeve në Kosovë dhe mosnjohja e pavarësisë, nuk janë dy gjëra fort të ndryshme, pra njëra është e shkaktuar nga tjetra. Duke mos i pranuar krimet e kryera në Kosovë, krime kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe gjenocidin, Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, sepse e konsideron si rezultat të luftës tonë ҫlirimare por edhe harron që është rezultat i krimeve të saj që e detyruan NATO-n të ndërhyjë në Evrope kundër një shteti i cili me forcat e veta nuk zgjidhte mjete për të dëbuar popullsinë, për ta vrarë e dhunuar.

Ky besoj që është thelbi i çështjes. Tani ka pasur gabime në të kaluarën meqenëse është menduar që njohja e Serbisë vjen në fund të procesit dhe Serbia është përpjekur që të marrë sa më shumë drejt fundit që nuk duhet të vijë, ndërsa për Kosovën nuk shtrohet çështja në aspektin kohor por në aspektin parimor dhe në qendër duhet të jetë njohja reciproke. Ka edhe shumë elemente të tjera, reparacionet e luftës, të pagjeturit, pastaj raportet ndërfqinjësore e të tjera e të tjera, por në qendër të marrëveshjes si parim që e organizon marrëveshjen, duhet të jetë njohja reciproke, nëse mungon kjo qendër, gjithçka tjetër është e paqëndrueshme, andaj edhe tash e kemi aeroplanin serb Mig-29 në ajër për çështje bukur teknike të reciprocitetit si targat.

Sa ka vend në këtë marrëveshje që po flisni, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Pala evropiane po kërkon që Prishtina ta themelojë Asociacionin bazuar në marrëveshjen e vitit 2013. A po i shmangeni ju këtij obligimi?

Kurti: Në vitin 2013 duhet ta keni parasysh që ka pasur një trysni të jashtëzakonshme mbi deputetët për ta kaluar shpejt e shpejt atë marrëveshje parimore dhe ka munguar transparenca, nuk ka pasur informim të duhur. Sot i keni në krye të institucioneve njerëzit të cilët në vitin 2013 kanë qenë kundër asaj marrëveshje, ndërsa sot ata tre vetë, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti më 14 shkurt të vitit 2021 kanë arritur fitore plebishitare. E dyta, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit të vitit 2015 Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka shfaqur në dritën e së vërtetës, që është i paintegrueshëm në sistemin tonë juridik dhe kushtetues. Ajo nuk e ka trajtuar marrëveshjen e vitit 2013, mirëpo goditja që i ka bërë përmbajtjes së vitit 2015 kur marrëveshja e 2013 u zbërthye në konkretësinë e saj, në detajet e saj dhe në shpirtin e saj praktikisht e ka goditur edhe marrëveshjen e vitit 2013. Me fjalë të tjera ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese nuk ka thënë që vetëm germa e Asociacionit është problematike, por ka konstatuar që 23 nene të kushtetutës po shkelen me të dhe secili nga shtatë kapitujt e Asociacionit nuk janë në përputhje me kushtetutën, por në të njëjtën kohë ka goditur edhe frymën e këtij Asociacioni. Nuk mund të ketë me Kushtetuën e Kosovës asociacion mbi baza etnike. Kjo është bërë në Dejton ku është ndërtuar një ngrehinë që sot quhet Republika Serbe dhe e cila është aty për Beogradin dhe jo për serbët. Ngjajshëm po e dëshirojnë edhe në Kosovë. Shikoni në Bosnje dhe Hercegovinë kemi një shtet që nuk është republikë, e brenda e ka një republikë që nuk është shtet. Pra, Beogradi dëshiron ngjashëm edhe në Kosovë që të ketë një shtet që nuk do të quhet republikë por Asociacion dhe kjo të jetë brenda Kosovës që quhet Republikë por nuk do të jetë shtet. Pra në kemi nxjerrë mësime nga e kaluara dhe e kemi studiuar dhe analizuar saktë Beogradin përveҫ se e njohim mirë nga përvoja jonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu