ARD: Mercenarë rusë në veri të Kosovës

0
742

Dyshimet për praninë e mercenarëve rusë në veri të kosovës janë konfirmuar edhe nga televizioni publik gjerman, ARD.

Në një emision dokumentar, i postuar në webfaqen e këtij televizioni më 8 gusht, ku jepen pamje të rrugëve të bllokuara nga serbët lokalë, është intervistuar edhe një shtetas rus.

Gazetari gjerman thotë se në Veri të Kosovës kriminelët janë bashkuar me politikën, kanë marrë përkrahje nga njerëz jashtë Kosovës, por edhe jashtë Serbisë. Përkrahësit madje po vijnë edhe nga Rusia.

“Kemi ardhur këtu për t’iu ndihmuar vëllezërve serbë. Ne të gjithë jemi një gjak. Jemi të të njëjtit gjak, të njëjtit besim ortodoks dhe të gjithë duhet të jemi të bashkuar t’i ndihmojmë njëri-tjetrit”, ka thënë për ARD një i ri rus, i shoqëruar nga ekstremistë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe persona me fanella të grupit radikal “Srpski Vitezovi”.

Mediat e Kosovës shkruan paradisa ditësh se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) kishte identifikuar mercenarë rusë në veri, të cilët erdhën aty pas aksionit të policisë speciale të Kosovës për të vënë në kontroll pikat kufitare 1 dhe 31.

“Nëpër bllokada në rrugët në veri ka njerëz të armatosur të grupit terrorist Garda e Car Llazarit si dhe mercenarë rusë”, ka thënë për gazetën “Exspress”, një burim nga AKI.

“Këtë e dinë jo vetëm organet kosovare të sigurisë, por edhe ato ndërkombëtare. Fatkeqësisht, strukturat paralele, kryetarët e paligjshëm të komunave në Veri si dhe kriminelët Marko Jaksic, Milan Ivanovic dhe rrjeti i tyre kriminal kanë detyruar edhe qytetarë të thjeshtë serbë të qëndrojnë me orar nëpër barrikada”, ka thënë burimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu