Albright tërhiqet nga PTK

0
562

(E plotësuar)Kompania e ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeline Albright, është tërhequr nga gara për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës (PTK).Burime të gazetës “Zëri”, të afërta me procesin e privatizimit të kësaj kompanie publike, bëjnë të ditur se Albright Capital Management LLC, ka hequr dorë nga privatizimi i PTK-së siç thuhet, për shkak të mosarsyeshmërisë ekonomike të investimeve.Ditë më parë gazeta i ka dërguar dy pyetje zyrtare në adresë të Albright Capital për këtë çështje, ndërsa ende nuk ka marrë kurrfarë përgjigje prej tyre.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) thonë se deri më tani nuk kanë ndonjë indikacion për tërheqje nga gara të ndonjë konzorciumi të parakualifikuar për privatizimin e PTK.Megjithatë, sipas tyre, një gjë e tillë mund të dihet më 15 janar 2013, kur kompanitë e parakualifikuara duhet t’i dorëzojnë ofertat financiare për Postë-Telekomin e Kosovës.

“Më 15 janar 2013, do të mund të dihet nëse ndonjë kompani e parakualifikuar do të tërhiqet nga gara për privatizimin e PTK-së, pasi që deri më tani nuk kemi indikacione të tilla”, ka thënë për “Zërin” Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit Besim Beqaj.

Sipas tij, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht Komiteti Qeveritar për Privatizim, është përgjigjur në rreth 1000 pyetje të ndryshme të investitorëve të interesuar për privatizimin e PTK-së.

Afati për dorëzimin e ofertave financiare të kompanive të parakualifikuara kishte qenë 2 dhjetori 2012, ndërsa Komiteti Qeveritar për Privatizim kishte miratuar kërkesën e investitorëve për shtyrjen e afatit për dorëzim të ofertave deri më 15 janar 2013.

Për privatizimin e PTK-së kishin shprehur interesime kompani pas së cilëve qëndrojnë ish-zyrtarë amerikanë.

Përpos Madeline Albright, gazeta “Zëri” muaj më parë kishte zbuluar një letër komunikimi, ku bëhej e ditur se kryeministri Hashim Thaçi kishte zhvilluar takime sekrete me diplomatin amerikan, James Pardew, i cili lobonte që tenderin për PTK-në ta fitojë konzorciumi Avicena, mirëpo halli i shefit të Qeverisë, sipas këtij letërkomunikimi, ishte se si ta largojë nga loja ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeline Albright.

Diplomati amerikan Pardew gjatë periudhës 1999-2001, ka shërbyer si zëvendëskëshilltar special i ish-presidentit amerikan Bill Clinton dhe sekretar i Shtetit për Demokraci në Ballkan gjatë luftës në Kosovë.

Tërheqja e amerikanëve

Gazeta prestigjioze amerikane, “New Yourk Times”, në fillim të këtij muaji kishte publikuar një artikull me titull: “Amerikanët që çliruan Kosovën, kthehen si biznesmenë”, ku bëhej e ditur se shumë ish-zyrtarë amerikanë janë kthyer në Kosovë për biznes – në qymyr dhe telekomunikacion, ose për lobim për kontratat tjera fitimprurëse qeveritare.

Sipas New Yourk Times(NYT), pasi dokumenti u bë publik nga gazeta “Zëri”, z. Pardew u tërhoq nga lobimi për konsorciumin dhe ai nuk pranoi të komentonte gjë.

“Është e mundur që asnjëri nga ofertuesit e mbështetur nga amerikanët nuk do të fitojë tenderin, gjë për të cilën pritet të vendoset në janar”, shkruante NYT.

Ndërsa Zonja Albright iu përgjigj kërkesës së NYT për intervistë me një deklaratë. Duke përmendur kufizimet gjatë procesit të tenderimit, deklarata nga Nelson Oliveira, drejtori dhe këshilltari i përgjithshëm i “Albright Capital Management”, thotë në një pjesë: “Ne i kemi marrë seriozisht të gjitha detyrimet tona – ligjore dhe etike në këtë dhe në të gjitha investimet e tjera të mundshme”.

 

Nga Lavdim Hamidi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu