Angela Merkel në Greqi; fyerje, sharje, goditje me shishe makinës

0
852

Përfundon takimi Samaras-Merkel në Athinë, vizitë që u shoqërua me 40 mijë protestues, gaz lotsjellës, fyerje të protestuesve ndaj kancelares, edhe pse shkaktarët e borxhit grek janë vetë grekët dhe jo Angela Merkel.

ATHINË – Rreth mesditës së sotshme filluan diskutimet mes kancelares gjermane, Angela Merkel dhe kryeministrit grek, Antonis Samaras në Megaro Maximou, pallati qeveritar në Athinë. Por të mbajtura nën presionin e të paktën 40.000 protestuesve – sipas të dhënave të policisë greke, por edhe më shumë për organizatorët – të mbledhur në atë moment në sheshin qendror Syntagma në Athinë, përpara Parlamentit, ku deri tani nuk sinjalizohen incidente të rënda.

Grumbullimi është realizuar prej sindikatave Adedy dhe Gsee për të protestuar kundër masave të reja të shkurtimeve, të kërkuara nga Trojka ndaj qeverisë greke dhe kundër vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel.

Përleshje regjistrohen në Athinë, në spitalin Henry Dunant, që gjendet përpara ambasadës amerikane në kryeqytetin grek, me policinë që ka hedhur gaz lotsjellës për të ndaluar një kortezh spontan nëpunësish, që donin të manifestonin kundër vizitës së Angela Merkel. Nëpunësit, të cilët nuk marrin rrogë që prej 8 muajsh, kanë hedhur shishe kundër policëve. Tensioni në zonë mbetet i lartë.

Disa manifestues grekë kanë hedhur shishe plastike kundër makinave që kanë transportuar Angela Merkel në pallatin qeveritar. Ndërkohë, demonstruesit kanë hedhur gurë ndaj policëve në sheshin Syntagma. Më parë, një grup manifestuesish ka marrë në shenjestër një barrikadë të policisë në përpjekje për të mbërritur në pallatin e qeverisë, ku është ende duke vijuar takimi Merkel-Samaras. Policët kanë shpërndarë turmën, duke hedhur gaz lotsjellës.

Një grup të rinjsh me fytyrë të mbuluar kanë hedhur shishe ndezëse dhe tymosëse ndaj një skuadre policësh të anti-trazirave, të shpërndarë në rrugën Panepistimiou, në zona të sheshit Syntagma. Policët kanë shpërndarë manifestuesit. Demonstruesit që protestojnë kundër vizitës së Merkel kanë djegur edhe një flamur me kryq të thyer, simbol i fashizmit, në sheshin Syntagma, i shpërndarë më pas si imazh nga manifestuesit në rrjetet sociale.

Demonstratat, të ndaluara nga policia

Gjithë manifestimet e protestës, të organizuara sot nga sindikatat dhe partitë politike, kanë qenë të ndaluara nga policia për të limituar në maksimum incidentet, por policë të shumtë tani gjenden ende nëpër autobusë dhe furgona blu policie, gati për të ndërhyrë përreth ndërtesës së parlamentit. Sot në mëngjes u bënë edhe 36 arrestime.

Populli do të fitojë

“Angela Merkel ka ardhur në Athinë për të dhënë mbështetjen e saj për qeverinë e kolaicionit me kryeministër Antonis Samaras dhe ndaj masave që do të na imponojë, por populli nuk do t’i nënshtrohet peshës së masave shtrënguese dhe në fund do të fitojmë, sepse kemi të drejtën nga ana jonë”. Është ky reaksioni i parë ‘i nxehtë’ i Alexis Tsipras, lideri i Syriza (e majta radikale) menjëherë pas mbërritjes së Merkelit në territorin grek, edhe pse shkaktarët e borxhit grek janë vetë grekët dhe jo Angela Merkel. Tsipras i bëri deklaratat e tij, duke folur përpara turmës së mbledhur në sheshin Syntagma, në prani të Bernd Riexinge, një nga liderët e Linke gjerman.

Qëllimi i vizitës dhe fyerjet ndaj Merkel

Kjo është vizita e parë e Merkel nga fillimi i krizës. Ajo ka mbërritur sot në orën 12.30 në aeroportin e Athinës, ku është pritur nga kryeministri grek, Antonis Samaras dhe nga një kolonë ushtarake. Kancelarja vjen për t’i dhënë mbështetje qeverisë, e cila po kërkon të zbatojë masat e reja shtrënguese ekonomike në vend, për ta mbajtur vendin në Eurozonë. Kancelarja gjermane vjen në kryeqytetin grek, për të diskutuar me kryeministrin grek, Antonis Samaras dhe presidentin Karolos Papoulias mbi reformat që duhen bërë për të bindur BE-në të japë shumën e parë të ndihmave prej mbi 31 miliardë euro. Sipas burimeve të ndryshme, Samaras do t’i kërkojë Merkel-it dy gjëra: mbështetjen e saj për përpjekjet e Greqisë dhe aprovimin e saj për të  “zbutur” disa nga masat e ashpra të kërkuara nga trojka (Be, Bqe dhe Fmn) ndaj qeverisë së Athinës – mes të cilave të tjera shkurtime të pagave dhe pensioneve në këmbim të ndihmave ekonomike.

Vizita e Merkel, ‘gruas më të fuqishme të botës’ është një udhëtim, që në fakt, ka vlerë të lartë simbolike. Por e fyer gjatë manifestimeve të sotshme, edhe me shprehjet “Nga Hitleri te Merkel” apo me postera që i përngjasojnë ata, sikurse edhe në Europianin e futbollit 2012 gjatë ndeshjes Gjermani-Greqi, duke u krahasuar nga shtypi grek me Adolf Hitler, Angela Merkel sot kërkoi që të zbusë kontrastet mes dy vendeve, shkaktuar nga kriza e borzhit. Siç ka bërë të ditur ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, udhëtimi i Merkel është një shenjë “respekti” dhe “mirënjohjeje” për popullin grek.

Merkel-Samaras pas takimit

“Greqia është gati të respektojë detyrimet e saj dhe nuk kërkon para të tjera”. Ka thënë Antonis Samaras në Athinë pas takimit me Angela Merkel, e veshur me të njëjtën xhaketë të gjelbër si në ndeshjen e fitores Gjermani-Greqi. “Dalja e Greqisë nga euro nuk është një opsion i praktikueshëm dhe vizita e Merkel tregon një mbështetje reale”, ka shtuar ai.

Fakti që Angela Merkel është sot në Greqi është provë, se nuk jemi në atë izolimin politik që kemi jetuar në muajt e fundit. Kemi bërë gabime, por kemi pasur një izolim, që nuk e meritonim”, ka thënë Samaras.

“Greqia ka bërë shumë hapa përpara, rezultatet po duken, por mbetet ende për t’u bërë”. Me këto fjalë Merkel ka filluar ndërhyrjen e saj në konferencën për shtyp, e duke shtuar se në Gjermani gjithë qeveria dhe parlamenti kanë besim në atë që Greqia mund të bëjë. Jemi partnerë, jemi miq. Jemi bashkë në euro dhe Nato. Është interesi ynë i përbashkët të rikuperojmë besimin tek eurozona”, ka thënë Merkel.

Ajo ka shtuar se “nuk mjaftojnë masat e shtrëngesave që janë marrë deri tani, duhet punuar edhe për zhvillimin”. “Unë uroj që Greqia të mbetet në euro”, ka thënë kancelarja, duke shtuar se ‘do të doja të shtoheshin ndihmat për Greqinë, kërkesat janë, por duhet të presim relacionin e Trojkës’.

/ANSA/TM News/Shekulli Online/M.Alla/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu