Anglezët: Kisha Ortodokse Shqiptare s’u përket grekëve

0
731

Hodgson shkruante: “Së pari unë besoj fort se grekët kanë mbajtur një qëndrim sfidues në çështjen e KOASH, e cila nuk u përket atyre. Veprimet e tyre e kanë justifikuar kundërshtimin e shqiptarëve, të cilët nuk e pranojnë se çdo ortodoks është grek. Grekët janë pushtuar nga frika se zgjidhja e Kishës Ortodokse në Shqipëri është pjesë e një skeme me rrënjë më të thella italiane për të shfronësuar Fanarin dhe për ta zëvendësuar atë me Vatikanin, dhe me aktivitetet e tyre të gabuara ata po i favorizojnë këto zhvillime. Grekët, me këto veprime nuk e kanë lehtësuar aspak minoritetin grek, vuajtjet e të cilit i kanë paraqitur në një mënyrë shumë imagjinare dhe me to po përpiqen të fitojnë simpatinë e opinionit publik evropian”.
Ministri britanik mendonte se edhe nga pikëpamja formale grekët po vepronin gabim. Akuza se qeveria shqiptare kishte shkelur marrëveshjen e vitit 1926 me Peshkopin Krisanthos nuk kishte baza, pasi marrëveshja nuk u pranua asnjëherë nga Fanari. Këtë e provonte dërgimi sërish pas një viti i Krisanthosit në Shqipëri për të vendosur kushte të reja. Ai nuk kishte të dhëna se kushtet që u pranuan gjatë vizitës së tij u ratifikuan ndonjëherë nga Fanari. Përsëri në nëntor 1928, Peshkopët Hierotheos dhe Kissi, të dy me kombësi shqiptare, por me arsimim e simpati greke, ishin ftuar nga qeveria të bashkëpunonin me të për krijimin e një Sinodi. Ata e refuzuan këtë ftesë. Ata mund të kishin pasur arsye për ta bërë këtë, por kjo ngjarje provoi se ata kishin qëllime të këqija. Ishte kjo arsyeja që shqiptarët u kthyen nga Serbia për të kërkuar ndihmë.
Pasi jepte këtë informacion të hollësishëm, ai i përcolli Sekretarit të Shtetit këtë konkluzion: “Faktet që ju kam paraqitur janë mjaft të qarta. Nuk është e vërtetë që myslimanët po veprojnë kundër të krishterëve dhe as që italianët po përpiqen të arrijnë një fitore në kurriz të grekëve. Gjithashtu nuk ka arsye që të mendohet se një minoritet ortodoks po shtypet dhe sfidohet me dhunë. Qeveria shqiptare po përpiqet të zgjidhë çështjen e ortodoksëve, e cila ka vite që po zgjat. Ajo për këtë ka arsyet e saj. Unë besoj se Mbreti është i lodhur nga çështjet që nuk përfundojnë asnjëherë dhe ka qenë i preokupuar t’u jepte një zgjidhje përfundimtare të favorshme atyre. Kështu ai ka vendosur të krijojë një Sinod. Por mentaliteti i njerëzve sot kërkon që zgjidhja e çështjes së Kishës të bëhet sipas parimeve kombëtare dhe që të jetë e lirë nga ndërhyrjet e një organizmi të huaj fetar në çështjet administrative. Grekofilët në hierarkinë klerikale kundërshtojnë ndonjë zgjidhje që nuk pranohet nga Patriarkana dhe qëndrimi i tyre është përforcuar nga mbështetja që po u jep Greqia.
Në këto rrethana, Sinodi u formua me përkrahjen serbe dhe pa përfshirjen e tyre. Ndoshta ata nuk e kishin menduar se do të realizohej një zgjidhje e tillë. Ashtu siç është formuar, Sinodi nuk është një institucion frymëzues. Ai përbëhet nga peshkopët Xhuvani dhe Çamçe, dy prelatë të njohur si imoralë. Nga ana tjetër, dy anëtarët e tjerë të tij, Peshkopët Ambrosios i Gjirokastrës dhe Eugenios (Eftem) i Peshkopisë, janë njerëz me përkushtim të padyshimtë dhe me reputacion të pacenuar. Kështu Sinodi e ka një bërthamë të shëndetshme. Këta të dy janë arsyeja pse qeveria shqiptare, megjithëse ka qenë e vetëdijshme për defektet e këtij organizimi, e ka krijuar atë. Ajo mendon të përmirësojë përbërjen e tij me kalimin e kohës. Unë jam shumë përfundimtar në opinionin se sa më e vogël që të jetë ndërhyrja e huaj në këtë çështje, aq më e mirë është perspektiva që akuzat dhe vështirësitë e sotme të kapërcehen”.
Britanikët do të ndërgjegjësoheshin shpejt, se shkaku i vetëm i krijimit të Sinodit të KOASH në këtë mënyrë “revolucionare” kishte qenë veprimtaria sabotuese dhe bllokuese e grekëve dhe e peshkopëve grekofilë. Hodgson e informonte Chamberlainin se “sapo peshkopët grekofilë, Hierotheos i Korçës dhe Kissi i Beratit, duke shkelur premtimet e mëparshme dhe duke dredhuar refuzuan konsakrimin e peshkopëve të rinj që do t’u bashkoheshin atyre në konstituimin e Sinodit, udhëheqësit e ortodoksëve nacionalistë, me aprovimin e Mbretit dhe të qeverisë, pranuan ofertën serbe për ndihmë dhe e formuan Sinodin pa dy peshkopët grekofilë”.
Mbreti kishte informuar në mënyrë konfidenciale ministrin britanik për mënyrën se si kishin rrjedhur ngjarjet që çuan në krijimin e Sinodit. Hodgson pohonte se ky informacion mbushi boshllëkun që kishte ekzistuar deri në këtë kohë për çështjen e kishës. Ai e paraqiste në këtë mënyrë rrjedhën e ngjarjeve: Pasi ishte bllokuar krijimi i Sinodit, Xhuvani dhe Vasil Marko ishin të bindur se duhej kërkuar ndihmë prej Serbisë, meqë ajo u ishte mohuar nga Greqia. U kontaktua ministri jugosllav dhe, meqë ai e mbështeti projektin, atëherë u informua Mbreti për këtë projekt. Mbreti takoi ministrin jugosllav Mihailloviç, i cili e siguroi Zogun se Kisha serbe do t’i ndihmonte me kënaqësi ortodoksët shqiptarë në udhëkryqin ku ndodheshin dhe, për këto shërbime që do të bënte, nuk do të kërkonte ndonjë shpërblim. Më tej, menjëherë u formua Sinodi shqiptar. Ishte dhënë premtimi se Patriarkati i Beogradit do të binte dakord ta njihte këtë Sinod. Zogu, i shqetësuar për të mos e vënë Mihailloviçin në një pozitë të vështirë, duke i pranuar siguritë që i kishte dhënë ai, por pa qenë i bindur se Beogradi do t’i miratonte ato, kërkoi që Mihailloviçi t’ia parashtronte çështjen qeverisë së tij dhe të bindej që qëndrimi i tij aprovohej prej saj. Pas dy ditësh, Mihailloviçi e informoi Zogun se ai kishte marrë një përgjigje të kënaqshme nga Beogradi. Pas kësaj, Mbreti i tha Visarionit dhe Vasil Markos, se tani ata ishin të lirë të vijonin me formimin e Sinodit.
Sinodi u formua, dhe mbështetjes pa interes të Kishës serbe iu bë jehonë në shtyp dhe në propagandën zyrtare. Por njohja nga Patriarkana e Beogradit ende nuk ishte bërë. Akoma më keq, Mihailloviçi u bë transmetues i mesazheve, të cilat pohonin se qeveria e tij ishte penduar për këtë veprim vetëmohues. Ai kërkoi prej shqiptarëve një angazhim me shkrim, se zona e Shkodrës do të bëhej një dioqezë e veçantë, e cila do të varej menjëherë nga Patriarkana e Beogradit. Kjo kërkesë, e cila iu paraqit Mbretit Zog, u hodh poshtë me vendosmëri. Pak ditë më vonë, Mihailloviçi u rikthye me një program më pak të qartë. Ai kërkoi që Sinodi shqiptar të bënte një deklaratë spontane, duke e falënderuar Kishën serbe për ndihmën që u kishte dhënë ortodoksëve shqiptarë kur ata kishin nevojë për të dhe, si shenjë mirënjohjeje, të premtonte se do të krijonte në Shkodër një Vikariat të veçantë, në të cilin gjuha liturgjike do të ishte sllavishtja dhe klerikët do të ishin përgjithmonë të racës serbe. Mbreti i dha Hodgsonit kopjen e letrës që i kishte dhënë atij Mihailloviçi, e cila përmbante kushtet e lartpërmendura.
Mihailloviçi i kishte thënë Mbretit, se nëse kjo kërkesë nuk plotësohej nga shqiptarët, ky do të ishte sinjali për tërheqjen e tij. Mbreti e kishte refuzuar këtë gjë. Zogu gjithashtu i tha ministrit britanik, se edhe nëse ai do të kishte qenë i predispozuar ta pranonte këtë kërkesë, Sinodi do ta hidhte poshtë kërkesën serbe, pasi ishte absurde që të luftohej dhe të flakej tutje sundimi grek për ta zëvendësuar atë me sundimin e Serbisë.
Ndërkohë, sipas informacioneve që kishte Mbreti Zog, të dy Patriarkanat kishin arritur një marrëveshje midis tyre, ndoshta si rezultat i përpjekjeve të peshkopit Krisanthos. Patriarkana Ekumenike nuk do ta njihte Sinodin shqiptar deri kur ky të pranonte kërkesën serbe edhe Patriarkana serbe nuk do t’i jepte njohjen këtij Sinodi deri kur kjo njohje të bëhej prej Fanarit. Kështu, nëse Sinodi shqiptar nuk i nënshtrohej Serbisë, as Patriarkana serbe, as Fanari nuk do ta njihte atë. Kështu, puna kishte arritur në një pikë të vdekur. Mbretin Zog nuk e shqetësonte aq shumë ngatërresa që kishin krijuar në çështjen fetare këto incidente, por ai ishte i shqetësuar për faktin se qeveria jugosllave e kishte ngrënë fjalën e saj. As në këtë rast, as në largimin e refugjatëve politikë nga kufiri shqiptar, për të cilin ajo vazhdimisht kishte premtuar se do ta bënte, qeveria jugosllave nuk e kishte mbajtur fjalën. Si mund t’u besonte ai protestave që vinin nga Beogradi për shkeljen e miqësisë?
Ndërsa Mihailloviçi ia përshkroi Hodgsonit disi më ndryshe rrjedhën e gjërave. Megjithatë, ministri britanik pohonte se edhe shpjegimet e tij nuk e preknin në substancë versionin e Mbretit Zog. Mihailloviçi u ankua se kishte qenë viktimë e thyerjes së besës. Megjithëse nuk e mohoi se Kisha serbe i ofroi ndihmë shqiptarëve pa u imponuar kondita, ai tha se kishte pasur një mirëkuptim jozyrtar se gjeneroziteti i Serbisë nuk do të lihej pa u shpërblyer. Atij i ishin dhënë hapur nga Visarioni garanci të përsëritura, (megjithëse pranonte se Mbreti Zog mund të mos kishte qenë i informuar për këtë) se “statuskuoja” në Shkodër do të ruhej. Kjo nënkuptonte ruajtjen e pozitës së privilegjuar për komunitetin e vogël e të parëndësishëm ortodoks atje. Mihailloviçi i tha Hodgsonit, se ai kishte qenë i kënaqur që ky angazhim jozyrtar të respektohej. Në të gjitha ngjarjet që kishin ndodhur kur Mbreti Zog kishte qenë në pushtet, ai (Mihailloviçi) kishte bërë çka kishte mundur që të bindte qeverinë e tij të ishte e kënaqur me këtë situatë. Por Patriarku serb, i cili në përgjithësi nuk e pëlqente Visarionin dhe që i kishte vlerësuar devijimet e tij si rezultat i ekzigjencave politike, nuk u impresionua nga këto garanci prej xhentëlmeni dhe këmbënguli që atij t’i jepej diçka në letër dhe e firmosur. Ministria e Jashtme jugosllave e kuptoi dhe e pranoi disi me vonesë mënyrën e të menduarit të Patriarkut serb dhe i dha Mihailloviçit udhëzime në këtë drejtim. Shqiptarët nuk ishin të përgatitur t’i plotësonin këto kërkesa.
Duke i krahasuar të dyja këto versione, Hodgsoni mendonte se ishte e lehtë të plotësohej kjo histori në pjesët që i mungonin. Ai bënte këtë arsyetim: Mihailloviçi, ashtu si kolegu grek, Melas, ishte i preokupuar të bënte diçka. Ai kishte pasur dëshirën e natyrshme që të ishte i dobishëm e t’i përmirësonte marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë. Ai kishte menduar se ky rast ishte shfaqur nga rrëmuja në ortodoksinë shqiptare dhe se nuk duhej humbur. Ai e kishte nxitur me forcë Beogradin që të pranonte propozimin e tij, pasi kështu do të bëhej diçka për çarmatosjen e armiqësisë së shqiptarëve, por edhe sepse kjo do të siguronte përfitime, pasi do të nxiste midis shqiptarëve një farë mendimi më të favorshëm për ambiciet serbe në Shkodër. Duke konkluduar në vija të përgjithshme, Serbia në të njëjtën kohë donte të paraqitej si një faktor bamirës dhe, nga ana tjetër, ka pranuar ofertën e Kishës Lindore (të Fanarit). Qeveria jugosllave që e kishte përqafuar këtë arsyetim ia kishte transmetuar atë Patriarkanës serbe, e cila i kishte dhënë ndihmë Visarion Xhuvanit.
Por Patriarku, kërkoi që juridiksioni fetar i Shkodrës i premtuar se do t’i njihej Kishës serbe, të bëhej realitet. Mihailloviçi nuk mundi ta realizojë këtë premtim. Ai gjithashtu nuk kishte mundur t’i kërkonte hapur Senatit shqiptar që të mbante premtimin dhe t’i pohonte se kishte thyer fjalën e dhënë. Ndërkohë, tensioni që kishte shkaktuar kjo çështje në botën ortodokse kishte pasur një efekt të pashmangshëm mbi Patriarkanën serbe. Ajo e kishte kuptuar se nuk ishte e leverdishme që të krijonte një konflikt me Fanarin dhe marrëdhënie të këqija me komunitetet e tjera ortodokse për një çështje të vogël, siç ishte ajo e formimit të një Sinodi serbofil në Shqipëri. Kështu, Patriarkati u tërhoq dhe qeveria jugosllave ndoqi rrugën më të lehtë, duke e vënë përfaqësuesin e saj në Tiranë në një pozitë të vështirë. Pastaj e thirri atë në Beograd, duke u përpjekur të ushtrojë presion.
Hodgson përfundonte, se fundi i ndërhyrjes jugosllave në çështjen e KOASH, mund të përkufizohej në mënyrë koncize si më poshtë:
a- Ajo e tërhoqi ministrin jugosllav nga Tirana, meqë ai u bë qesharak.
b- Qeveria jugosllave, në vend që të fitonte simpati në sytë e shqiptarëve, ka krijuar premisa që të akuzohet se ka kryer një veprim me dy fytyra.
c- Sinodi i KOASH, ka humbur çdo perspektivë për t’u njohur nga Fanari, pa pranuar kërkesën krejtësisht të pajustifikueshme të Patriarkanës serbe.

*Akademik, drejtor i Institutit të Historisë

Nga Beqir Meta*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu