Ali Ibër Nezaj, gjithë jetën për lirinë e shqiptarëve

0
1107

Ali – Ibër Nezaj dhe fronti luftarak i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Qysh moti është e njohur se Gjakova dhe Malësia e Gjakovës kanë qenë të pandara në pikëpamje politike, ekonomike ashtu edhe me doke e zakone të përbashkëta, madje edhe fetarisht kanë qenë të organizuara në një trevë të përbashkët. Në këtë trevë unike autoritetet osmane nuk kanë arritur ta ushtrojnë plotësisht pushtetin e tyre. Në Gjakovë dhe në Malësi të Gjakovës ushtria osmane nuk ka arritur përherë të mbledhë tagra, të marrë djemtë e kësaj ane ushtarë në ushtrinë osmane, të krijojë organizma të pushtetit osman e shumë tjera. Gjatë kohës së pushtimit osman Malësia e Gjakovës ka qenë vatër e qëndresës kundër administratës osmane. Kjo qëndresë u dallua posaçërisht në vitet 1863 – 1865, kur i tërë populli i Malësisë refuzoi mobilizimin e bijve të vet në ushtrinë osmane. Me këto sjellje të moralit të lartë atdhetar populli i Malësisë së Gjakovës së bashku me popullin e Gjakovës e të rrethinës së saj në vitet gjashtëdhjeta të shekullit nëntëmbëdhjetë kanë paralajmëruar ndjenjën dhe motivin mbrojtjes së lirisë dhe nevojën që lirin e përbashkët ta realizojnë në pavarësi. Ndërkaq, malësorët e Shipshanit dhe të fshatrave për rreth, si edhe të gjithë në Malësi të Gjakovës ishin organizuar sipas kërkesave të parisë së vendit. Parinë e këtillë e përbënin përfaqësuesit e shtresës feudale, përfaqësuesit e esnafëve dhe krerët e fshatarësisë. Kjo ishte bërthama e parë vetëqeverisëse e popullit të Gjakovës dhe Malësisë së Gjakovës. Populli i kësaj treve qysh para një gjysmë shekulli të krijimit të shtetit shqiptar, përkatësisht para një shekulli e gjysmë e kishte pak a shumë të qartë synimin dhe qëllimin e jetës së lirë në atdheun e lirë. Këta i dhanë kuptim orvatjeve dhe luftës për jetës të lirë të shqiptarëve në atdheun dhe të organizuar në mëvetësi sociale, ekonomike dhe politike.

 

Pjesëmarrja në luftë kundër osmanëve

Në këtë mjedis dhe në këto rrethana jetësore, luftarake dhe me qëllime të qarta të veprimtarisë së familjes së Brah Alisë ka lindur Ali Ibra – Nezaj. I frymëzuar nga qëllimi i përbashkët, përkatësisht nga synimi i familjes, i farefisnisë dhe i gjithë popullit të këtij mjedisi për liri e pavarësi e gjithë jeta e tij 65-vjeçare ka qenë luftë dhe lufta për liri të shqiptarëve, ka qenë jeta e vërtetë e tij. E them këtë sepse qysh në moshën 18-20-vjeçare, pra posa kishte përfunduar moshën e miturisë, mori pjesë në kryengritjet kundër osmane duke mos lëshuar pushkën deri në mbarim të jetës dhe duke luftuar për realizim të programit të LSHP. Por, megjithëse ka luftuar gjatë gjithë jetës së vet kundër politikës shtypëse të Perandorisë Osmane, për Ali Ibrën – Nezajn është shkruar pak.

Ali Ibër Nezaj ka qenë ndër anëtarët e rinj të Kuvendit të LSHP të 10 qershorit 1878. Ali Ibër – Nezaj njëkohësisht ka qenë anëtar i Degës së Lidhjes së Gjakovës. Emrin e Ali Ibër Nezajt në shumicën e shkrimeve popullore dhe profesionale e gjejmë krahë më krah me emrin e Sulejman Vokshit, madje kam hasë në literaturë, ku thuhet se Ali Ibër Nezaj ka qenë zëvendës/komandant i forcave të armatosura të LSHP. Kjo jep të kuptojmë se Aliu i ndjerë ka qenë trim dhe së bashku me Sulejman Vokshin kanë udhëheqës të betejave dhe luftërave kundër shtypjes së shqiptarëve nga sundimi osman. Ali Ibra – Nezaj u dallua edhe në Kuvendin e LSHP, kur më 1 korrik 1878, ky kuvend nxori Kanunin ose statutin e Ri, që zëvendësoi Kararnamen, ku botërisht u shpall organizata e formuar në Prizren Lidhje Shqiptare, e cila do të luftonte për të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Pak më vonë u zgjodh Komiteti Kombëtar i LSHP, anëtar i të cilit u zgjodh Ali Ibër – Nezaj. U dallua si luftëtar në betejat e njohura kundër ushtrisë osmane.

 

Luftëtar dhe organizator i luftës

Aliu ka qenë luftëtar dhe organizues i luftës kundër reparteve ushtarake turke rreth sarajeve të Abdullah Pashë Drenit. Në këtë luftë, ku morën pjesë rreth 4 500 luftëtarë, kanë marrë pjesë shumë malësorë të Malësisë së Gjakovës. Ndër radhët e malësorëve ka pasur shumë të rënë; u vranë rreth 90 veta të rrethuar dhe rreth 500 veta nga luftëtarët e LSHP. Derisa zhvilloheshin operacionet luftarake kundër reparteve ushtarake turke rreth konakut të Abdulla Pashë Drenit, anëtarët e Degës së LSHP për Gjakovë organizuan gra bukëpjekëse për luftëtarët shqiptarë, zhgunqepësit u organizuan për të siguruar veshje për luftëtarët, madje edhe berberët u organizuan për t`u dhënë ndihmë të plagosurve, kurse shtëpitë e shumë gjakovarëve ishin shndërruar në konake dhe oborret e këtyre shtëpive ishin shndërruar në ruajtës të qerreve të malësorëve dhe në strehim të kuajve të tyre. Në këtë luftë i kanë ardhur në ndihmë Mehmet Ali Pashë Maxharit edhe 70 – 80 të krishterë të armatosur mirë nga Novosella e Gjakovës, që, siç pohohet në literaturën më të re, kanë qenë të prirë nga Hoshi i Nurit. Këta në luftë për mbrojtjen e konakut të Abdullah Drenit dhe të mysafirit të tij kanë vrarë e plagosur shumë veta (përmendet shifra prej 400 të vrarëve e 700 të plagosurve nga ana e tyre). Këtë vëllavrasje nuk e duronin rregullat kanunare të asaj kohe. Shi për këtë ishin ashpërsuar raportet ndërmjet myslimanëve e katolikëve. Ali Ibër Nezaj ishte ai që shmangu hakmarrjen ndërmjet aderuesve katolikë e pasardhësve të tyre – mbrojtës të Abdullah Drenit dhe luftëtarëve kundër tij e mysafirit të lartë të Portës Mehmet Ali Pashë Maxharit. Këtë e dallojmë në disa informacione diplomatike. Unë do të përmendi përmbajtjen e letrës së Sen Xhonit, konsullit anglez në Prizren, dërguar Ministrisë së Jashtme të Anglisë: “Vitin e kaluar, pas vrasjes së Mehmet Aliut, u diskutua seriozisht për shkatërrimin e Kishës Katolike të Gjakovës dhe për një masakër të përgjithshme të të gjithë të krishterëve. Ishte ndërhyrja e Ali Ibrës që e ndaloi këtë fatkeqësi, Unë, edhe më parë kam pyetur pritërinjt katolikë për këtë çështje dhe ka dalë se është e vërtetë se Ali Ibra i ka mbrojtur të krishterët…”. Ndërkaq, konsulli Austro – Hungarez në Prizren i dërgoi Vjenës këtë telegram: “Të krishterët me klerin në kohën e ndodhjeve gjakësore në Gjakovë më 5-6 të këtij muaji nuk kanë pasur asnjë dëm ndër nierz as në pasuni tue kenë se janë marrë nën mbrojtje prej atyre myslimanëve të Gjakovës që mendojshin mirë si edhe prej disa bajraktarësh muhamedan (të Gashit e të Bytyqit). Pikërisht në këtë ka ndërhyrë Ali Ibër – Nezaj dhe falë angazhimit të tij nuk u shkaktua dëm shqiptarëve me përkatësi katolike. Me këtë angazhim Ali Ibër – Nezaj u ndejti besnik parimeve kryesore të LSHP, sipas të katërtit me radhë, ku thuhet: “ LSHP lufton për barazinë politike e juridike të mbarë shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare”. Këtu dallohet tipari i humanizmit i Ali – Ibër Nezaj. Por, tipari humanist ka qenë tipar i qëndrueshëm dhe i palëkundur gjatë gjithë veprimtarisë luftarake të tij.

 

Aliu, mbrojtës i të drejtave njerëzore

Vështruar nga kriteret e sotme të të drejtave njerëzore Ali Ibër Nezaj ka qenë ndër udhëheqës të dalluar që ka luftuar njësoj si për mbrojtjen e të drejtave njerëzore kombëtare të myslimanëve, ashtu edhe për mbrojtjen me këmbëngulje të të drejtave të katolikëve dhe të të gjithë të tjerëve. Në kuadrin e këtyre raporteve për Ali Ibër – Nezaj kryesore ka qenë çlirimi, liria e shqiptarëve dhe zhvillimi pavarur i tyre e jo liria fetare e myslimanëve shqiptarë, por liria e të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga përkatësia fetare e tyre. Nga ky këndvështrim duhet vlerësuar pozitivisht edhe angazhimin të Ali Ibër – Nezaj kundër ushtrisë Austro-Hungareze në Novi Pazar, sepse kjo ushtri vinte për të pushtuar tokat e shqiptarëve. Humanizmin e tij Ali Ibër Nezaj e ka shfaqur edhe në rregullimin e raporteve ndërmjet elementeve oportunist të Këshillit Qendror të LSHP dhe atyre që ishin të vendosur për programin autonomist të LSHP. Në këtë veprimtari ai arriti t`i dëboi këta elemente dhe të përforcoi lidhjen e ngushtë ndërmjet Ymer Prizrenit, Sylejman Vokshit, Iljaz Dibrës, e krerëve të tjerë të Lidhjes dhe të shpallin Qeverinë e përkohshme. Për këtë deri më sot është shkruar pak, përkatësisht nuk është shkruar fare.

Si përmendëm, objektivi i parë dhe kryesor i Ali Ibër – Nezaj ishte çlirimi i shqiptarëve dhe zhvillimi i pavarur dhe i lirë i tyre. Këtë e ka dëshmuar në shumë veprimtari konkrete luftarake të tij. Madje, vetëdija e lartë kombëtare e tij thua se i ka dhënë energji edhe atëherë kur Dervish Pasha pasi e nënshtroi Shkupin, u nisë në Kosovë me ushtri të madhe prej 20 batalionesh ushtarake me 15 000 ushtarë të armatosur mirë me armë moderne të asaj kohe dhe me oficerë të përgatitur mire për luftë. Kundër kësaj ushtrie Ali Ibër – Nezaj dhe shoku i pandarë i tij Mic Sokoli udhëhoqën ushtrinë shqiptare prej rreth 3000 luftëtarëve vullnetarë duke u vendosur në fushat e malet e Shtimjes, kurse në Slivovë ishin vendosur në pritë 1000 luftëtarë të tjerë të udhëhequr nga Sulejman Vokshi. Ndonëse i plagosur rëndë, kush e di për të satën herë, Ali Ibër – Nezaj qëndroi në front të luftës duke luftuar edhe atëherë kur shoku më i ngusht i tij Mic Sokoli me gjoks mbuloi grykën e topit të ndezur të armikut duke mos iu gjendur as copa më e vogël e trupit të tij. Pas shuarjes së LSHP Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Ali Ibër – Nezaj dhe krerët që arritën të mbesin gjallë nga thundra e pamëshirshme e ushtrisë së Dervish Pashës nuk pranuan t’i përgjigjen ftesës së Dervish Pashait dhe t`u paraqiten organeve të Pashait, kurse i tërë populli i Malësisë hodhi poshtë kërkesat e Dervish Pashës për mbledhje të tatimeve dhe rekrutim të të rinjve në ushtrinë e Dervish Pashës. Në këtë mjedis, konkretisht në kullat e malësorve në fshatin Shipshan gjetën strehim të sigurt Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Ali Ibër – Nezaj dhe të tjerët që arritën t’u shpëtojnë përndekjeve të tyre dhe t’u ikin plumbave e thikave të ushtarëve të Perandorisë Osmane.

 

Kërkesa për likuidimin e Nezajt

Rëndësia e angazhimit dhe e luftës së Ali Ibër – Nezaj kundër ushtrisë osmane, sidomos në kohën e marshimit të ushtrisë së Dervish Pashës u vlerësua lartë edhe nga kundërshtarët e tij. Dervish Pasha i ka shkruar Portës së Lartë që Sulejman Vokshi dhe Ali Ibër – Nezaj të kapen gjallë dhe të likuidohen. Kjo kërkesë është shkruar më 14 shkurt 1881, atëherë kur LSHP kishte filluar të shuhet nën trysninë e madhe dhe të pamëshirshme ushtarake nën urdhrat e Dervish Pashës. Ali – Ibra – Nezaj vdiq 22 vjet para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur tokat shqiptare u copëtuan pa të drejtë, duke prerë trupin shpirtëror e organik të Malësisë së Gjakovës me Gjakovën, trup ky, që ishte zhvilluar dhe rritur pas mijëra vjetësh si trup i përbashkët dhe i mëvetësishëm në kuadrin e tokave arbërore. Kjo ndarje e ngushtoi kuptimin e jetës së përbashkët, por nuk arriti ta këpusë plotësisht. Malësorët tonë kanë gjetur strehim të sigurt në Gjakovën e tyre edhe në kohërat më të vështira, për të cilën fletë gjerësisht edhe Nezir Nezaj në librin e tij. Por, edhe gjakovarët sigurinë më të madhe e kanë gjetur në malësinë tonë në kohët më të vështira. Të kujtojmë Konferencën e Bujanit të vitit 1941-1942, si edhe angazhimin e pashoq të familjeve të Malësisë së Gjakovës për zhvillim të suksesshëm të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet e fundit të shekullit të kaluar. Ne dhe brezat e ardhshëm këto nuk guxojmë t’i harrojmë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu