Anketa: Topalli e Aliu në balotazh

0
761

Anketa e Agjencisë së Pavarur Kosovapress, lidhur me atë se kush do të jetë kryetar i Ferizajt, në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar që do të mbahen me 29 prill, ka nxjerr fitues kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, me 46% të votave të grumbulluara, ndërsa pas tij menjëherë është radhitur kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Agim Aliu, me 42% të votave të mbledhura, i pasuar nga kandidati i tretë, Adem Salihaj, që vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) me 8% të votave.

Dy kandidat të tjerë, Naim Ferati nga AAK-ja dhe kandidati i pavarur, Rrahim Radiku, janë renditur në pozitë e katërt, respektivisht të pestën, me nga 1% të votave, ndërsa Ramadan Hasani nga AKR-ja, Bujar Ademi nga PD-ja dhe Ramadan Emini nga LB-ja, nuk kanë siguruar as 1% të votave.

Në anketën e zhvilluar për disa ditë në faqen e Kosovapress-it, e cila është njëra nga anketat më të votuara, kanë marrë pjesë 13371 respodentë.

Tre kandidatët që kanë marrë më së shumti vota në këtë anketë, secili në mënyrën e vet i ka vlerësuar për Kosovapress rezultatet e këtij sondazhi.

Për, Faton Topallin, nga Lëvizja Vetëvendosje, rezultatet e kësaj anketë janë vlerësim i qytetarëve dhe tregojnë orientimin e tyre. Sipas tij kjo është pozitive, për faktin se në këtë anketë kanë votuar disa mijëra qytetarë, duke shprehur kështu vullnetin e tyre.

Edhe kandidati i PDK-së, Agim Aliu, anketën e ka quajtur si vlerësim qytetarë, por që ky vlerësim sipas tij në terren është ndryshe nga ai që është paraqitur në anketë dhe sipas tij shumëfish anon nga ai. Aliu ka thënë se sondazhet në nivel vendi nuk janë përcaktuese për zgjedhjet në Ferizaj, duke lënë të hapur edhe mundësinë e manipulimit.

Ndryshe nga dy kandidatët e parë, Adem Salihaj, nga LDK-ja, sondazhin e Kosovapress-it , e ka quajtur jo real, të ndikuar, e anus, i cili sipas tij nuk paraqet disponimin real të qytetarëve. Ai ka thënë se sondazhi nuk është përcaktues dhe nuk jep mundësi të verifikimit. ”Kemi bërë anketa në formë elektronike, ku unë prij dukshëm ndaj të tjerëve, kështu që kjo anketë nuk është kredibile”, ka thënë Salihaj.

Edhe sa i përket vizionit për Ferizajn, kandidatët më të votuar kanë pasur mendime të ndryshme. Faton Topalli ka thënë se qeverisja e tij do të jetë një model me qytetarin në qendër, një model i qeverisjes perëndimore që ky aktualisht e njeh shumë mirë. ”Kemi mundësi për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, për shndërrimin e Ferizajt në një punishte ku të gjithë janë pjesëmarrës në proces dhe pjesë e ndryshimit, duke lënë anash luksin aktual dhe duke krijuar kushte që kapitalin që vjen nga perëndimi dhe Afganistani ta orientojmë në funksion të ekonomisë dhe punësimit”, ka thënë Topalli.

Ndërsa sipas kandidatit të PDK-së, Agim Aliu, vizioni i këtij subjekti, është i njohur për qytetarin dhe ka sjell një rilindje në të gjitha fushat. Aliu ka përmendur punën e mirë që është bërë, ndërsa ka thënë se këtë vizion zhvillimor do ta vazhdojë në të gjitha fushat. ”Qytetari ferizajas e ka parë forcën zhvillimore të PDK-së, për çdo ditë po i prekë ndryshimet, të cilat po ndikojnë dukshëm në rritjen e kualitetit të jetës së qytetarit. Ne jemi të bindur në vazhdimin e programit tonë, i cili tashmë ka filluar me jetësimin e shumë projekteve. Rëndësi të madhe do t’i kushtohet zhvillimit të zonave ekonomike, të cilat do të jenë promotore të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit”, ka thënë Aliu.

Në këto zgjedhje edhe LDK-ja ka hyrë me programin e saj. Kandidati Adem Salihaj ka thënë se fitorja e tij, do të thotë vazhdimësi e vizionit të tij të nisur që nga viti 2000. Ai ka vënë në dukje se me qeverisjen e tij do të ketë ndryshime në shumë sfera të jetës duke përmendur infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë, krijimin e kushteve për zhvillimin e bizneseve, e deri te përkujdesi për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve. ”Mbeten projektet e mëdha të vizionit tim, futja e hekurudhës nën tokë, ndërtimi i një qendre ekskluzive në vendin e hekurudhës, kthimi i lumit Nerodime në këtë qendër ekskluzive, ndërtimi i një parkingu shumëkatësh etj.”, ka thënë Salihaj.

Se si e shohin veten në përballje me kandidatët tjerë, edhe këtu ka pasur mendime të ndryshme.

Kandidati i PDK-së, Agim Aliu ka thënë se fitorja e tij do të jetë kapitale dhe pa balotazh, ngase tashmë qytetari sipas tij, te PDK-ja ka parë forcën e ndryshimeve rrënjësore pozitive. Ndërsa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli veten e ka parë në balotazh, por pa dhënë shpjegime, se cili do të jetë kundër kandidati i tij. Adem Salihaj është shprehur i bindur se hyrja e tij në balotazh nuk ka asnjë dilemë, ndërsa ka thënë, se për të në këtë fazë nuk është e qartë se cila nga dy partitë do të jenë përballë tij, PDK apo Vetëvendosje.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme për njeriun e parë të Ferizajt, do të mbahen më 29 prill. Në garë janë 7 kandidat të subjekteve politike dhe një i pavarur. Partitë politike, të cilat nuk e kanë forcën e duhur për fitore, shpresojnë në koalicione pas raundit të parë zgjedhor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu