Albini në Kullë, Hashimi vetëm te varrezat

0
694

Edhe dita e dytë e Epopesë së UÇK-së, Dita e Përkujtimit për dëshmorët dhe të rënët për liri, ka mbledhur në Prekaz krerë të institucioneve të vendit, subjektet politike, delegacione të komunave të Kosovës dhe qytetarët nga të gjitha trojet etnike.

Të parët që ka mbërritur në Prekaz, të martën, ishte delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit i printe Albin Kurti. Ata kanë bërë homazhe në kompleksin e varrezave në Prekaz, ndërsa kanë vendosur lule te varri i komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari dhe te varret e Hamzë dhe Shaban Jasharit.

Albin Kurti dhe shoqëruesit e tij, në mesin e të cilëve ndodheshin edhe deputetët e kësaj lëvizje dhe nënkryetari Shpend Ahmeti, janë pritur në kullën e Jasharëve. Kurti përkujtoi se Jasharët mundësuan që shqiptarët si komb të hyjnë në shekullin 21 me dinjitet, respekt dhe vetëbesim.

“Nëse dashuria për atdheun dhe kombin matet me sakrificën për to, atëherë atdheun, lirinë dhe kombin nuk mund t’i duash më shumë se kaq. 58 veta, nuk e dhanë jetën thjeshtë vetëm për liri, por edhe për luftën çlirimtare, për shkak se pikërisht në këtë vend, pikërisht para 14 vjetëve mori hov të madhërishëm UÇK-ja. Adem, Hamzë dhe Shaban Jashari, si dhe të gjithë Jasharët kanë mundësuar që shqiptarët si komb të hyjnë në shekullin 21 me dinjitet, respekt dhe vetëbesim”, tha Kurti, i cili konstatoi se Epopeja e UÇK-së, 5,6 dhe 7 Marsi, u janë bashkuar datave të rëndësishme të historisë së kombit tonë dhe kësisoj bashkë me 10 qershorin e Lidhjes së Prizrenit dhe me 28 Nëntorin e Pavarësisë dhe të flamurit kombëtar shqiptar janë bërë pjesë përbërëse e identitetit të kombit tonë.

Për ndryshim nga Albin Kurti dhe Vetëvendosja, kryeministri Hashim Thaçi dhe kabinetit qeveritar, nuk kanë shkuar në kullën e Jasharëve, ndonëse dera ka qenë e hapur për të gjithë shqiptarët.

Pas homazheve, kryeministri Hashim Thaçi, tha se Epopeja e UÇK-së shënon sakrificën sublime të familjes Jashari, nderon jetën dhe veprën e kryeheroit, komandantit Adem Jashari.

“Çdo herë që nderojmë të kaluarën, luftën e UÇK-së, rezistencën e gjithë qytetarëve të Kosovës, nderojmë të sotmen, marrim energji për të ardhmen, për të konsoliduar dhe forcuar shtetin tonë, për ta integruar në NATO dhe në BE. Jeta dhe vepra e komandantit legjendar Adem Jashari, sakrifica e familjes Jashari, e gjithë dëshmorëve të lirisë bëri që të bashkoheshim të gjithë në luftë për liri, bëri që të bashkoheshim të gjithë si shqiptarë kudo që jetonim, qoftë në Shqipëri, në Mal të Zi, në Preshevë, në Ulqin, në Diasporë dhe në Evropën Perëndimore, si dhe në Amerikë dhe ky bashkim i shqiptarëve bëri që edhe komuniteti ndërkombëtar, SHBA-të, vendet e BE-së, NATO të jenë në mbështetje të së drejtës sonë për liri, në mbështetje të sakrificave tona, të luftës për liri, në mbështetje të UÇK-së dhe popullit të Kosovës”, tha kryeministri i vendit, duke shtuar se rezultoi që “me 10 qershor ‘99 të fitojmë lirinë, të çlirohemi e tani të punojmë për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë”.

Homazhe te varri i komandantit legjendar të UÇK në Prekaz ka bërë edhe FSK-ja. Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, tha se në radhët e FSK-së ka burra e gra që kanë qenë pjesë e luftës së UÇK-së dhe të cilët kanë dhënë djersë dhe gjak për lirinë dhe pavarësinë që kemi.

Të gjithë ata që vizituan Prekazi dhe kullën e Jasharëve, i falënderoi Murati.

“Shpreh mirënjohje dhe falënderim që na kanë vizituar. Shpreh mirënjohje për të gjithë ata që ranë në luftën e UÇK-së, në përpjekje të popullit shqiptar për të arritur deri te liria. Falë tyre, ne po e gëzojmë këtë liri. Uroj që krijuesi (Zoti) të na jep mendje të shëndoshë, që të marrim një pjesë nga aideali i tyre për të ndërtuar shtetin tonë”, uroi Murati.

Homazhe te varrezat e dëshmorëve në Prekaz kanë bërë edhe AKI-ja, KFOR-it, Partia Liberale e Kosovës, delegacione të disa komunave, Grupi Parlamentar i PDK-së, një delegacion i KEK-ut, një delegacion i Aeroportit Kombëtar “Adem Jashari”, shoqatat e luftës, një delegacion i Policisë së Kosovës, PTK-ja, shkollat e komunës së Skënderajt, dhe institucionet shëndetësore.

 

Nga, Kajtaz Gecaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu