Ali Pashë Tepelena, një poemë e panjohur e 1820, rrëfen fundin tragjik

0
611

 

Dr. Irakli Koçollari

Në Shtator të vitit 1873, studjuesi dhe neohelenisti i njohur francez, Emil Legrand, i cili aso kohe ndodhej për punët e
tij kërkimore në Athinë, takoi krejt rastësisht, në një prej parqeve të njohur të Athinës, Zhapio, një plak analfabet, 77 vjeçar. Quhej Jani Paguni. Ai jetonte prej vitesh si emigrant në qytetin e Athinës, por në vitet e rinisë së tij kishte punuar si bukëpjekës në kryeqëndrën e pashallëkut, në qytetin e Janinës.

Kujtojmë këtu lexuesin se, Paguni, kishte jetuar dhe punuar në atë qytet, kur Ali Pasha kalonte vitet më të zulmshme të jetës dhe prania e tij tek banorët e Janinës ishte sa fizike aq edhe psikologjike, morale dhe shpirtërore.
Në bisedat që francezi bënte ato çaste me plakun “epirot” – Paguni, papritur kishte dëgjuar prej tij se ai dinte përmëndësh vargjet e një poeme të tërë, kushtuar Ali Pashës.
I befasuar nga ky fakt, Legrandi, ky studjues pasionant, i cili merrej dhe punonte me hulumtimet pikërisht në këtë fushë dhe që i ka lënë Greqisë një punë kërkimore të admirueshme, të përmbledhur në katër vëllime, filloi të dëgjonte një pasuri poetike, e cila qëndronte në gojën e një plaku pothuaj anonim.
Një laps dhe letër për të fiksuar gjurmët e një thesari poetik
… dhe plaku kishte filluar ti rrëfente vargjet e rapsodive për bëmat e fundit të Pashait tepelenas…. Francezi, ndërsa dëgjonte vargëzimet, ishte mahnitur nga niveli i lartë artistik i vargjeve, fuqia emocionale e krijimit por dhe dimensioni i kësaj poemë epiko-elegjike.
“Autori, me një fjalë, ka qenë në mënyrë të padiskutueshme i talentuar – shkruante në vlerësimin e poemës Legrandi, – dhe kjo marrëdhënie kaq e saktë e kaq e vërtetë, në këndvështrimin tonë, është mëse e denjë për t’u konsideruar symbol i veprave më të shënuara të letërsisë neohelenistike. Ajo duhet konsultuar si një dokument, si një burim i radhës së parë për këdo që do të shkruante një monografi serioze për Ali Pashën.”
…. I papërgatitur se mund të ndodhej ashtu papritur përpara një thesari poetik, francezi i është lutur plakut që të vinte edhe një herë të nesërmen për të shkruar me laps në letër gjithë ato çfarë ai rrëfente në vargje.
Paguni korrekt, të nesërmen kishte shkuar përsëri në vendin e takimit dhe sikurse një ditë më parë ka filluar të riprodhojë vargjet e poemës me saktësi.
“Ai, – shkruan Legrandi në kujtimet e tij, – e dinte përmendësh “Vajtimin e Ali Pashës” që nga rinia e tij dhe e tha atë pa më të voglin hezitim. Unë e shkrova me laps poemën në dy séanca dhe, disa ditë më vonë, iu luta Jani Pagunit të ma recitonte edhe njëherë, ndërkohë që unë ndiqja kopjen time.”
Po kush ishte vallë autori i kësaj poeme?

Një poet anonim shqiptar për një hero shqiptar
“Autori me siguri ka qenë shqiptar myslyman, – shkruan në vëzhgimin e tij aso kohe studjuesi francez Emil Legrand. Ai shprehet me fjalë qortuese dhe ngarkesë kundër turqve, nga ana tjetër ai është i përmbajtur dhe i butë edhe në rastet kur pjesë të reparteve shqiptare braktisin prijsin e tyre.”
Por, ajo ç’ka e bën më të lexueshme autorësinë shqiptare, të pa nominuar, të kësaj poeme, janë tërësia e vargjeve të cilat flasin vetëm për Pashain shqiptar, për shqiptarët, që luftojnë, qëndrojnë dhe sakrifikonë gjer në fund pranë Aliut, i cili në mënyrë të përsëritur u thërret, jep alarmin dhe ngacmon emocionalisht vetën krahinat shqiptare Dibrën, Beratin, Matin, Kolonjën, Labërinë, Konispolin, Shkodrën, Gegë e Toskë dhe Arbërinë, në tërësi që të bashkohet kundër të keqes së madhe që afrohet dhe kërcënon fatalisht.

Krijim me vlera poetike dhe rëndësi historiko-dokumentare
Por, jo vetëm kaq, “me një vështrim të shpejtë, kupton qartë se autori ka qënë një dëshmitar okular, ndoshta-ndoshta një nga aktorët e dramës mallëngjyese (prekëse) që u mbyll me vdekjen e Pashait të frikshëm- nënvizon Legrandi.
Për këto arsye dhe në këtë kuptim, veç vlerave të padiskutueshme në gjininë e saj, kjo pemë e ndërtuar në trajtën e rapsodive, ka edhe vlera të rëndësishme dokumentaro-historike. Ajo përshkruan ekzaktësisht kronologjinë e ngjarjeve që përfshinë pashallëkun dhe vetë Ali Pashën të paktën vitin e fundit të jetës së tij. Të gjithë personazhet dhe luftëtarët që përmënden në vargje, qenë aktorë të vërtetë në skenat historike të kohës. Nuk ka ngjarje apo emra personazhesh në këtë poemë të stisur. Nuk ka naracion poetik apo skena të përshkruara në vargje të pjella prej imagjinatës së autorit, përkundrazi ato të gjitha janë pasqyrim jashtzakonisht korrekt i atyre që kanë ndodhur vërtet atë mot; ndeshje, beteja, rreshtimet e ushtrive, goditjet e artilerisë, britmat, rënkimet, kurthet, gjer vrasja e Pashait dhe rënia përfundimtare e fortesës së Janinës.

Klima dhe begatia kulturore, roli dhe vendi i Ali Pashës
S’ka as më të voglin dyshim se poeti që shkroi vargjet e kësaj poeme, u rrit dhe u formua në territoret e Pashallëkut, nën pushtetin politik por edhe në një klimë të caktuar kulturore dhe intelektuale. Dhe klima kulturore nga shumë tregues duket që ka qënë e ngrohtë për të vegjetuar krijues dhe krijimtari!
Zhvillimet e vrullshme politike, kreshendo e ndjeshme ekonomike, tregëtare, sociale, mbështetja dhe stimuli që kish ofruar Ali Pasha për terrenet kulturore dhe artistike kishin krijuar një klimë të favorshme krijimtarie, për intelektualë, artistë e krijues në tërësi. Është meritë e padiskutueshme e këtij njeriu, i cili megjithë vështirësitë e brendëshme të organizimit shtetror osman… megjithë mjerimin kulturor dhe arsimor të trashëguar tek populli i tij, nga e kaluara dhe rrethanat historike, me kurajën e një misionari dhe furinë e një tribuni, nxiti dhe frymëzoi turma të tëra të braktisura në mjerim dhe injorancë drejt një jete të re, të gjallë, drejt transformimit të tyre moral, arsimor e kulturor. (1) Gatos, Georgios; “Istoria ton Ioaninon”, Athina, 1965, f. 10-13)
Nën kërkesat, shijet dhe prirjet e këtij hegjemoni, ato kohë, u ngritën në Janinë dy akademitë arsimore; “Zosimeja” dhe “Bolanu”, ku filluan të shkojnë dhe ndjekin studimet gjenerata të tëra të rinjsh shqiptarë dhe grekë. Për herë të parë, në fillimet e viteve 1800, nën nxitjen dhe mbështetjen direkte të Ali Pashës qenë dërguar një numër të rinjsh për të vazhduar studimet e tyre jashtë shtetit, në Universitetet europiane.
“Nën qeverisjen e tij, Janina u bë kryeqyteti letrar i kombit grek…. kolegjet, libraritë dhe shkollat lulëzuan dhe shijuan lirinë e talentit.- shkruan Konsulli Britanik në Janinë, Ë.M. Lik, në librin e kujtimeve të tij. (1) (Leak, Ëilliam. M; “Travels in Northern Grece and…” London 1835, f. 20)
“Ai i porosiste vazhdimisht mësuesit grekë të bënin shumë kujdes për moralin e nxënësve….- thotë Zotou. (1) ( Zotou, Dimi, A; “I dhiqeosini is tou krato tou Ali Pasha..” Athina 1965)
Krahas njerëzve, përfaqësues tipikë të një kohe të shkuar, në vitet e Aliut, në rrugët e Pashallëkut “shikoje elementë të një shoqërie të re, që do të kish mundur ti kishte bërë vend vehtes dhe të shfaqej me dinjitet edhe jashtë Shqipërisë, në ndonjë nga kryeqytetet në zë të Europës, – shton studjuesi francez A. Boppe. (1) (Boppe, A; “L’Albanie et Napoleon”, Paris 1914,, f.81.)
Ndërsa studjuesi J.L.S. Bartholdy na bën me dije se: “Të gjithë të huajt që vizituan Janinën vlerësuan progresin e shkëlqyer dhe befasues kulturor, shpirtëror dhe ekonomik të këtij qyteti. Nën Aliun, Janina u bë qëndra shpirtërore e helenizmit.” (1) (Bartholdy, J.L.S; “Voyage en Grece… “ Paris 1807, f.170)
Ndërsa historjani dhe studjuesi i njohur britanik, Finalay, duke iu referuar kontributeve dhe transformimeve të mahnitshme që realizoi tepelenasi në fushën e kulturës dhe arsimit, nënvizon: “Greqishtja u bë gjuha letrare e Shqipërisë së Jugut. Studjohej sa nga muslimanët aq edhe nga kristjanët, sepse gjuha e tyre (shqipja) nuk shkruhej. Poemat, këngët, letrat, llogaritë shkruheëshin nga muhamedanët shqiptarë në greqisht dhe shumë nga to qarkullonin edhe në dorëshkrime. Fatkeqsisht, asnjë përmbledhje e këngëve apo poemave të poetëve shqiptarë nuk ka qënë publikuar..” (1) (Finlay, George; “A history of Greece, I-VIII, vol. VII, Oxford, 1877, f.52)
Jo një por disa krijime poetike të panjohura e të pabotuara
Dhe duket që G. Finlay ka pasur plotësisht të drejtë!
Fjalët e tij profetike, të thëna para njëqind vjetësh se; “…. Fatkeqësisht, asnjë përmbledhje e këngëve apo poemave të poetëve shqiptarë nuk ka qënë publikuar.!!!”, koha po e provon se kanë qënë të sakta. Gjetja e poemës së mirënjohur “Alipashaida” e poetit Haxhi Shehreti, nuk ka qënë krijim i vetëm dhe as fenomen i shkëputur shqiptar i epokës së Ali Pashës.
Pranë dhe bri saj duket se kenë qënë edhe të tjera krijime dhe krijues. Të paktën gjer tani, në qëmtimin e gjatë të dokumentacionit arkivor të kohës, kemi gjetur edhe dy të tilla.
Njëra nga këto është poema, për të cilën flasim, “Vaje për Ali Tepelenën, Pasha i Janinës”, një krijim unik i ngritur mbi një cikël rapsodish epiko-elegjike, që i kushtohet tepelenasit të famshëm, dhe kryesisht ngjarjeve të ditëve të fundit të jetës së tij, të cilat nuk trajtohen kështu, me kaq detaje dhe hollësi, nga ndonjë dokument tjetar i veçantë..
Ndërsa, një e tretë, e gjetur muajt e fundit, është një fragment i shkëputur i një poezie, e cila gjendej në “Arkivin e Ali Pashës”, të publikuar pak muaj më parë. Autori i kësaj poezie fragmentare, është Zaho Kasneci, nga Vunoi. Për të nuk dimë se sa vargje ka pasur, pasi ajo është vetëm fragment i një krijimi ndoshta të gjatë. Vargjet i dedikohen aktit tragjik të ndëshkimit të Kardhiqit dhe kardhiqiotëve prej Ali Pashës, në vitin 1818, por për të do të flasim veçmas më vonë. (1). (Arxeio Ali Pasa: Tomos G. 1817-1822. Instituto Elenikon Erevnon, Athina 2010, faqe 685)
Pra, duket qartë, dhe është bindës fakti se nuk jemi as para një krijimi të shkëputur dhe as para një poeti të vetëm. Në botën shqiptare të të asaj kohe, në terrenet e pashallakut dhe nën prirjet e shpallura apo të heshtura të atij monarku, Ali Pashës, ishin krijuar kushte të ngrohta për krijues dhe krijimtari.

Zbulohet poema e humbur për një shekull e gjysmë
Menjëherë pas publikimit, kjo poemë “u harrua”! E shkruar në greqisht, e shkruar në një kohë kur nuk kish asnjë vëmëndje institucionale për artin – bile kjo lloj krijimtarie që fliste për një njeri “të nëmur” nga turqit mund të ndëshkohej; kur nuk kishte asnjë vëmëndje intelektuale për artistët, sepse ata të paktët nuk dihej se ku kishin shkuar; e shkruar në një kohë kur nuk kishte një shtet shqiptar që të interesohej për grumbullimin e pasurive dhe trashëgimive kulturore…
Pas krijimit prej shqiptarit të panjohur, poema, si ajo fara e pakët ishte hedhur në vëmëndjen e njerëzve të kohës dhe kish mundur “të mbinte” në kujtesat e tyre në mënyrë të çuditshme. Ata e këndonin dhe e ripërsërisnin në emër të mallit dhe nostalgjisë për Pashain e famshëm dhe kohët e lavdishme të shkuara. Kur kishin kaluar disa dekada dhe kapërcente gjysmën e tij një shekull, ndoshta atëhere kur poema i kishte ralluar bartësit oralë të saj dhe rrezikohej të shuhej përfundimisht, Emil Legrandi, e hidhte atë me laps në letër.
Por, edhe pasi frëngu do të mahnitej dhe njoftonte për këtë perlë poetike, bota e letrave nëpër Europë do të dëgjonte pak, sepse atdheu amë i poetit, që kishte krijuar poemën, gjendej në një nokdaun të rëndë sundimi. … Dhe për më shumë se një shekull e gjysëm poema do të harrohej, pothuaj humbiste!!!
Por, kishte mbetur letra e shkruar e cila do të riçfaqej tani në dekadën e parë të shekullit të XXI.
Ja disa pasazhe të saj:

Vaje për Ali Pashën
Kushdo që do të njohë bëmat e tij,
le të lexojë dhe mësojë tërë ç’pati bërë
dhe të përcjellë lutje për të.

Kush në botë mos gënjehet, mos mendoj se është i lumtur
Mbi këtë dhe përsa jeton, i zhgënjyer rron, i humbur
Se kjo botë si rrethi i rrotës shkon ngado tutje-tëhu
Kurrë në vend nuk rri ndaluar, i përmbys dhe shëmb tabu
O lavdia Ali Pashë, bir, heroi i gjithë Epirit
I llahtarshëm dhe i tmerrshëm, si të ish i Pirros, biri
Ç’qe për ty vallë kjo mandatë, çishte vallë kjo lemeri
Pleqërisë hidhëruar, shëmbur bashkë me Mbretëri
Jo, askush nuk e pandehu, rënë, përmbysur … derexhe
Kokën prerë e mor’ Stambolli, trupi palsur tej, përdhe
Hakëryer dhe xhindosur tek shikon kush vjen kaluar
Ky Dovleti nis ushtritë turë a vrap për të ndëshkuar
Vrap gatitet nis habere, nis ushtarë urdhër ngado
Nëpër tërë Arbërinë të zënë grykat domosdo!
Dhe hajdutve të njohur, gjith të çartur, kapedanë
Grekët bashkë me Shqiptarë, tok të mblidhen nga çdo anë

……
……
……

Ali Pasha mbyllet në kështjellë.
Kurajon luftëtarët e tij,
djeg Janinën dhe fillon luftën.

I pafati Ali Pashë, ti dhe gjithë trimat e tu
Ngrehur gati nëpër mure, zjarre ndez tutje tëhu….
Tremijë janë gjithë bashkë, Toskë, Gegë dhe Dibranë
S’luan syri dhe qerpiku, lukuni turqit osmanë
“Hajde ti Toskë luani, bijtë e mij ju o Dibranë!
Lidhur bashkë të gjithë qëndroni, trima for a kapedanë!
Hajde Gegë, ju pantera, ju besnikë të mij Matjanë
Bini ju holldupit para, të mos njoh biri të ‘anë
Eni o luanë të Arbrit, ju sokola Tepelenë
Shpejt pranë meje që të gjithë ju Rëzjotë bashkë të vemë…
Mbahi fort përmbi kështjella, bini, bini sa të mundni
Mbi armikun e pa shpirt, mos u çani gjer së fundi
Zini shtigjet dhe trashetë, bini, shkrepni burërisht
Mos u trëmbni, mos u jepni, sup më sup e trimërisht
Mos tërhiqi, çap mos bëni, pas mos shtyjë osmanllija
Jo tumanja mos guxojë se u mbron dhe perëndija
Armë nëse nevojiten dhe këllëçë dhe jataganë
Shpata mprehur dhe dyfekë … do të qajnë e shkreta nënë!
Kumbaratë e bukura, ti zjarrtar, o artiljer!
Drejt në ballë, mirë të shënoni Pashobeun me të tjerë
Topa!, grykë bukur ju, ju o nishanllinj të zotë!
Masni mirë dhe qëlloni, Dramalinë … n’ atë botë!”
Kështu tha dhe urdhëroi tërë Janinës zjarr ti vënë
Flakë nëpër katër anë, dhe kusur mbi të mos lënë
O Janinë, Janinë e shkretë, ti, më ndih në ditë rreziku
Kishe shkruar pas të keqen, zjarri, flakët qenë armiku
Flakët marrin anë më anë, ah, e shkreta ti, Janinë!
Sa hap, mbyll njeriu sytë, hi e shkrub bien çatitë.
Kjo mëhalla mbi saraje, për Janinën hijeshia
Marusi, Mitropolia, Pazari ish’ bukuria
Qenë tre kisha dhe dy shkolla, plot shtëpi, saraje fina
Pranë Rapit fillon lagjia shkonte tej tek Aj’Marina
Gjithë bëhen shesh e rafsh, fushe e shkretë, zi nga zjarri
Vend të fshihesh s’ka kërkund, plumbi ballit të të mari
Ali Pash’ s’të qesh më buza, as hare, kohë të gëzuar
Ngrehur për stuhitë e luftës bijat i largon mërguar
Tërë bedenat armë rënduar, Litharica është gatitur
Përreth ishullit në Liqen, manastiri duke pritur
Po rënkojnë e dridhen malet, ndeshen keq me bubullimat
Musliman, kristjan’, çifutë po friksohen dhe më trimat
Gjylet bien porsi shiu, thua u përmbys vetë qielli
Bombat vijnë në breshëri vetë mandata do ti sjelli
Uturijnë nga lart dhe bien, plasin tokën thellë e çajnë
Fati i zi kë gjejnë përpara, qindra copëza e ndajnë
Ditë e natë e ndezur lufta, plasin topat, kumbaratë
Dhe rruketat e francezit, me trumpeta, dufek gjatë…
Përmbi kulla tym zë ngrihet i pllakos në mugëti
Burrat nxirë zjarr baruti nëpër ledh qëndrojnë përmbi..
….
…..
…..

Vjen Hrushid Pasha dhe vendos kushtet

Ishte Mars, pesëmbëdhjetë, më ‘tetqind njëzet e një
Hurshid Pasha zbet Janinës, vjen nga larg e sjell një zë
“Tmerri” njihet Hurshid Pasha, është ai që mor Halepin
Për Pashain e Janinës do të zgjidhë hesap sikletin
Ish ai nderi për Portën, ishte ylli, krenarija
Në fushata kudo shkoi lart u ngrit lavdi e tija
Mendjehollë dhe i matur, dreq, dinak nuk kish të dytë
Me të mbritur urdhër nxorri të shtrëngojnë çdo rrugë, çdo grykë
Hurshid Pashës fort i tuten tërë grekët, shqipëtarë
S’fal kërkënd për pak gabime, do, kërkon çdo gjë në radhë
Mos i rëntë fati keq që dikush ta spiunojë
Mish të gjallë mbi prush e vë nga kjo bot’ llahtarë të shkojë
Babapasha rahmetliu për të qe i shkruar fati
Vdekje e zezë në Janinë, Ja, atje mbaroi sahati…

…..
…..
…..
Hurshid Pasha bën yrysh mbi Litharicë

Porsa ra Ishulli i shkretë, menjëherë pas tij dhe Struni
Dramali dhe Ismail…, veç mbi ta do bjerë huni
Mbi Rumelin dhe Isufin shprazet keq Hurshid Pashaj
Llogarit’ u merr të tëra, tej i zbon, më mos i mbaj
E nderon Imer Pashanë, copë kaftan të artë i vesh
Me mision hajdutërinë ta godas ta bëjë përshesh
Topa dhe mortaja bien, nga të katër anë rethuar
Natë e ditë kumbaratë, shkoi vera e uruar
Fort godasin Litharicën, kjo kala e shkretë, e mjerë
Kullë e madhe dhe të voglat zënë coptohen fut e bjer
Bien muret dhe fërngjitë s’jepen trimat në rënoja
Çarë kullat dhe bedenat, dje fortesë – sot e pazonja
Po bombartat bien godasin, muret tunden në themele
Shëmben, tym e shkatërrim, prishur, rafsh e bërë fërtele
Hurshid Pasha lajm u çoi – Gegët të dorzojn’ fortesën!
Dhe me nder rrugën të marrin, s’do ti prek!, e kanë besën!
“Ju, o Gegë, ju o Toskë! Ikni! Dhe unë borxh mos mbetem
Në mos palla do t’u grijë – them, në qafë mos merni vehten!
Mirë ta dini po s’pranuat, në yrysh do të lëshohem
S’ka bir nëne që më mban, n’dasmën tuaj do harbohem…”
Dhe ata vrik ju përgjigjën: “S’na lot kush nga istikami!
Ne fortesën nuk e japim! Përmbi shpatë të na dalë xhani!
Fundit ne si druhemi, fundin ne se llogarisim
As delijtë, as dudumët nuk na trëmbin, s’na trondisin
Kurrë në gjunjë Gegë e Toskë, lufta, vdekja nuk i gjeti
K’tu i thonë Arbëri, mos ngatroni, s’është Haleti!”
I dëgjoi, britmat, thirrjet, Hurshid Pasha turpëruar
Gjith tërbim urdhër ngado, o të gjallë! o e rafshuar!
Urdhër merr Kallkandelia që ushtrinë në sulm të hedhë
Por, më parë nga tërë asqerët, trimat më të mirë të zgjedhë
“Hajd’ kuzum Kallkandelia! Mos vonomi ju dekikën
Litharicën me hyxhym do ta marrim, mprehni thikën!
“Hajde kuzum ajanite!” ju të zgjedhurit deli
T’a provojnë Arnautët, ç’do të thotë Osmanlli!”
Tërë natën u gatitën, në mëngjes prisnin sinjalin
Por, se dinin çfarë i priste, për shinjestër kishin ballin
Do humbisnin dritë kandili,… drejt një nate pambarim
Thellë në tmerin tokë të zezë,poshtë në Had, ku s’ka shpëtim
Shumë nëna do të qajnë, kur të zbardh’ a bjerë nata
Dritë e diellit terr do duket, kur në derë do vij mandata!

N’erësirë, mes të natës, vendin mbushën armatime
Fort në dhëmbë mbanin shpatën, dorë dyfeqet për luftime
Llamburisin gjithë nga flakët,male, gërxhe, shkëmb e brinjë
Nga ky tmerr edhe llahtara, osmanllinjt ndën tokë…të hyjnë
Britma, klithma, ulërima, vrap, rrëmujë e tym mbuluar
Para shtyjnë me kërcënim, pas komanda e tërbuar
Siç pret kosë e kosaxhiut, barin njomë në livadhe
Ja, ashtu burrat në luftë, bien, shkojn’ nga botë me halle
Gjashtë orë zjarr dhe barut dhe mandej në sulm me shpatë
O të zijnjt’ dudumë ku venë? Veç për ujkun një kafshatë
Shtatë herë muret i ngjitën, përmbi kulla dhe bedenat
Shtatë herë përmbysur rënë, natës shkojnë si hijenat
“Bjer ti kumbara, bëj fora, mistralia, bjer buri !
Vrap, rëmbim ti grijmë të gjithë, porsi pjepri në mulli!”
Ndërsa vjen agimi i bardhë, yjtë natës shkojnë, shuhen
Mbahen trimat nuk dorzohen dhe nga vdekja hiç nuk druhen
Shkon ngadalë hija e natës zbardhëllimi ndrin ngadalë
Dërmë, fillojnë badërditë, mure, kulla bien gërdallë
Shfaqet dielli ngjyrë artë edhe botën ndrin në flakë
Natën vrasëse tmerr i jep, shkon kërrusur si një plakë
Pikëlluar rinë halldupët, nuk vështrojnë, nuk ngrenë sytë
Se si ndrin djelli i praruar, shohin tokën varr i dytë
Qan Kallkan delia, qan, lot i zi rrëke mbi sy
Mbenë ushtrarët e coptuar, përmbi fushë lemëri.

….
….
….

Ali Pasha qëndron në Uçkale.
Vendos të digjet me të gjithë të tijët

O, fatkeqi Ali Pashë, mbetur i braktisur vetë
Ah, tashmë tërë pasuria nuk të vlen ta ndrosh me jetë
I hutuar shkon dhe ulet, mbyllur uçkalesë menduar
Shtatëdhjetë trima besnikë pas i rrinë pikëlluar
Ka vendosur shkrumb të bëhet gjithë ç’pati në kët’ jetë
Shenjë mos mbetet, rrafsh e hi, pluhur,hiç, asgjë mos mbetë
Krusp, mbështjellë, rri vetmuar, tetëqind fuçi baroti
Nëpër sy i tyrbulluar, llahtar’ ndihet dhe vetë zoti…
Brenda, të stivosur rrinë, pasuri një jetë të tërë
Qese me flori, stolira, aty mbledhur sërë, sërë
Zjarr dhe pasurisë të gjithë, zjarr gjithçkaje që ka mbetur
Natë e ditë vdekja afron, shtegun, qiejt për të gjetur
I reshton të gjith dyfeqet, gati çarkun për të shtënë
Plot pisqolla bukuroshe, shpata xhveshur ndrijnë në hënë
Kurrë, askush s’do ta besonte, kurrë, braktisur, katandi
Nga luan dhe zot i lirë, kafshë e mbyllur në kuvli
“Zjarr barutit le të digjem, i zhuritur bëhëm hi
Unë nga duart e armiqve mos përdhosem, lemeri
Vdekja nuk më dredh qerpikun, e përçmoj në istikam
Rojta boll gjersa u plaka, pas çfarë bëra s’jam pishman
Zjarr! Me të, të gjitha vafshin, shpirti, trupi ç’kam në jetë
As shkërmoqur të mos gjenden ç’pata mbledhur të mos mbetë
Zjarrin le ta ndez me duar, flakë të shkrihen gjith’ fuçitë
Nga kjo botë mos shkoj i vetëm, le të vijn dhe osmanllijtë
Shpirti im të shkojë përtej, mos vejë vetëm, me të tjerë
Te gjejë shpirtrat e larguar, miqtë e mij, miqtë e mjerë!”

…..
….
….

Ali Pasha ndryshon mëndje, mashtrohet,
del nga kështjella, shkon në Ishull
dhe përgatitet të niset drejt Stambollit.

I pafati Ali Pashë e kandisën me mashtrime
Drejt në lak të Hurshid Pashës si kafaz prej kanerine
Dhelpërisht e nxorrën jashtë, osmallijtë besëprerë
Pas lë depon e barutit, del të hyj’ në tjetër derë
Vetëm gjashtë emra qenë, që pas tij gati do t’rinë
Nga tefteri jetës, emrin, seç’ e fshinë për Alinë
Osmanllijtë plakun e mjerë dhe pse ishte i moshuar
Ngrehur kthetrat gati mbajnë poshtë ta vënë robëruar
Silihtari bashkë me të hip kaikes përmbi valë
Kuvenduar të dy bashkë tej në Ishull çon ngadalë
Fjalë të kota mollois, fjalë boshe, fjalë, fjalë…
Fjalë në erë pa kuptim për një plak, shkret, kurizdalë
Fati vallë ku po të shpie? Të tërheq, pas të të qasë?
Nga hareja drejt trishtimit një gaztor do të qirasë!!!
Ndoshta tej Pandelejmonit, Manastirit aty pranë
Orët ndalen dhe qëndrojnë, orët duket se hap s’kanë
Duket presin të ngarkojnë, udhë pastaj të marrë karvani
Drejt Stambollit që po pret ti bëjnë ndere tek mejdani
Që Sulltani t’a nderojë, çfar ti thotë një fjalë të mirë?!
Që një vend ti japë si plak, të jetojë i qetë i lirë?!
Po se di thinjosh i mjeri, presin që ti hanë kokallat
Ja, atje në Ishull tej, përgjithmonë do mbyllë qepallat.
Ja atje tek Manastiri, Hurshid Pasha çon vetmuar
Dhe peshqeshe nga Janina i dërgon për ta qetsuar
Qingja pirës i dërgon, i bën qefin, i bën nderin
Ëmbëlsira dhe kafe të mos ndjejë dreq, qederin
Gajdexhinjtë me violi që të dergjet i haruar
Edhe këngët me oi… të qetohet, rehatuar….

…..
…..
…..

Mehmet Pasha bëhet gati, Manastirit i vjen pranë
Portën hap ai ngadalë, në oborr dëgjon, vesh mban
Të pafatit Ali Pasha, shkojnë, i bzajnë ngadal në vesh
Mehmet Pashai paska mbritur për dy fjalë pret në shesh
Kurrë, vertet nuk e pandehëm, kurrë s’na shkoi nëpër mënd
Se do t’vinte ditë e zezë dhe për të s’do kishte vend

Tek divani lart në dhoma ngjiten që të përshëndeten
Dhe dy fjalë pranë ti thonë, larg mos flasin, larg mos mbeten
Mehmet Pasha i ngjit shkallët, drejt divanit ca nga ca
Kafas-basha i shkon pranë për shërbim, për temena
Fjalë e parë; “selam” i thonë ditën që po vjen e re
Hapin duart përqafohen, përshëndetje e ëmbël qe
Mehmet pasha, Hurshid Pasha, djem levenda, mjekërzi
Ali Pasha mjekërbardhë, plakur, thinjur, mjerë ai…!
Mehmet Pasha i pabesë, derdhet, bishë e tërbuar
Tërë zjarr’ që mban me vehte shpraz papritur me dy duar’
Zjarr të rëndë dhe Ali Pasha i përgjigjet vrik, rrufe
Por, pisqollat shpuar kanë shpirtin plakur,… rënë përdhe
Kafas-beu turret tutje të thithë gjakun vragë, rëke
Trupi i ngrohtë i Ali Pashës nën satër po pret atje…
Fehim Çami zjarr lëshon si rrufe e plas nxituar
Kafas-bashi rënë në brinjë hungërin si derr i shpuar
Siç përmbys metali i sharrës pemët radhë mbarë pyllin
Ja ashtu dhe Fehmi Çami, kafas bashit, shuan yllin
Rend nga trupi, vragë shpërndahet, gjak i zi, i ngrohti gjak
Toka merr vlagën e ngrohtë, zë e pi pak e nga pak
Është e rëndë kjo peshë e vdekjes fatin dot se ndryshon kush
Bashk’ me të bjen errësira që gjithë Kaosin mbush…
Ja! asqerë të Mehmet Pashës shprazin zjarr mbi Femi Çamin
Bataretë e pisqollës tej për tej i marrin xhanin.
Bukuri i prishet trimit, ah, kjo mortje e rëndë vrastare
Ah, kusare e pabesë, që merr trimat! Mëkatare!
Shuan dritat – Ndjesë pastë! S’do të ngrihet nga ky gjumë
Pranë të zotit Ali Pashë bashk’ do shkojnë ku ka shumë….
Beh Bajrami djalë besnik, duart mbushur me pisqolla
Edhe Mantho sekretari si shqiponja kthetraholla
E rrëmbejnë Ali Pashën dhe me trup në dhomë e mbrojnë
Shkarkojnë krisma batare, osmanllijtë nga jasht qëllojnë
Të rrethuar mbenë tetë, vetë shprazin zjarr, barut
Mehmet Pasha me asqerë bëjnë yxhym, sprapsen me ngut
Bashkë lidhur dorë për dorë mbahen Manthua dhe Bajrami
Ja atje në anë të djathtë, shpirt po jep dhe Fehmi Çami
Ali Pashën tek pulson…. e vështrojnë në pikë të lotit
“Unë, u thotë, bijtë e mij, shkoj drejt vdekjes, drejt të ftohtit!
Por, hallall i paçi asprat, hallall bukën dhe kafshatën!
Boll luftuat bijtë e mij, u kam lënë nga pas uratën.
Që i gjallë në turk mos bie veç nga arma plumb e zjarr
Botës tjetër ju më çoni, veç me nder, drejt e në varr
Prandaj bini pa u dridhur përsa shpirti s’më ka dalë
Që të huajt mos më prekin, copë ndamëni të gjallë…”
Dritë, si djell, që shkon në qiej, porsi mbret e zot mbi zota
Ashtu shkon dhe Ali Pasha, hegjemon ku mbaron bota.
Shuhet heshtur rahmetliu, nuk lëshon ah-e, rënkime
Gjumi i thellë e rëmben, larg e larg në shtegëtime
Rrugën marrin ashtu bashkë, krah me vdekjen lehtë, lehtë
Si një shi të ngrohtë lotët, nëpër syt’ e tij do ketë.

Ja, ashtu dy orë qëndruan, nga rrethimi pastaj shkuan
Brenda hynë me Mehmetin, osmanllijtë dhe qëndruan
Gjejnë trupin, ftohur shtati, si një hekur shtangur, ngrirë
Zënë kokën i këpusin, trupin lënë përdhe të shtrirë…
Vrap e vrap tek Hurshid Pasha, kokën prerë mbajnë në dorë
Veç flori do kenë shpërblim, të mbuluar, si flokë borë
Hurshid Pashai sheh përlotur dhe vështrim i tij hutohet
Në mëndime bjen hutuar fat’ … si rrota rotullohet
Fati i njerëzve nepër kohë, porsi retë në qiejt lart
Pastaj lodhur i cfilitur, bie, rrëzohet, zbret në Had
E vështrojnë gjith’ Shqiptarët, sypërlotur, shpirt plaguar
Osmanllijtë tej qëndrojnë me sytë mprehur, zgurdulluar.

Eja, o i mjerë Ali, mbarë botës i dëgjuar
Ishe lart.. ku katandise?!, dert i hidhur, hidhëruar
Vjen nga larg një zog i shkruar, shkon mërguar në kurbete
Mbetet ishullit Aliu, rënë pa kokë, veç trupi mbetet
Tufa lulesh, karafila, tërë mbuluar borzilok
Bukuri e pikëlluar, mjekr’ e bardh si borë, flok’….

* * *
F U N D

Përktheu dhe shqipëroi
Dr. Irakli Koçollari

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu