Amortizatorët, kurdisje nga “Devolli”

0
1183

Ligjvënësit kosovarë të enjten kanë kërkuar hetim për mënyrën e privatizimit të të gjitha ndërmarrjeve shoqërore me spin-off special, derisa më shumicë votash janë miratuar rekomandimet për procesin e privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve në Prishtinë, ku do të formohet një komision për hetimin e procesit të privatizimit të kësaj fabrike.

Deputetë të lëvizjes “Vetëvendosje” , e cila kishte thirrur debatin për privatizimin e Fabrikës së Amortizatorëve, vlerësuan se në këtë proces të privatizimit ekzistojnë dyshime për kurdisje të tenderit, sepse dy ndërmarrjet që janë krijuar nga fabrika e amortizatorëve, janë blerë nga persona që kanë lidhje mes vete.

” Pra lidhja është që në njërën fitues të tenderit kanë qenë pronarët e kompanisë “DEVOLLI”, vëllezërit Devolli, ndërkohë që në anën tjetër kompania që e ka blerë pjesën tjetër të amortizatorëve, kompania “ENEX” group, është po ashtu e pronësuar nga të punësuarit në kompaninë “Z-MOBILE”, e cila është pra e pronësuar nga vëllezërit Devolli. Kjo lidhje e afërt e tyre zgjon dyshime për kurdisje të këtij tenderi dhe për marrëveshje mes këtyre dy palëve, për ta blerë tërë fabrikën me dy emra të ndryshëm. Pra, për t’i pasur dy leva të mundshme të blerjes së fabrikës”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të VV-së, Visar Ymeri.

Sipas Ymerit, pronarët e kompanisë “Devolli” në vitin 2010 kur ofertuan dhe fituan tenderin e blerjes së Amortizatorëve ishin nën hetime për përfshirjen e tyre në kontratën e “Z-Mobile” të nënshkruar me PTK-në.

“Natyrisht që ofertuesit, në këtë rast pronarët e kompanisë “DEVOLLI” group, kishin nxjerrë nga Gjykata Komunale në Pejë një vendim, në të cilin thuhej se ata nuk ishin nën hetime dhe as nuk ishin të akuzuar për ndonjë gjë edhe pse në momentin kur këta ofertonin për blerjen e “Amortizatorëve” ishin, pra siç ishte raportuar edhe në media nën hetime dhe iu bastiseshin edhe biznesi edhe shtëpitë për këto hetime. Ky mos-hetim nga AKP-ja, është dështim i qëllimshëm për ta hetuar si duhet dhe për ta dërguar në vend si duhet procesin e privatizimit sipas rregullave që vetë ata i nënshtroheshin”, ka thënë ai.

Krasniqi kërkon agjenci për mbikëqyrje të privatizimit

Ndërkaq, teksa debatohej për Fabrikën e Amortizatorëve, kryeparlamentari Jakup Krasniqi u shpreh i ashpër në deklarimin e tij, i cili theksoi se duhet të formohet një agjenci, e cila do të mbikëqyrte gjithë procesin e privatizimit.
“Është krejt normale që të ketë përsëritje të procesit të privatizimit nga fillimi nëse vërtetohet se ka pasur parregullsi dhe të ketë kthim në pikën zero”, ka thënë Krasniqi.

Edhe deputeti i PDK-së, Fatmir Limaj, kërkoi që të formohet një komision hetimor parlamentar, sidomos përmendi nevojën për rishikimin e të gjitha ndërmarrjeve të privatizuara me spin-off special.

Ai tha se nuk ka pasur vullnet politik për të çuar përpara procesin e privatizimit dhe se sipas tij, përgjatë këtyre viteve janë prodhuar vetëm kundërefekte. Limaj potencoi se Parlamenti i Kosovës nuk guxon të bjerë pre e grupeve të caktuara për arsyet dhe motivet e tyre personale, përderisa iu drejtua deputetëve që mos të ndjehen krenarë për punën e tyre që kanë bërë gjatë këtij mandati.

Përplasen Ymeri dhe Kamishi

Një debat i ashpër është zhvilluar në mes deputetëve të pozitës dhe opozitës edhe për procesin e privatizimit të Fabrikës për prodhimin e Gypave të Ferizajt. Me këtë rast kanë polemizuar deputetët e Vetëvendosjes dhe ata të Partisë Demokratike të Kosovës. Derisa deputeti i VV-së, Visar Ymeri, ka adresuar kritika për mënyrën e privatizimit të ndërmarrjeve në Kosovë, në anën tjetër deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka drejtuar “gishtin” kah kjo parti se është e pasinqertë rreth procesit të privatizimit në Kosovë.

Ai ka thënë se pse deputetët e VV-së nuk flasin për privatizimin e ndërmarrjes “Zastava” të Pejës, që siç ka thënë është privatizuar nga deputeti Florin Krasniqi. “ Pse nuk flisni për privatizimet e juaja, ku janë pjesët e “Zastavës” së Pejës që e ka privatizuar Florin Krasniqi…etj”, ka thënë Haxhiu.

Në seancën e parë për këtë vit, deputetët kanë fajësuar qeverinë edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe kanë përmendur edhe skandalet e fundit në Universitetin e Prishtinës .

 

Nga: Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu