Amnistimi i Serbisë

0
837

“Epoka e luftërave të përgjakshme ndëretnike në Ballkanin Perëndimor ka përfunduar në shekullin e kaluar; megjithatë, perspektiva e një paqeje të sigurt mbetet e largët. Janë shumë arsye pse paqja dhe stabiliteti mbesin kaq të brishta në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në Kosovë. Prandaj liderët që i kanë përjetuar pasojat e tmerrshme të luftës duhet të ngrihen dhe të flasin me zë të lartë: duhet të sigurohemi që nuk do të rrëmbehemi sërish nga urrejtjet ndëretnike të së kaluarës”. Kështu nis një artikull i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i shkruar për gazetën “Eurovoice” para dy javësh.

Atyre që janë naivë ose indiferentë, mund të mos u bëjnë përshtypje këto tri fjali. Thjesht, mund t’iu duken normale e të zakonshme, ose madje tepër normale e tepër të zakonshme, prandaj edhe disi të mërzitshme e bezdisëse. Ama, kjo është pjesë e problemit, gjithsesi. Ka një tezë të posaçme që shfaqet në këta pak rreshta, dhe e cila nuk është e vërtetë, e drejtë dhe aq më pak e dobishme. Në fakt, një lexim i këtillë i luftërave në Ballkan, sikurse ky i kryeministrit të Kosovës, është shumë i dëmshëm për Kosovën, shqiptarët dhe gjithë rajonin.

Luftërat në Ballkanin Perëndimor në shekullin e kaluar nuk kanë qenë luftëra ndëretnike. Njerëzit nuk luftuan pse ishin (etnikisht) të ndryshëm, por pse interesa të ndryshme politike dhe ekonomike i mobilizuan ata prej lart (duke përdorur edhe përkatësinë e tyre etnike). Në rastin tonë, shqiptarët si komb rezistonin e luftonin kundër Serbisë si shtet, për më se një shekull, prej kur u okupuan prej saj. As në vitet e ’90-ta, luftërat nuk ishin ndëretnike: shqiptarët, boshnjakët, serbët, kroatët dhe sllovenët nuk luftuan të gjithë me njëri-tjetrin, pra nuk u përleshën secili me secilin, por të tjerët luftuan kundër hegjemonisë dhe ekspansionizmit të Serbisë që asokohe udhëhiqej nga regjimi i Milosheviqit.

Nuk ishte dallimi mbi baza etnike ai që shkaktonte konfliktet, por planet dhe programet e hartuara në Beograd nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve atje, të miratuara më pastaj nga politika shtetërore, të bekuara nga Kisha Ortodokse dhe të ekzekutuara nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare të Serbisë. Nëse luftërat e viteve të ’90-ta i quajmë, thjesht, luftëra ndëretnike, atëherë bëhet shfajësimi i Serbisë për krimet, masakrat dhe gjenocidin e kryer me paramendim. Konsekuenca e këtij shpjegimi është se të gjitha kombet na paskan kryer krime porse këtë e kanë bërë sipas mundësive që kishin: Serbia kishte fuqi shumë më të madhe policore dhe ushtarake andaj edhe krimet e saj ishin më të mëdha.

Mbretëria serbo-kroato-sllovene, me në krye Aleksandar Karagjorgjeviqin, ishte forma për Serbinë e Madhe pas luftërave ballkanike dhe pas Luftës së Parë Botërore. Kjo formë u përpoq vazhdimisht që të shndërrohet në përmbajtje herë me luftë e herë me paqe. Përgjatë dekadës së fundit të shekullit XX, orvatja ishte me luftë. Atëbotë, gjersa i kryente krimet më mizore në truallin e Evropës që prej Luftës së Dytë Botërore, Serbia po e akuzonte NATO-n dhe ShBA-të për imperializëm të madh, për ta maskuar asisoj imperalizmin e vet të vockël në Ballkan.

Në anën tjetër, e majta kulturore cinike në Evropë fliste pikërisht për urrejtjen e lashtë në Ballkan, ku fiset tash quheshin etni, e të cilat kishin për gjendje normale luftën e përjetshme në kontrast me projektin e Bashkimit Evropian të frymëzuar nga paqja e përhershme e Kantit. Të tjerë në perëndim që po i shërbenin Serbisë me arsyetimet e tyre, qarkullonin në një zonë ndërmjet Nietzsche-s e Freud-it: vullneti për pushtet i Milosheviqit po e zgjeronte territorin e (shtetit të) këtij pushteti, ndërkohë që thuhej se edhe ai, porsi Hitleri, dyshohet të ketë probleme seksuale (përveçqë e kishte parë babanë e tij të varej në litar teksa ky kishte kryer vetëvrasje).

Natyrisht që Jugosllavia e painkuadruar e Rrugës së Tretë që ishte zhytur në borxhe nuk do të mund të mbijetonte pas rënies së Bllokut të Lindjes. Njëkohësisht, aty ishin grumbulluar edhe kundërthënie të tjera të brendshme përveç sundimit të shtuar mbi shqiptarët pas suprimimit të autonomisë. Kështu, në Slloveni dhe Kroaci u akumulua kapitali ekonomik ndërsa në Serbi e Mal të Zi aparati represiv. P.sh. standardi i jetesës në Slloveni ishte shumëfish më i lartë sesa mesatarja e Jugosllavisë ndërsa në ushtrinë jugosllave kishte katërfish më shumë gjeneralë malazezë sesa kroatë dhe 70 % të policëve në Zagreb ishin serbë.

Kryeministri Thaçi nuk mjaftohet me përshkrimin e gabueshëm të luftërave të shekullit të kaluar si të shkaktuara nga urrejtja ndëretnike. Ai nuk e shfajëson Serbinë vetëm në histori por edhe në ardhmëri. Sepse ai bën thirrje që të mos “rrëmbehemi sërish nga urrejtjet ndëretnike të së kaluarës”. Duke e përshkruar “urrejtjen ndëretnike” si ADN-në e Ballkanit Perëndimor nuk kontribuohet për paqe, por pikërisht në përjetësimin e konfliktit dhe, me këtë, edhe të protektorateve ndërkombëtare sunduese. Kësisoj, edhe sulmet e shtuara të Serbisë mbi Kosovën dhe shqiptarët na shfaqen vetëm si ringjallje e njëfarë urrejtjeje ndëretnike nga e kaluara e jo si plan i Serbisë që shpërfaqet prej Kushtetutës së saj dhe strukturave ilegale shtetërore në veri, e deri te mospendesa për krimet e kryera ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve.

Kryeministri i Kosovës fundja le të mos e ndihmojë shtetin e kombin tonë, por a thua çka i hyn në punë ta ndihmojë Serbinë, madje në një aspekt kaq fundamental?! Kryeministri që e bëri këtë shkrim është historian me profesion. Ajo që do të duhej të ishte përparësi duket se është veçse mangësi në këtë rast.

Nga Albin Kurti

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Zëri”)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu