Albin Kurti: Kosova nuk është e pavarur me ‘Zajednicën’

0
521

Albini

Lëvizja Vetëvendosje Qendra në Gjakovë, organizoi tribunë me qytetarë me temën “Populli s’pranon Zajednicë”.Në Tribunë u fol për rrezikun dhe pasojat që do t’i ketë Kosova nga krijimi i ‘Zajednicës’.

Në këtë tubim Albin Kurti foli gjatë mbi situatën e krijuar duke kritikuar ashpër qeverinë aktuale të cilën e ka fajësuar për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Sipas Kurtit, ‘Zajednica’ është rezultat i dialogut të Qeverisë së Kosovës pa kushte me Serbinë për çështje të brendshme të saj.

“Ka trysni që Kosova fillimisht ta pranojë Gjykatën Speciale e tash edhe ‘Zajednicën’ e Serbisë brenda territorit të saj. ‘Zajednica’ është një parashtet paralel i krijuar prej strukturave paralele të Serbisë dhe ky është rezultati i dialogut pa kushte me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, dialog ky i cili nuk integron serbët në Kosovë, por i integron strukturat e Serbisë në ‘Zajednicë’”, tha Kurti.

Sipas ish-liderit të Vetëvendosjes, Kosova me ‘Zajednicën’ nuk është e pavarur dhe tashmë po bëhet ajo që gjithnjë ka dashur Serbia.

“’Zajednica’ është më shumë se kanton më shumë se shumësi kantonesh, tash për tash është më pak se shtet mirëpo edhe Kosova po bëhet siç e deshi Serbia, më shumë se autonomi më pak se pavarësi. Republika e Kosovës me ‘Zajednicë’ nuk është e pavarur”, tha Kurti.

Ndërkaq kryetari i Vetëvendosje Visar Ymeri i ka pyetur aktivistët nëse e duan Zajednicën. Në përgjigjen e tyre se nuk e duan atë, Ymeri tha se i njeh disa që e duan këtë por që sipas tij “fatmirësisht janë pak”.

“Deri tash nuk kam takuar asnjë shqiptar të Kosovës që e don ‘Zajednicën’, por i kam takuar dy –tre persona. Këta dy- tre apo katër a pesë persona i kemi dëgjuar në televizionin që thonë se ‘Zajednica’ e forcon shtetin është në përputhje me ligjet shtetërore, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Emrat besoj i dini të gjithë por unë dua t’i përmend edhe njëherë. Këta janë Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Edita Tahiri dhe disa ministra e këshilltarë të tyre. Por këta janë pakicë dhe është mirë që janë pakicë dhe duhet me mbet gjithnjë pakicë”, tha Ymeri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu