Ali Ahmetit: Nano më tha në 2005 se po humbte zgjedhjet ndaj Berishës

0
724

Kreu i BDI në Maqedoni tregon lidhjet me PD e PS.

“Nuk di se në ç’rrugë komunikonte Nano me Berishën, drejtpërdrejt apo përmes linjave”

Ish-kryeministri Fatos Nano ka paralajmëruar humbjen e zgjedhjeve të PS në 2005, kur ato ende nuk kishin përfunduar. Këtë fakt e ka treguar mbrëmë Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, në një intervistë në emisionin “PRIZËM” të Aleksandër Furxhi në Albanian Screen. Duke folur për interesimin e vazhdueshëm të politikës së Tiranës për çështjen shqiptare, Ahmeti ka treguar shqetësimin që Fatos Nano, Kryeministër në 2005-n, kishte për vijimin e kontakteve të mira të Ali Ahmetit me qeverinë e Sali Berishës që po vinte në pushtet. “Partia Bashkimi Demokratik për Integrim ka mbajtur kontakte të përhershme me shtetin shqiptar. Ka qenë Partia Socialiste në pushtet nga 2002 deri në 2006 dhe BDI ka mbajtur kontakte institucionale duke filluar që nga Kryeministri e deri te partia, por ka mbajtur kontakte të rregullta edhe me partitë në opozitë. Nga 2006 e këtej, sërish kemi mbajtur kontakte institucionale me zotin Berisha dhe ky shqetësim për mua, që duhet ta them dhe për  opinionin shqiptar, ka qenë edhe i zotit Nano, si Kryeministër i cili më ka thirrur përpara se të shpallet mandati kush ka fituar zgjedhjet, ende nuk kishte rezultate. Ishte faza e parë e zgjedhjeve në Shqipëri dhe më thirri në Shqipëri dhe më thotë:  ‘Zoti Ahmeti, si duket unë zgjedhjet do i humb dhe tash kam një shqetësim, si të kalojë lidhja juaj te shteti i ri, sepse juve  ju duhet shteti, si parti politike në shtet që jeni dhe këtë e bëri zoti Nano”, u shpreh gjatë intervistës Ali Ahmeti. Për kreun e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është e qartë se si kreu i maxhorancës në atë kohë, Fatos Nano, komunikonte me kreun e opozitës, Sali Berisha, por sipas tij, për çështjen kombëtare politika shqiptare ishte e koordinuar. “Unë fshehtësinë se si komunikuan me zotin Berisha nuk e di, a drejtpërsëdrejti, apo përmes linjave bypasseve, unë nuk e di. Mbas një muaji, unë kam qenë i thirrur nga zoti Berisha në vizitë zyrtare në Shqipëri dhe jam treguar shumë i hapur. Ia kam shprehur Berishës këtë shqetësim të zotit Nano. Nuk besoj se lidhjet kanë ekzistuar mes Berishës dhe Nanos, por kanë komunikuar me linja të tjera”, u shpreh Ali Ahmeti gjatë intervistës. I pyetur nëse politikanët shqiptarë në Maqedoni kanë preferenca mes partive politike në Tiranë, Ahmeti është përgjigjur se i vlerëson njëlloj të gjitha partitë politike në Tiranë, si ato të opozitës ashtu dhe ato të maxhorancës. “Unë kam pasur në vizitë zotin Rama përpara disa kohësh në selinë time, me të cilin kemi ndarë mendime dhe unë kam respekt, por pa bërë preferenca, sepse ne akoma kemi mbështetje institucionale, nuk jemi profilizuar mbi baza ideore që të krijojmë parti simotra. Ne ende kemi shqetësime dhe halle të avancimit të çështjes shqiptare dhe më tej. Në kohën kur të  profilizohemi, do kemi partitë simotra, por jo duke krijuar armiqësi me partitë e tjera”, u shpreh kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu