Albin Kurti: Ja dëshmia ime për gardianin e burgut, kriminelin e luftës, Zoran Koliç

0
1028

Fjalimi i plotë i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 12 korrik 2012, lidhur me gardianin e burgut dhe kriminelin e luftës, Zoran Koliç.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Kryetar i Kuvendit të Kosovës,

Nga data 2 maj e deri më datën 10 qershor të vitit 1999 kam qenë i burgosur në burgun e Lypjanit. Në fakt, në burgun e Lypjanit, më parë se i burgosur isha rob e peng lufte, kurse vetë burgu i Lypjanit ishte më shumë kamp përqendrimi sesa burg. Ishim 13 shqiptarë të burgosur në një dhomë burgu ku nuk kishim as tualet e as ujë. Në hapësirën 4.15 metra gjatësi me 2.60 metra gjerësi, në katin e dytë të Pavilonit IV, kemi qëndruar 13 veta për 39 ditë. 

Në vend të tualetit kemi pasur një kovë plastike, ku të burgosurit kanë vjellë pas rrahjeve e torturave të përditshme. Ushqim na kanë sjellë një ose dy herë në ditë, për 13 veta dy bukë dhe për dy veta 2 cm supë në fundin e një gote plastike. E megjithatë, as këtë ushqim nuk arrinim ta hanim për shkak të keqtrajtimeve. Secili nga ne i pat humbur nga 20 deri në 30 kilogramë gjatë atij muaji. Më së shumti na pihej uji, jo pse bënte vapë, por për shkak të gjakderdhjes nga të rënat. Një mbrëmje, dy gardianë erdhën dhe e thirrën emrin tim. Dola duke e ditur që duan të më rrahin. Por, u gëzova kur më thanë, që të marr dy bidonët nga dhoma. Pra, nuk do të më rrihnin dhe bidonët do t’i mbushja me ujë dhe do t’i sillja në dhomë, ku 12 të burgosur ishin tharë pa të. Mirëpo, jo: porsa e mbusha ujin, filluan të më rrihnin për orë të tëra. Uji në bidonë iu shërbente atyre që të ma kthenin në fytyrë, atëherë kur e humbja vetëdijen.     

Disa prej këtyre gardianëve ua mbaj mend edhe emrat: Dragisha Ristiç, Mile Iviç dhe Jugoslav Simiç në Lypjan e Prishtinë, kurse, më vonë, njësoj të tmerrshëm porsi këta: Dragan Milanoviç, Dragan Shabiç, Kosigin Joliç dhe Igori që e quanin Gara, në Zabela të Pozharevcit. 

Në burgun e Lypjanit ishte edhe një gardian që të gjithë neve, e posaçërisht mua, më ka rrahur e torturuar. E mbaj mend mirë kur na thoshte: Cili prej jush do të vdesë sot, meqenëse numri 13 është numër fatkeq: ti Kurti, këshilltari i Demaçit, apo ti Selim Loku, ushtari i UÇK-së nga Hani i Elezit? Emri i këtij gardiani është Zoran Koliç. Ai sot është në burg në Kosovë për krime lufte. Këtë e mësova nga letra që na ka ardhur në kuti secilit prej neve deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga gruaja e Koliçit, e cila kërkon që të lirohet Zoran Koliçi. Kushedi, ndoshta gruaja e Zoranit nuk e njeh mirë të kaluarën e burrit të vet. Kjo letër që e keni secili prej jush është arsyeja pse po flas sot këtu.

Janë bërë edhe protesta për lirimin e Zoran Koliçit. Është e çuditshme si asnjë fotografi e Zoran Koliçit nuk shihet në ato protesta. Asisoj, numri i të burgosurve shqiptarë që do ta njihnin atë do të ishte shumë i madh.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu