Amerika kujtohet për Shqipërinë, dërgon agjentë sekretë

0
621

Nëse Shërbimi Sekret Britanik kishte si ekspertë për Shqipërinë, një prej albanologëve më të mirë të kohës, mesa duket amerikanët nxituan të ndiqnin shembullin e ‘kushërinjve” të tyre dhe sollën në fushën e lojës në Ballkan, antropologun e ri amerikan, Prof. Carlton Coon.

Prof. Coon, një antropolog i cili kishte filluar të bënte karrierë në qarqet akademike amerikane me disa botime në fushën e antropologjisë fizike dhe kulturore, duket se njihte mjaft mirë Shqipërinë, ku në fundin e viteve 1920 dhe fillimin e ‘30-s kishte ndërmarrë një sërë ekspeditash kërkimore në Shqipërinë e Veriut. Prof. Coon, në kërkim të popullsive etnikisht “të pastërta” kishte filluar të studionte malësorët e Veriut jo vetëm në pikëpamjet kulturore, por me sa duket nga botimi i tij i 1951-it mbi Shqipërinë edhe nga aspekti racor i tyre. Përfshirja e Prof. Coon në operacionet e Shërbimit Sekret Amerikan që në fundin e vitit 1942, sjell për herë të parë në vëmendjen e studiuesve faktin që amerikanët kishin filluar interesimin e tyre për Ballkanin dhe në këtë rast Shqipërinë, më herët se sa është menduar nga studiuesit e kësaj periudhe. Në fakt mbi aktivitetin e Shërbimit Sekret Amerikan OSS (pararendëse e CIA) në Ballkan për një kohë të gjatë nuk ka pasur shumë publikime për të kuptuar rolin dhe funksionimin e saj gjatë periudhës së Luftës. Duke qenë se amerikanët nuk kishin një Shërbim Sekret inteligjent sipas modelit britanik, organizata e krijuar në fillim të Luftës së Dytë Botërore nga gjenerali i këmbësorisë William Donovan, erdhi në fushën e lojës së Inteligjencës me një ambicie dhe mbështetje politike shumë të madhe. Nga dokumentacioni i deklasifikuar që ndodhet në Arkivin Amerikan i cili mbetet akoma i pastudiuar nga historiografia shqiptare, me një vështrim të shpejtë mund të shikohet se në fakt amerikanët kanë filluar të bien në kontakt me elementë shqiptarë që në fillimet e vitit 1941. Një prej personazheve që ka rënë në kontakt shumë herët me Shërbimin Amerikan është Kosta Cekrezi, i cili duhet të ketë qenë një prej njerëzve kryesorë në zhvillimin e ngjarjeve për interesimin e amerikanëve ndaj Shqipërisë. Cekrezi, një personazh shumë interesant dhe një anti-Zogist shumë i njohur, i cili në rrethana të pasqaruara asnjëherë u gjend në kampin e internimit në Francë të luftëtarëve republikanë që vinin nga Spanja, mund të ketë rekomanduar edhe rekrutimet e para për Misionin Sekret në Shqipëri. Po kështu, Zyra e sapohapur e OSS në Stamboll kishte filluar të kontaktonte disa shqiptarë, të cilët kishin familjarë apo lidhje me Emigracionin e Shqiptarëve të Amerikës. Megjithatë siç shikohet edhe nga dokumenti i botuar sot, amerikanët kanë rekrutuar Prof. Carlton Coon si njohës i mirë i vendit dhe mendoj se deri më tani Coon mund të konsiderohet si personi kryesor që përgatiti terrenin për operacionin e parë të infiltrimit amerikan në Shqipëri. Deri më tani nuk ka asnjë dokument që të provojë se “agjenti legjendar”, Hari.T.Fultz ka pasur ndonjë aktivitet spiunazhi deri në vitin 1943, ku u tërhoq për herë të parë nga OSS për të drejtuar Zyrën e Shqipërisë në Bari. Megjithatë duhet theksuar fakti se interesimi amerikan për Shqipërinë koincidon me vendimin e britanikëve për të dërguar Misione Ushtarako-Politike në Shqipëri të drejtuara nga oficerë britanikë, duke hapur kështu një etapë të re të zhvillimeve të Operacioneve Sekrete. Në Qershor të 1942-it, në Londër, në një marrëveshje midis dy shërbimeve aleate u arrit objektivi britanik për të ndarë zonat e operacioneve përkatëse, duke pasur parasysh faktin se Britania do të luante rolin parësor në këto operacione për arsye të rolit të saj tradicional në Mesdhe. Amerikanët nxituan që të kishin misionet e tyre në terren dhe në veçanti në Jugosllavi dhe Greqi, ku veçanërisht në Jugosllavi luajtën një rol të rëndësishëm midis grupimeve guerile të Drazha MIhailovich dhe partizanëve të Titos.
Megjithatë, nëse shikojmë faktin që operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme dhe në veçanti në Afrikën Veriore po merrnin rol parësor për përgatitjen e një plani për zbarkimin e aleatëve në Italinë e Jugut, vërejmë në dokumentacionin e bërë publik nga OSS, se kjo organizatë kërkonte të luante një rol më të madh në planifikimin e operacioneve në Itali dhe Ballkan. Me sa duket, themeluesi i OSS, gjenerali i Këmbësorisë, William Donovan kërkonte me çdo mënyrë që organizata e tij të ishte një prej faktorëve më të rëndësishëm në Luftë dhe si rezultat të stabilizonte në mënyrë të përhershme një influencë të OSS në vendet e Ballkanit dhe të Europës së pas Luftës.
Britanikët, të cilët e kuptuan qartë që OSS nuk mund të qëndronte në hijen e SOE edhe për shumë kohë tentuan për të krijuar disa skenare, të cilat do të mbanin larg nga Ballkani përfshirjen e amerikanëve. Frika e madhe e britanikëve e cila ishte në fakt një çështje serioze për operacionet ushtarake, kishte të bënte me problemin e mbështetjes nga amerikanët të grupimeve politike të cilat mund të ishin jashtë kontrollit britanik dhe mund të sillte problem të mëtejshme në marrëveshjet që mund të arriheshin pas Luftës. Duke pasur parasysh që mbështetjen ushtarake dhe logjistike e kishte në dorë SOE në bazë të rekomandimeve politike që vinin nga Ministria e jashtme, futja në lojë e një lojtari shumë të fuqishëm si OSS për potencialin që kishte, mund të krijonte një problem shumë të madh në mbështetjen e gueriljeve në Ballkan. Për këtë arsye edhe pse të dy Shërbimet kishin një marrëveshje partneriteti, OSS nuk iu dha një rol i pavarur dhe u vendos që Misionet e OSS duhet të operonin nën komandën e SOE dhe komunikimi i tyre të bëhej me të njëjtën shifër. Megjithëse koncepti i Britanikëve për operacionet sekrete ndryshonte shumë nga ai i amerikanëve ku SOE ishte shumë e prirur ndaj aksioneve të sabotazhit dhe për këtë qëllim me sa duket Amerikanët u përqendruan më shumë në operacione të mbledhjes së Inteligjencës Për këtë arsye Misioni i Parë Britanik në Shqipëri ndryshonte shumë nga ai amerikan po kjo është një çështje që do të flasim në shkrimet e ardhshme.
Shqipëria ka ardhur në vëmendjen e politikës amerikane të kohës në një episod paksa të çuditshëm i ndodhur në dimrin e vitit 1942 në një mbrëmje të organizuar nga Presidenti Rusvelt për nder të kryeministrit Britanik Churchill. Kjo mbrëmje e përshkruar për herë të parë nga një prej pjesëmarrësve të darkës në një botim të shumë viteve më vonë tregon shumë qartë se Shqipëria nuk ishte dhe nuk përbente asnjë element të rëndësishëm në diplomacinë perëndimore deri më atë kohë. Ky episod i përshkruar në botimin “Amerikanët që qëndruan me britanikët në momentet më të errëta”, citon shkrimtarin e rëndësishëm amerikan dëshmitar i ngjarjes, Louis Adamic, i cili i ka hedhur në letër këtë episod.
“Në Janar të 1942-it, Churchilli dhe Rusvelti organizuan një ceremoni nënshkrimi në Uashington të një Marrëveshje të Kombeve të Bashkuara, siç i quajti Presidenti 26 vendet të cilat ishin në aleancë dhe të cilat angazhoheshin për të mbështetur luftën dhe për të rikonfirmuar qëndrimin pro Kartës së Atlantikut”. “Kombet e Bashkuara janë një bashkim i njerëzve të pavarur dhe të barabartë në dinjitet dhe rëndësi”, – do të deklaronte Presidenti Rusvelt në këtë ceremoni. Megjithatë, vetëm Kina dhe Bashkimi Sovjetik ishin konsultuar në avancë mbi Draftin e këtij Dokumenti dhe vetëm Ambasadori Sovjetik dhe ai Kinez morën ftesa për të shkuar në Ceremoninë e Nënshkrimit, ku të pranishëm ishte Churchili dhe Rusvelti. Ambasadorët e vendeve të tjera iu tha se mund të shkonin kur të kishin mundësi në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar këtë dokument. Pas Ceremonisë së nënshkrimit në darkën e shtruar në Shtëpinë e Bardhë pasi u servir shampanja biseda erdhi tek një sërë personalitetesh politike Europiane. Një prej të ftuarve përmendi edhe Zogun, vendin e të cilit e kishte pushtuar Musolini në 1939-ën.
“Zogu” thirri Presidenti Rusvelt me shumë interes – “Winston kemi harruar Zogun”. Ndërkaq Kryeministri Britanik mblodhi buzët sikur të thoshte- Po mirë që e harruam po pastaj? Ne të tjerët filluam ta kuptojmë si ishte puna dhe mezi mbaheshim të mos qeshnim. “Shqipëria është në anën tonë të Luftës” – tha Presidenti dhe kroi kokën. “më duket se është këtu në Uashington një Ministër apo një përfaqësues i Shqipërisë. Ta thërrasim që ta nënshkruajë edhe ai Deklaratën e Kombeve të Bashkuara”
Në këtë çast të gjithë ja krisën të qeshurës përveç Curcillit dhe zonjës Rusvelt. Tek qeshnin të gjithë unë mendoja “këta dy njerëz kanë shumë gjëra në dorë. Janë si dy perandorë. Shtetet e tyre mund të quhen demokratike, por për gjërat që popujt e tyre nuk dinë, mund të mbushin volume të tëra. Ajo puna e Deklaratës së Kombeve të Bashkuara është shumë për të qeshur, por edhe shumë e tmerrshme. I thotë njëri perandor tjetrit në tryezën e bukës: Paskemi harruar Zogun? Shaka e madhe”
Megjithatë për t’u kthyer në dokumentet e botuara sot, mund të shikojmë se tensioni i bashkëpunimit midis dy Shërbimeve ndihet edhe në analizën e shkurtër që antropologia britanike Hasluck apo D/H 274 I bën kolegut të vet amerikan Prof. Coon. Po kështu në këtë dokument gjejmë edhe një detaj interesant, kur vërejmë se në ekipin e parë të organizuar nga OSS amerikane për problemin e Shqipërisë, merr pjesë nipi i Kosta Cekrezit, duke e bërë më të mundur mendimin se Kosta Cekrezi ka qenë personi i parë që ka bashkëpunuar me OSS në drejtim të Shqipërisë.
Ndërsa në dokumentin e dytë të firmosur nga një prej oficerëve të Zbulimit Amerikan që operonte në Itali, shikohet qartë interesimi i OSS për të rekrutuar personel që kanë njohuri të mjaftueshme mbi Shqipërinë. Ky është dokumenti i parë në dosjen e një prej italianëve të rekrutuar në atë kohë që e njihte Shqipërinë mjaft mirë. Oficeri italian, i cili ishte martuar edhe me një vajzë shqiptare dhe që më vonë do të bëhej një diplomat i rëndësishëm i vendit të tij, me sa duket ka qenë një ndër të parët persona që iu bashkëngjit operacioneve të OSS për Shqipërinë, operacione që do të fillonin një histori mjaft interesante në angazhimin mbi 20- vjeçar të një prej shërbimeve inteligjente më të rëndësishme në botë ndaj një vendi, që vetëm dy vite më parë ishte harruar nga politika amerikane për t’u përfshirë në Aleancën e vendeve pro perëndimore.

auront[email protected]

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu