Aliu: Ndërtesa Pandora mund të rrënohet, ishte paraparë si shtëpi banimi e jo ndërtim i lartë

0
928

(E Plotësuar) Liburn Aliu ka komentuar edhe çështjen e ndërtesës “Pandora”, duke thënë se ligjërisht, kjo ndërtesë mund t’i nënshtrohet rrënimit.

Ai ka thënë se ky objekt, sipas kërkesës, ishte paraparë që të ishte një shtëpi banimi, e jo ndërtesë e lartë.

“Për secilën ndërtesë ekzistojnë pronarët e tokës dhe investitori. Ajo pjesë është ndërtesë pa leje. Pronarët për një objekt për shtëpi banimi që është aty, z. Haradinaj nuk është pronar. Objekti si objekt është ndërtesë pa leje. Ai objekt mund të shndërrohet në subjekt të trajtimit të legalizimit. Tani jemi në pritje të udhëzimit administrativ. Ligji ju jep mundësi palëve që kanë ndërtesë pa leje të aplikojnë për legalizim. Këto aplikime, trajtohen nga sektori në kuadër të Drejtorisë dhe ato kërkesa që plotësojnë kërkesën në përputhje me planin rregullativ, ato do të legalizohen. Për rastin konkret, është i paraparë ndërtim indivudal e jo ndërtim i lartë. Në raport me ligjin, ai objekt (Pandora) mund të hyjë në listën e rrënimit”, ka thënë Aliu.

Liburn Aliu: Qytetarët e Prishtinës nuk u trajtuan barabarë në planet rregulluese

Planet rregulluese nuk kanë versione zyrtare, shumë gjëra janë në mjegull. Qytetarët në komunën e Prishtinës, nuk janë trajtuar të barabartë gjatë hartimit të planeve rregulluese. Kështu thotë Liburn Aliu, drejtor i Drejtoratit për Urbanizëm në Komunën e Prishtinës.

Aliu në emisionin “Puls” të KTV-së, thotë se ka padrejtësi të thella te planet rregulluese, siç i ka gjetur udhëheqësia e re e Prishtinës.

“Planet rregulluese nuk kanë versione zyrtare. Ka padrejtësi të thellë te hartimi i planeve rregulluese, qytetarët nuk janë trajtuar të barabartë gjatë hartimit të planeve rregulluese”, ka thënë Aliu.

“Kur në planet rregulluese jepen kritere jo të përshtatshme që nuk e kanë në fokus qytetarin apo hapësirën dhe të drejtën për një zhvillim më human për qytetarin, por gjithçka i nënshtrohet profitit me çdo kusht, atëherë krijohet një situatë kur ndërtesat lidhen me njëra tjetrën”, ka shtuar ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu