Arben Puto: Ismail Qemali kundër Vidit, “Celebritet i panjohur”

0
788

I botuar për herë të parë më 1978, studimi i historianit të mirën johur, Arben Puto, “Pavarësia Shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-14”, qe punuar në kushtet e kufizimit të lirisë së krijimtarisë. Në parathënie, vetë autori shënon se ka një ngarkesë të rëndë të retorikës së kohës me një frymë ekskluzivizmi, me etiketime të përgjithshme dhe me skema të natyrës ideologjike. “Veç asaj, ka pasur një ndërhyrje të vrazhdë të politikës në fushën e historisë me interpretime dhe versione të imponuara nga lart. Ndërhyrjes nuk i ka shpëtuar asnjë tekst, asnjë punim monografik”, – nënvizon Puto, sot një ndër emrat më të spikatur në këtë fushë. Sot, 35 vite nga botimi i parë, ai sjell para nesh një libër të ripunuar, në situatën e re të lirisë së punës krijuese. Për studiuesin, një faqe e re është hapur në historiografinë shqiptare, ku tashmë ndërhyrjet e politikës janë jashtë kohës.
Në të trajtohen aspektet e ndryshme të trajtimit të pavarësisë nga Konferenca e Ambasadorëve si: statusi i Shqipërisë, kufijtë, Qeveria e Vlorës dhe Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. “Janë vënë në dukje dy mëkate të mëdha të Fuqive. Së pari, padrejtësia e copëtimit të trevave shqiptare të shkëputura nga trungu kombëtar. Së dyti, rrëzimi i qeverisë kombëtare dhe imponimi i një pushteti të huaj, pa themel, që u shkërmoq së brendshmi dhe ra me fillimin e Luftës I”, shënon autori.
E ndërsa rikthehet pas në kohë, Puto vëren se kjo është një punë e nisur që në vitet ‘60. Objekti kryesor i shqyrtimit është aspekti diplomatik i çështjes shqiptare në evolucionin e vet në etapën “klasike” të imperializmit, në fund të shekullit XIX – fillim i shekullit XX. “Shtyrja kryesore për t’u angazhuar në këtë fushë ka ardhur nga bindja se përpunimi i historisë diplomatike ka një rëndësi të veçantë në rastin tonë. Historia diplomatike e nxjerr Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në një dimension të ri, e vendos atë në kontekstin ballkanik e madje evropian, në një plan më të gjerë”, shprehet eksperti i së drejtës ndërkombëtare. Më poshtë, po botojmë një pjesë nga libri, që hedh dritë mbi situatën e krijuar me largimin e Princ Vidit.
“Lufta e Madhe”, largimi i Princ Vidit
Shpallja e Luftës I Botërore në Evropë në 4 gusht 1914 ishte goditja e fundit për pushtetin e Princ Vidit. Në rend të ditës dalin menjëherë, më mprehtë se kurdoherë, kontradiktat midis Italisë dhe Austro-Hungarisë. Pas vendosjes së regjimit të Vidit, rivaliteti midis dy Fuqive mori trajtën e një ballafaqimi të hapët, gjë që paralajmëroi rreshtimin e dy Fuqive në dy kampe të kundërta pas shpërthimit të luftës. Edhe pse Princi konsiderohej më shumë si i prirë drejt Austro-Hungarisë, Italia kishte në anën e saj Esatin, të cilin diplomatët e KNK e quanin “kyçi i situatës”, përballë të cilit “humbisnin” çdo personalitet edhe kryeministri Turhan Pasha, edhe anëtarët e tjerë të qeverisë.
Vjena e ndjeu rrezikun, aq më tepër në kushtet e rritjes së tensionit midis dy blloqeve të Fuqive në Evropë. Për këtë, me iniciativën e Vjenës u zhvillua një mbledhje në Abbazia të Italisë, në mes të prillit 1914. Aty, me pjesëmarrjen e Berhtoldit dhe San Xhiulianos, përveç analizës së situatës së brendshme të kërcënuar nga “trazirat” e shteteve fqinje, u riafirmua parimi i “prioritetit të interesave të dy Fuqive në Shqipëri”, i “paritetit të influencave” dhe i “pjesëmarrjes së barabartë” të Austro-Hungarisë dhe Italisë në planin bilateral. Pavarësisht nga këto bisedime, situata midis Vjenës dhe Romës erdhi duke u acaruar. një moment kulmor ishte incidenti i përmendur i esatit, arrestimi dhe pritja e tij në Itali. Me këtë praktikisht pritej çdo urë.
Me fillimin e luftës çdo palë veproi në mënyrë të njëanshme. Kështu, Austro-Hungaria i harroi vendimet e Londrës mbi neutralitetin e Shqipërisë dhe i kërkoi Vidit të vihej menjëherë në krye të shqiptarëve dhe të marshonte kundër Serbisë. Princit i kërkohej tani të zgjidhte: ose do të hynte në luftë si princ, ose do të vishte edhe një herë uniformën e “oficerit prusian” në radhët e ushtrisë gjermane. Princi ishte në dilemë, u lëkund. Vjena e bëri të qartë se një qëndrim i tillë “e bënte të pamundur shfrytëzimin e këtij populli (shqiptar) për interesat tona” (të Monarkisë). Prandaj Vidi duhej rrëzuar dhe për këtë u arrit një marrëveshje edhe me Italinë (marrëveshja e fundit midis tyre para shpërthimit të luftës).
Princ Vidit nuk i mbetej gjë tjetër veç të largohej. Në fillim u largua familja, që u shoqërua për në Gjermani nga sekretari Heaton-Armstrong (me të mbërritur ai u zu rob). Vetë Princi e la vendin më 3 shtator 1914, pas një mbretërimi prej jo më shumë se gjashtë muajsh. Qeveria e tij u largua bashkë me të. Pushteti u la në duart e KNK. Ditën e largimit të tij nga Durrësi, Vidi lëshoi një deklaratë, me anën e së cilës shpjegonte se “në kushtet e shpërthimit të luftës në Evropë, ai ishte i shtrënguar të linte vendin, pa mundur të kryente detyrën” që i ishte ngarkuar. Do të shkonte “për njëfarë kohe në Perëndim”, duke siguruar se “qoftë larg vendit apo larg jush, nuk do të mendoj për gjë tjetër, veçse për t’i shërbyer progresit të vendit”. Po atë ditë Princi u nis me jahtin italian “Misurata”, duke “ia besuar pallatin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit”, i cili do të largohej pas tij. Si thekson autori anglez J. Suajr, Princ Vidi nuk abdikoi asnjëherë, nuk hoqi dorë nga froni, i ruante të drejtat e tij si princ i Shqipërisë, për “rikthimin e tij ai vinte si kusht pëlqimin unanim të popullsisë”. Kështu i shkruante vetë Vidi autorit anglez në një letër që i dërgonte në gusht 1928, kur Shqipëria ishte në prag të shpalljes së mbretërisë me një mbret shqiptar. Gjatë kohës së luftës, Vidi u fut në radhët e ushtrisë gjermane me emrin “Konti i Krujës”. Gazetat italiane të kohës e quajtën këtë si një dorëheqje të tij nga fronti. Por sekretari i tij e hodhi poshtë. Në një deklaratë të lëshuar në emër të tij më 24 nëntor 1914, thuhej: “Mbreti tani ndodhet në fushën e betejës, mirëpo shpirtin e ka gjithmonë në Shqipëri”.
Shteti shqiptar, që morën përsipër ta krijonin Fuqitë e mëdha, binte në greminë. Për të dhënë një vlerësim të përgjithshëm, le t’i referohemi opinionit të autorit francez R. Redslob, një profesor i shquar i të drejtës ndërkombëtare të kohës. Ai thotë: “Kur Fuqitë e Mëdha pretenduan të ngrinin Shqipërinë si principatë më vete me Princ Vidin në krye dhe i dhanë edhe një Statut, kjo ishte nga ana e tyre një vepër pa themel. Monarkia e re nuk u krijua veçse në letër dhe në imagjinatën e diplomatëve. Ajo nuk jetoi kurrë për arsyen e thjeshtë se ajo nuk hodhi rrënjë në popull. Pastaj plasi Lufta e Madhe dhe vetëm pas një periudhe të gjatë anarkie, përleshjesh dhe trazirash, Shqipëria mundi të bëhej vetë me forcat e saj, me vullnetin e saj kombëtar, që është edhe e vetmja mënyrë me të cilën mund të themelohet një shtet i vërtetë”.
E vetmja vërejtje që mund të bëhej lidhur me këtë është se ky konstatim krejt i drejtë nuk merr parasysh se ky vullnet i Shqipërisë për t’u bërë vetë “me forcat e saj të gjalla” nuk i përket vetëm periudhës pas Luftës I. Sidoqoftë, pa mohuar trazirat dhe vështirësitë, menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë, një shtet shqiptar po bënte hapat e para, duke pasur pikërisht mbështetjen e forcave kombëtare. Bërthama e këtij shteti do të duhej të ishte Qeveria e Përkohshme e Vlorës. Si u pa, nuk ishte kjo rruga që u ndoq. Qeveria e Vlorës nuk u njoh, ajo rrëzua dhe u krijua një ngrehinë shteti artificiale, siç ishte regjimi i Princ Vidit.
Në këtë kuptim është me interes të njihemi edhe me qëndrimin që do të mbante më vonë I. Qemali për Vidin. I. Qemali që në fillim ishte shprehur kundër mbretëreshës rumune Elisabeta dhe fushatës së saj për të mbështetur kandidaturën e Vidit. Lajmi për t’i dhënë në dorë fatet e Shqipërisë “këtij celebriteti të panjohur nuk e gëzonte” aspak I. Qemalin, por ajo që e shqetësonte më shumë ishte propaganda që u bë në favor të kandidaturës së tij “me para dhe dhurata që u ndanë me një paturpësi cinike”.
Në përfundim, I. Qemali jepte këtë gjykim:
“Mbretërimi i shkurtër i V. Vidit, – shkruan ai në ‘Kujtimet’, – dallohej më shumë për episode groteske, sesa për masa që mund të shërbenin realisht për riorganizimin e një shteti të ri. Ai nxori në shesh se sa pak kujdes treguan Fuqitë kur zgjodhën këtë sovran, për një vend e ardhmja e të cilit varej nga një zgjedhje fatlume. “Ne shpresonim, – përfundon I. Qemali, – se një Princ me takt dhe me mend (wisdom) do të mund të kompensonte humbjet territoriale që pësoi vendi ynë”.
*Titujt e detajet janë të redaksisë

 

Nga Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu