Ardit Gjebrea: “BERISHA HERO” nëpër koncerte, pas vinin thasët me lekë

0
445
Kam dy rrugëzgjidhje, – i thashë Berishës. Me sloganin do të merrem vetë, ndërsa për dizajnin e fushatës duhet të gjejmë një profesionist. Dhe unë e kam gjetur një të tillë.
-Kush është?- pyeti ai.

-Eshtë një dizajner nga Kosova, – i thashë. – Nekra e ka pseudonimin
dhe është nga karikaturistët më të mirë të Kosovës. Ka fituar rreth 30 çmime të para dhe ka shije të mira për dizajn dhe pllakate. Ka parë dhe më shumë fushata se ne, sepse Jugosllavia ka qenë vend më i hapur.
– Si e ka emrin, si e ka?- këmbënguli Berisha.
– Nexhat Krasniqi, – i thashë, – por njihet si Nekra.

-Mirë, sille menjëherë, se s’kemi shumë kohë, – tha Berisha. Dhe vijoi: – Ndërsa slogani më duhet shpejt. Kam ca këtu, që m’i kanë propozuar këta, por s’ma mbushin mendjen.
Kam menduar diçka, – i thashë. – Diçka që të jetë më përfshirës dhe të mos e ndajë shoqërinë në “ne” dhe “ata”.

Fushata spastruese në emër të antikomunizmit dhe retorika e shtuar politike e kishin ndarë thellë shoqërinë. E vetmja gjë që e bashkonte në horizonte, ishte ekonomia. Nëse ajo rritej, nëse njerëzit fitonin, ajo duhej të bëhej kalë beteje.

Koha kur unë e mendoja këtë gjë, ishte në të vërtetë një periudhë e diskutueshme sa i përkiste rritjes ekonomike. Vendi sa kishte nisur të ngrihej nga privatizimet e vogla, ndërsa në horizont ishin shfaqur gjigantët e fajdeve, si: Vefa, Gjallica, Silva, Kamberi e Cenaj, që nuk ishin skema të mirëfillta piramidale, por ishin kompani që po i rrisnin investimet duke u kredituar nga qytetarët dhe që, nëse nuk i bënin eficiente investimet, përfundonin keq.

Berishën e bezdisi përpjekja ime për të shpjeguar motivin që më kishte nxitur të mendoja për sloganin.

-Mos ma shpjego, më thuaj propozimin, – tha ai.
-“Me ne fitojnë të gjithë!”- thashë unë. U mendua një çast.
– I shkëlqyem! – tha. – E ke gjet. Lere, se na shpëtove. Hidhi poshtë këta! – shtoi dhe i shtyu letrat që më kishte vënë përpara. – Ma gjej shpejt këtë kosovarin dhe filloni punë.
U ndamë. Deri në orën 01.00 pas mesnate, më mori disa herë në telefon dhe më komentonte kuptimet e ndryshme të sloganit. E kishte kapur “hilen” që fshihte fjala “fitojnë”, që binte dhe erë ekonomi dhe politikë.

Më vonë, slogani u mallkua shumë. U mallkua sidomos për anatemimin që opozita i bëri si slogan që ka nxitur fajdetë. Madje, njëherë ma përmendi dhe Tritan Shehu me gjysmë shakaje:

– Na more më qafë me atë slogan!
– Unë nuk ju thashë “fitojini të gjitha”, por “fitojnë të gjithë”, – ia preva.
Por Tritani e ka zakon që s’të dëgjon, kur i kthen përgjigje. Qesh dhe ikën.
Nekra erdhi pas dy ditesh. Si një artist eremit, me mjekër të lëshuar si murg i një manastiri, pa pasaportë, maleve të Kukësit, ai kishte depërtuar në Shqipëri. I tregova për punën që duhej të bënim.

Kërkoi një takim me Berishën dhe të nesërmen ishte gati. Mori një fotoreporter dhe kërkoi disa studentë figurantë nga Akademia e Arteve. Pas një javë, ai kishte dizajnuar ndoshta posterat më të bukur dhe më të hareshëm që ka pasur ndonjë fushatë elektorale në Shqipëri.

Këtu nisi dhe një problem. Në Tiranë nuk kishte asnjë shtypshkronjë ofset 70 x 100, që t’i printonte posterat. Sipas Nekrës, më e mira gjendej në Slloveni dhe ai madje kishte siguruar edhe një çmim shumë të mirë. Por nuk kishte pasaportë. Ia gjetëm shpejt e shpejt edhe atë, nje pasaportë shërbimi me afat të kufizuar. Por duheshin edhe lekët. Dhe ishin shumë.

Rreth 50 mijë marka. Fola me Berishën dhe ky më çoi te Tritani. Ky i fundit prapë te Berisha. Ishte një siklet i pamenduar. Në një parti ku paratë hynin e dilnin pa inventar, nuk gjendeshin kurrë pare për punë serioze. Shumica e thasëve me para kishin filluar të shoqëronin karvanin e koncerteve “Vizion 2000”, që u printe Ardit Gjebrea me një shami të lidhur në ballë, ku shkruhej: “BERISHA Hero”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu