ALI AHMETI – KY SFIDUES I MADH

0
825

Ibrahim Kelmendi

Emri i liderit politik të shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti, u bë i njohur në Kosovë, sidomos në Prishtinë, shume vite më parë se të dilte ky libër, të cilin po e promovojmë sot në Prishtinë, pas promovimeve në Shkup e Tetovë. Por, që nga dita kur u bë njohja e parë publike e tij, në ato përmasa që dihen, që lidhet me fillimin e luftës në këto treva dhe më vonë, me shfaqjen e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ai do të gjendej në syrin e ciklonit të sulmeve të padenja, do të sulmohej edhe kur ishte një figurë politike drejtuese klandestine, edhe pas shfaqjes së hapur të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si drejtuesi politik e ushtarak i saj, dhe më pas, si drejtues i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Rrallë ka ndodhur që një figurë politike, tepër e merituar për rrolin që ka luajtur gjatë tre dekadave të fundit, të jetë sulmuar kaq ashpërsisht, herë nga brenda strukturave, por që vepronin disi jashtë saj, e më shpesh jashtë tyre, synimi i të cilave nuk ka qenë vetëm hedhja baltë mbi një njeri, një lider, por mbi atë që ai ka përfaqësuar. E po ashtu, rrallë herë, një libër si ky, “I vërteti”, ka qenë kaq i domosdoshëm, jo thjeshtë për të përmbysur makinerinë e përbaltjes, por për të sjellë të vërtetat, ato që janë ditur dhe të tjera që nuk janë ditur, dhe kjo, e gjitha kjo, bëhet edhe më e rëndësishme, sepse është thënë dhe shkruar nga shkrimtari dhe gazetari i njohur Bedri Islami, që ishte njëkohësisht edhe pjesë e kësaj lufte, dhe jo një pjesë e çfarëdoshme, por në pikun e luftës, ishte drejtuesi kryesor i Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Në popull është një shprehje e vjetër, “e di luga se çka ka vekshi brenda”. Në këtë rast, autori ishte jo luga, por ishte “gjella” brenda vekshit, prandaj edhe faktet që ka nxjerrë prej andej janë autentike.

Në librin “I vërteti”, siç e kam thënë në recensionin shoqërues në këtë libër, janë bashkuar katër veti të autorit Bedri Islami: Së pari, ai bart gjurmët e lindjes së tij, si i biri i personalitetit të shquar, Zenel Islami, personazhit të njohur të Migjenit; Së dyti, ka dhuntitë krijuese dhe analizuese, të shfaqura në 11 librat e tij; Se treti, sepse në momentin më dramatik e vendimtar u zgjodh kryetar i LPK-së, themeluese dhe udhëheqëse politike e UÇK-së; Së katërti, tani për tani, vetëm Bedriu mund të konsultojë burimet e arkivit të LPK-së.

Më vjen mirë, që në një mënyrë ose në një tjetër, mund të ndjehem iniciator dhe koordinuesi i botimit të këtij libri. Në kohën kur në tregun e fëlliqur politik u hodhën shpifjet më të përçudnuara ndaj Ali Ahmetit, Fazli Veliut apo Musa Xhaferit, u ndjeva, si shumë të tjerë, i fyer personalisht. Pse? Sepse me Aliun dhe të tjerët kisha mbi 20 vite punë të përbashkët në një lëvizje klandestine, kemi qenë bashkë në forumet drejtuese të Lëvizjes, prej aty janë marrë vendime jetike, të cilat kanë mbetur gjithnjë të njohura prej pak vetëve. Në fund të fundit, ata janë edhe miqtë e mi, dhe siç thotë një proverb popullor, “më thuaj kë ke mik, te të them se cili je”.

Duke e ditur se me cilët kam bashkëpunuar, kërkova të ua bëj te njohur edhe të tjerëve, prandaj iu drejtova disa shokëve. Mes të tjerëv edhe autorit Bedri Islamit, si dorë e parë në njohjen e gjërave. I pata kërkuar një reagim, mirëpo e dinim se nuk ishte i mjaftueshëm. Atëherë autori iu vu punës për të krijuar këtë libër. Procesi i krijimit të këtij libri nuk ka zgjatur me muaj e muaj, është realizuar në pak javë, sepse për autorin ishte e qartë se cila ishte figura e vërtetë e Ali Ahmetit, sepse autori e dinte se kush qëndron pas kësaj figure, e cila, ka trazuar aq shume mendjet e çartura.

Kjo pyetje shtrohet edhe sot, pse ky njeri, që të duket sikur nuk i trazon as ujërat, u ka prishur mendjen shume njerëzve, të cilët, me hir e pahir, nga keqdashja apo përfitimi, krijuan një makineri monstruoze sulmuese kundër tij, e njëkohësisht edhe kundër forcave çlirimtare?

Në radhë të parë duhet sqaruar se cilët ka “ trazuar” Ali Ahmeti. Ai nuk ka trazuar luftëtarët, asnjërin prej tyre, nuk ka trazuar familjet e heronjve të luftës, të cilët e kanë bërë të qartë dëshminë dhe besimin e tyre, nuk ka trazuar shokët që i kanë besuar prej gati tri dekadash, nuk ka trazuar ish të burgosurit politikë, që e kanë pasur shok e drejtues, nuk ka trazuar njerëzit e zakonshëm, që kanë parë tek ai njeriun e shpresës. Atëherë cilët ka trazuar? Mendoj se fillimisht u trazuan të pamerituarit, që deshën të shpërfytyrojnë Lëvizjen dhe Luftën, dhe pengesën e hasen tek ky njeri. Si të vetmen rrugë menduan përbaltjen. Komisioni i posaçëm, i ngritur për këtë qëllim në fillim të Luftës në Kosovë, dhe që është drejtuar, për fat, nga autori i librit, i hodhi poshtë të gjitha akuzat, si shpifje dhe të gjithë ishim të një mendje. Relatimi i Komisionit qe miratua unanimisht nga Këshilli i Përgjithshëm i LPK-së, edhe pse dikush e harroi më vonë.

Vazhdoj të mendoj atë që kam shkruar në recensionin tim: “Qenia e Bedri Islamit si kryetar i Organizatës dhe drejtues i Komisionit të posaçëm, ishte një fat i mirë për ne, sepse qemë në prag të një puçi të madh, gjegjësisht të një vëllavrasjeje të madhe brenda radhëve të LPK-së dhe të UÇK-së”.

Pastaj u trazuan përfituesit, sidomos profiterët e luftës, të cilët, kur e panë se ky njeri e kishte shumë seriozisht çështjen e luftës, duke mos mundur të minojnë atë që kishte ngritur ky njeri, se bashku me të tjerët, vendosën të hedhin në erë figurën e tij politike. Nuk ia arritën, sepse përfituesit e luftës nuk kanë dinjitetin e duhur, për të mos thënë se nuk kanë asnjë lloj dinjiteti.

Në fund, si më të fuqishëm, u hodhën në sulm përfituesit politikë, edhe andej, edhe këndej Kosovës. Mirëpo, si çdo gjë e ngritur mbi shpifje, falsifikime e mashtrime, ata do të dështonin.

Libri që kemi sot në duar, “I vërteti”, i autorit të njohur Bedri Islami, është pikërisht ajo që duhej të kishim edhe më parë, njohurinë e gjerë për disa nga njerëzit themelorë të kryengritjes së armatosur të shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe rolin e tyre për të përmbysur atë pushtet të dhunshëm dhe të përgjakshëm.

Libri “I vërteti” i bën jehonë pikërisht kësaj shtrese të njerëzve, të cilët, edhe kur në Kosovë pak kush e mendonte, edhe kur në Shqipëri e quanin utopi dhe nuk i përkrahnin, vendosën të luftonin, duke pasur një qëllim tejet fisnik.

Në jetën time, si njeri dhe si pjesë e lëvizjes klandestine çlirimtare, kam qenë i afërt me të dy pjesët e këtij libri, me autorin dhe me personazhin kryesor, e po ashtu kam njohur nga afër edhe personazhet tjerë të këtij libri. Me autorin Bedri Islami dhe me Ali Ahmetin në vitet e luftës kemi qenë anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila, siç dihet ishte themeluesja e drejtuesja politike dhe ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më pas, edhe e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. I kam njohur nga afër, si të thuash, i kam prekur me dorë, ngjarjet që janë në këtë libër, i cili përmbyllet në përfundimin e luftës në Maqedoni. Fakti që autori e mbyll librin në këtë pjesë të historisë, do të thotë se kemi të bëjmë me një çështje që po arkivohet në historinë e kombit tonë, por e cila është një çështje që ndërroi rrjedhat e historisë shqiptare.

Duke qenë pjesë e këtij trinomi, mund të them se ajo që është shkruar është vetëm një pjesë e së të vërtetës, e cila, ka shfaqur vetëm pamjen e parë të saj, dhe ndonëse vojvodët nuk mund ta besojnë, ajo që nuk është shfaqur ende, është ende më e gjerë se kjo pjesë jete që kemi në librin “I vërteti”.

Duke e falënderuar autorin, gjej edhe një herë rastin të përsëris keqardhjen time që institucionet shtetërore të Kosovës dhe të Maqedonisë nuk e kanë nderuar si shumë të merituar veprimtarinë e çmuar dhe të devotshme të Bedri Islamit.

Sidoqoftë, unë, edhe për këtë libër, si për gjithçka tjetër, e falënderoj vëllazërisht.

 

(Ibrahim Kelmendi, Prishtinë, 04.06.2011)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu