Analistët preferojnë zgjedhjet e reja

0
944

KQZ

Nëse dy taborët politike vazhdojnë të këmbëngulin në zgjedhjen e institucioneve, pa lëshuar pe, atëherë zgjedhjet e jashtëzakonshme mbeten alternative e fundit dhe më e pranueshme për të dalë nga kriza politike. Kështu konsiderojnë analistët politikë në Kosovë, të cilët thonë se inatet e dy palëve e çojnë vendin në zgjedhje.

Fisnik Korenica, nga grupi për studime juridike dhe politike ka thënë për “Zëri”, se as PDK e as Blloku LAN nuk do të duhet të lejojnë që çështja të shkoj edhe një herë në Gjykatën Kushtetuese.

“Me vendimin e ri të Gjykatës Kushtetuese, ka ndryshuar tash sa i takon asaj se si duhet të shkoj procesi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Të paktën në seancën konstituive duhet të ketë një propozim nga ana e PDK-së, i cili pastaj do të duhej të votohej me qëllim që të përmbyllet kapitulli i konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Pa u bërë kjo gjë natyrisht se nuk mund të kalohet në fazën e konstituimit të Qeverisë”, deklaroi ai.

Sa i përket seancës konstituive, sipas Korenicës, Blloku duhet të ketë shumë kujdes që mos ndërmarrë veprime të cilat në fakt do e motivonin PDK-në që nga e para ta dërgoj çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe që të bllokohej sërish procesi i konstituimit.

“Kështu që mendoj që strategjikisht Blloku do të duhej ta lejonte PDK-në sa herë që ajo të dojë ta bëj propozimin për kryetar të Kuvendit deri në atë masë sa ta kuptoj që politikisht nuk e ka të mundur të ketë mbështetjen e nevojshme prej 61 deputetëve për ta pasur emrin e saj në krye të Kuvendit. Dhe pasi që të përmbyllej procesi i seancës konstituive Blloku LAN do të mund ta rithemelonte në seancë pune grupin e saj parlamentar dhe pasi zgjedhjes së Qeverisë ti kthehet shkarkimit kryetarit të zgjedhur në seancën kontiuive dhe ti rikthehet zgjedhjes së kryetarit të ri”, ka deklaruar Korenica për “Zëri”.

Ai po ashtu ka thënë se Blloku LAN duhet ta lë PDK-në deri në momentin që të vërtetohet se nuk mund ti siguroj 61 votat e duhura për të qenë PDK në krye të Kuvendit.

“Gjithashtu mendoj që PDK do të duhej që të ketë mirëkuptimin që nëse nuk është në gjendje të siguroj 61 vota në herën e parë, dytë apo të tretë, sa i takon zgjedhjes së kreut të Kuvendit, ajo të heq dorë nga një pozicion i tillë sepse, Kuvendit i Kosovës dhe skena politike në vend nuk mund të jenë barrë vetëm për faktin pse një parti që ka dalë e para në zgjedhje nuk është në gjendje të siguroj një koalicion parlamentar. Dhe koalicionet në një sistem parlamentar janë të lidhura për vullnetin e deputetëve dhe kurrsesi për pozicionin individualisht që kanë pasur në zgjedhje”, është shprehur tutje Korenica.

Sipas tij, në rast se të dy paritë nuk arrijnë që të gjejnë ndonjë zgjidhje, Korenica ka thënë se zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme nuk do të jenë në dobi të vendit.

“Mendoj se Kosova do të duhej për herë të parë të jap testin e ndërtimit të institucioneve të saj sipas konsensusit politik që buron nga brenda dhe pa presion ndërkombëtar. Por, nëse do të duhej të zgjidhnin përballë një skenari, që të pranojë në njërën anë presionin ndërkombëtar apo shkuarjen në zgjedhje të reja, unë mendoj se për kosovarët opsioni më i mirë do të ishte shkuarja në zgjedhje të reja”, tha ai.

Korenica tha se nuk beson se në këtë fazë të konstituimit Kosova do të duhej të pranoj ndonjë presion ndërkombëtar për ta zgjidhur çështjen e konstituimit të institucioneve shtetërore.

“Gjithashtu kujtoj se Bashkësia Ndërkombëtare në asnjë mënyrë nuk është e interesuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja sepse, një proces i tillë do të ishte shumë i kushtueshëm për proceset ndërkombëtare nëpër të cilat po kalon Kosova”, ka deklaruar Korenica.

Ndërkaq analisti politik, Halil Matoshi thotë se duke i parë qëndrimet e partive politike, asnjëra palë si PDK ashtu edhe Blloku LAN nuk do të mund ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe vendi në këtë mënyrë do të shkoj në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

“Duke i parë të gjitha parametrat të çojnë andej se seanca ka me qenë pothuajse e nyejt me seancën konstituive të kaluar e cila faktikisht është penalizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe në këtë situatë unë mendoj se as PDK dhe as Blloku opozitar LAN nuk do të mund ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit. Kështu që situata do të bllokohet dhe praktikisht opsioni i vetëm në këtë situatë nëse do të thotë palët nuk lëshojnë pe, do të jenë zgjedhjet e jashtëzakonshme”, ka deklaruar Matoshi për “Zëri”.

Sipas tij, në këtë mes nuk ka vend ndërhyrja e ndërkombëtarëve pasi që siç shprehet Halili, ose PDK ose Blloku LAN duhet të lëshoj pe në mënyrë që të formohen sa më shpejt institucionet e vendit.

“Objektivisht nuk e di deri në ç’masë mund të shkojnë ndërhyrja ndërkombëtare sepse këtu objektivisht ekzistojnë vetëm dy mundësi, mundësia e parë është që të tërhiqet PDK dhe t’ua lë në dorë ndërtimin e organeve të Kuvendit Bllokut LAN ose të tërhiqet Blloku përkatësisht zoti Isa Mustafa dhe Blloku ta votoj kandidatin e PDK-së. Dhe kështu që në këto dy mundësi duket se palët janë aq të barrikaduara në kundërshtim njëra – tjetrës sa që unë mendoj se nuk do të ketë do të thotë nuk do të lëshojnë pe, kështu që vendi po përgatitet për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Matoshi.

Nga: Valmira Halimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu