“Antena” e Mero Bazes zbulon pse Bujar Nishani dekoroi Behxhet Pacollin

0
718

Nishani dekoron Pacollin

Jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri po bëhen akuza të rënda pse Presidenti i Shqipërisë Nishani dekoroi Behxhet Pacollin me medaljen e “Nder i Kombit”. Dhe këtij dekorimi i ka kushtuar një kolumnë të radhës edhe “Antena” e Gazetës Tema e cila drejtohet nga Mero Baze. Me humor fshikullues për Jarin (Bujar Nishanin) dhe Behexhetin (Pacollin)- si zakonisht “Antena” e Mero Bazes prek aty ku dhemb… Për më tepër lexojeni tekstin:

 

Në Kosovë kanë shpërthyer një sërë kritikash për medaljen që Jari i dha Behxhetit. Akuzat janë të të gjitha formave, që nga ato për veprimtari antikombëtare, deri tek ato ordinere.
Jari u gjend ngushtë për të gjitha këto, duke u shfajësuar që nuk i dinte dhe shpjegoi arsyen e vërtetë përse e dekoroi.
Ja se si iu përgjigj ai disa prej ankesave.
Ankesa e parë: A e dini ju që Behxheti është në dosjen e Shërbimit Sekret gjerman si i dyshuari kryesor për vrasjen e vëllezërve Gërvalla? Është marrë në pyetje prej policisë gjermane dhe ende nuk ka dhënë shpjegime publike.
Jari: Për zotin nuk e dija. Por mos ma merrni për keq. Unë kam dekoruar dhe Donikën, vajzën e Isuf Gërvallës. Kështu që nuk ka pse i mbetet qejfi familjes Gërvalla. i kam respektuar të dyja palët. Kështu jam dhe i balancuar, siç duhet të jem.
Ankesa e dytë:A e di ti që në vitin 1999, në kulmin e bombardimeve, Bexheti me një avion të porositur nga vëllai i Milosheviçit, që ishte ambasador në Moskë, erdhi në Kosovë për të ndal bombardimet?
Jari: Po diçka kam dëgjuar, por ka shumë rëndësi fakti se kush e ka paguar avionin dhe jo pse erdhi. Nga të dhënat e mia, Behxheti e ka paguar vet dhe nëse rezulton kështu, nuk ka arsye t’i marrim inat, pasi paratë e veta ka harxhur për Kosovën. S’ka rëndësi për mirë a keq. Ai ka mendimin e tij dhe unë jam demokrat, respektoj mendimin ndryshe.
Ankesa e tretë: A e di ti që është akuzuar për pastrim parash të vajzës së Boris Jelcinit për ndërtimin e parlamentit rus dhe është marrë nën hetim nga Carla Del Ponte, kur ishte kryeprokurore e Zvicrës?
Jari: Po, e kam dëgjuar dhe jam krenar që një shqiptar ka korruptuar carin e Rusisë. Ne nuk kemi mënyra të tjera si të dëmtojmë Rusinë, që është armiku ynë. E vetmja mënyrë është kjo që ka bërë Behxheti: T’u marrim paratë dhe t’i telendisim. Një nga arsyet përse e dekorova është dhe kjo. Këtë e quaj meritë të madhe të një shqiptari kundër rusëve.
Ankesa e katërt:A mund të më thuash çfarë arsye kishe për ta dekoruar?
Jari: Ta them unë. Gruaja kishte një tokë në plazh në Durrës. Kishim kaq kohë, nuk e ndërtonim dot. I thashë njëherë Bexhetit: “Më ka ngel një tokë e gruas, dua të bëj një pallat. Është buzë detit”. Po mire, tha, e rregullojmë. E thirri një punëtor të vetin, Agim e quanin. I tha ndërtoja pak pallatin Zonjës së Parë, se na vlen për ndonjë punë ndonjëherë. Në fakt Agimi ishte ndërtues shumë i mirë. E ndërtoi pallatin e gruas me shumë cilësi dhe me një përqindje të kënaqshme. Ne morëm pjesën tonë dhe jemi shumë të kënaqur. Ndryshe nga toka e Kishës, këtu pjesën e ka gruaja, nuk e ka mamaja e gruas, se atë s’e kemi gjë. Pas kësaj pune të lavdërueshme, Behxheti e ngriti në detyrë Agimin, “Agim Hyseni”e ka çuar në Kazakistan. Ne jemi shumë të kënaqur, por i kishim ngel dhe pak para. Behxheti u tregua burrë, s’na i kërkoi kurrë. Një ditë u kujtua gruaja, kur po dekoronim këta kosovarët në mes të shkurtit. Pika ty, më tha. S’le kosovarë pa dekoruar dhe Behxhetin që na bëri pallatin pa lekë s’i dhe një dekoratë! Ke të drejtë, i thashë. Atëherë mblodha fuqitë, u ula dhe i dhashë medaljen më të lartë, “Nderi i Kombit”. E meritonte. Kush i bën një nder presidentit, zëre se ia kë bërë gjithë kombit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu