Arkivi i CIA: Agjentë të Ballit u rekrutuan me flori nga britanikët

0
795

Dokumenti i Shërbimit Sekret Amerikan i vitit 1949.

Britanikët rekrutuan me flori agjentë nga Balli Kombëtar.

Operacionet kundër guerileve komuniste në kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Në operacionet për të shtypur guerilet komuniste që operonin në Veri të Greqisë pas Luftës së Dytë Botërore, britanikët që mbështesnin qeverinë demokratike të Athinës të sulmuar prej tyre, kanë përfshirë edhe agjentë shqiptarë të rekrutuar nga radhët e organizatës së Ballit Kombëtar. Një fakt i tillë bëhet i ditur në një dokument të Shërbimeve Sekrete Amerikane, të cilat kanë zbuluar në verën e vitit 1949 planin operacional që Shërbimi i Fshehtë Britanik kishte hartuar për infiltrimet e agjenturës së tij në Shqipëri. Të angazhuara në operacionet e tyre kundër regjimit komunist të Tiranës, SHBA-të janë investuar për ta shfrytëzuar planin e britanikëve në interes të lëvizjes antikomuniste, duke nisur me eliminimin e guerileve antiqeveritare greke, për të vijuar me ofensivën kundër qeverisë së Hoxhës. Dokumenti që botojmë sot konfirmon faktin që amerikanët e e vlerësonin planin e operacionit britanik, “VALUABLE”, të ngjashëm me planin e tyre “BGFIEND”. Në gjykimin e tyre, ideja e britanikëve për të rekrutuar me flori agjentë nga radhët e Ballit Kombëtar, që do të infiltroheshin në bazat e guerileve greke në Jugun e Shqipërisë, merrte një rëndësi të dorës së parë. Përtej kësaj, Shërbimet Amerikane projektonin ta përdornin përvojën e këtyre të fundit në zhvillimet e mëtejshme të lëvizjes antikomuniste në vendin tonë. Po çfarë parashikonte konkretisht “Plani mbi Shqipërinë” i Shërbimit Sekret Britanik dhe cilat ishin fazat e operacionit “VALUABLE” ku agjentët e rekrutuar me flori nga radhët e Ballit Kombëtar do të ishin protagonistët kryesorë? Më poshtë, bashkë me memorandumin e shefit të stafit të mbështetjeve operacionale të CIA-s për zbulimin e planit britanik “VALUABLE”, po botojmë të plotë përmbajtjen e tij…

MEMORANDUM PËR PBI
Subjekti: Partneri britanik i BGFIEND (emri i koduar i CIA-s për  operacionin shqiptar.  Shënim i red.)
Ky është plani i operacionit britanik “VALUABLE”,  i ngjashëm me planin tonë BGFIEND. Jam i mendimin se ky i përket dosjeve të PBI.
Firmosur
(nënshkrimi është fshirë sipas ligjit të deklasifikimit amerikan)
Shefi i stafit të mbështetjeve operacionale
PLANI MBI SHQIPERINE
Objektivat
a. Infiltrimi i agjentëve shqiptarë në Shqipërinë e Jugut  të rekrutuar nga radhët e mbështetësve të organizatës së Ballit Kombëtar, të vendosur në kampet e Greqisë dhe mundësisht edhe Italisë. Këta agjentë do të vendosin kontakte me simpatizantë të çështjes në Shqipëri, do të testojnë gatishmërinë e tyre për t’u përfshirë në operacione speciale dhe do të provojnë besueshmërinë e tyre, duke organizuar operacione sabotuese në shkallë të vogël.
b. Nëse rezultatet që do të arrihen nga këto operacione do të jenë të kënaqshme, atëherë të organizohen ndërmarrje kundër linjave të komunikimit dhe bazave të komunistëve që veprojnë në Veriun e Greqisë në një shkallë më të madhe, duke mbështetur aksionet e Ushtrisë Kombëtare Greke për të limituar apo shkatërruar të gjitha mundësitë për strehim dhe mbështetje të gueriljeve komuniste që ata gëzojnë deri më tani në tokën shqiptare.
METODAT
Të formohen grupe infiltrimi me 4 deri në 6 persona, nga të cilët 2 deri në 3 veta duhen të jenë të rekrutuar nga organizata e Ballit Kombëtar. Këto grupe duhet të dërgohen në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut, ku dihet apo shpresohet që mbështetësit e Ballit Kombëtar janë të shumtë. Të gjitha grupet do të pajisen me aparatura radio marrëse-dhënëse, me para, si dhe me armatim me origjinë italiane, nëse do të shikohet si e domosdoshme. Anëtarët e grupeve do të udhëzohen që të marrin kontakte me lëvizjen në zonat ku ata do të caktohen dhe të raportojnë suksesin apo dështimin e operacionit nëpërmjet radio ndërlidhjes.

UDHËZIMET
Udhëzimet për liderët e Ballit Kombëtar do të jenë pak a shumë si me poshtë:
“Ata ( pra, agjentët- shën i red.) janë dërguar si emisarë të britanikëve, të cilët dëshirojnë që të armatosin bandat lokale të guerileve me armë para se ata do të pranojnë që të ndërmarrin sulme kundër bazave dhe rrjetit të komunikacionit që komunistët grekë kanë në Jugun e Shqipërisë. Si garanci për këtë ndërmarrje, britanikët i kanë pajisur ata (grupet e agjenturës-shënim i red.) me flori për fazën e parë të operacioneve, si dhe me një sasi simbolike armësh, të cilat ose emisarët i kanë sjellë me vete, ose i kanë marrë në pikat e caktuara të zbarkimit”.
Nëse liderët lokalë të Ballit Kombëtar kanë predispozicionin për t’u përfshirë në këto operacione për britanikët, atëherë ata duhet të veprojnë si më poshtë:
a. “Të transmetojnë nëpërmjet radiove të emisarëve të gjithë informacionin e mundshëm mbi lëvizjet e komunistëve grekë në territorin e Shqipërisë, si dhe të gjitha ndihmat që ata marrin në Shqipëri.
b. Lideri i tyre lokal apo lideri i grupit duhet të përgatitet për t’u infiltruar në Greqi, ku do të marrë kontakte me britanikët për udhëzime dhe detyra të mëtejshme.
Në këtë fazë nuk është në interesin tonë për të hyrë në asnjë bisedim politik ndërkombëtar, apo për të dhënë premtime mbi angazhimet britanike në të ardhmen. Në një fazë të mëvonshme, nëse ne jemi të suksesshëm dhe Balli Kombëtar do të fuqizohet, është shumë e mundshme që këto çështje do të ngrihen nga bashkëpunëtorët tanë. Sugjerojmë që “këtë urë ta kalojmë kur t’i vijë koha për ta kaluar”
Secila nga grupet e infiltruara duhet të pajiset me koordinatat e një vendkalimi të paracaktuar për të dalë jashtë Shqipërisë, apo edhe për të nxjerrë liderë lokalë të Ballit Kombëtar. Këto operacione për daljen e grupeve nga zonat e tyre për në Greqi të ndërmerren 2 muaj pasi ata janë infiltruar në zonat respektive.

Mendojmë se në fazën e parë, objektivat anti-greke që i kemi caktuar Ballit Kombëtar për të ndërmarrë, si dhe furnizimi me armatime dhe financimi i tyre me flori do të jenë të mjaftueshme për t’i bërë ata që të ndërmarrin operacionet sipas dëshirave tona.

Operacioni i mësipërm do të konsiderohet si një operacion rikonicioni dhe për momentin e kemi të vështirë që të vlerësojmë zhvillimin e tij në të ardhmen, pa parë rezultatet kur ky operacion të fillojë.
Nga 6 grupet e infiltruara, ne kalkulojmë që maksimumi 3 apo 4 prej tyre të kthehen me rezultate të pranueshme pozitive. Do të jetë edhe ky momenti prej ku ne do të fillojmë fazën e dytë të operacionit, ku do të rrisin numrin e infiltrimeve, furnizimit me armatim, si dhe numrin e sabotimeve. Po kështu, do të kemi mundësi të drejtojmë grupet guerile drejt objektivave tashmë të njohura, të cilat do të identifikohen gjatë fazës së parë të operacionit.
(vijon të dielën tjetër)

Ballistët e britanikët, dje armiq sot aleatë

Dokumenti për aleancën me Shërbimet Sekrete Britanike

Plani i fshehtë për operacionet anglo-amerikane në Shqipëri
Në shkrimin e radhës po botojmë pjesën e parë të një dokumenti të rrallë dhe shumë të rëndësishëm, siguruar në Arkivin e Deklasifikuar të Shërbimit Sekret Amerikan. Ai ndodhet në dosjen e vitit 1949 dhe bën fjalë për ngjarjet e verës së këtij viti, kur Shërbimi Amerikan sapo kishte filluar të mblidhte material për të përpunuar një plan operacional kundër Shqipërisë komuniste. Në të, studiuesit e Luftës së Ftohtë do të gjejnë disa të dhëna shumë të rëndësishme për të kuptuar  prapaskenat që zhvilloheshin në sfondin e ngjarjeve të kohës.
Dokumenti shoqërohet me një shënim të çuditshëm nga shefi i stafit për shërbimet operacionale, që lë të kuptohet se amerikanët kishin shtënë në dorë planin operacional që Shërbimi Sekret Britanik kishte hartuar për infiltrimet e agjenturës së tij në Shqipëri. Dokumenti i mësipërm, i cili është akoma i padeklasifikuar në Britani, jep një pasqyrë shumë interesante të interesave britanike në operacionet shqiptare. Në të kuptohet qartë se britanikët ishin shumë më përpara në planifikimet e  operacioneve të tyre, sesa partnerët amerikanë. Jo vetëm kaq, por ata kishin filluar edhe fazën e zbatimit të këtyre operacioneve. Nuk është e qartë se si ky dokument ka rënë në dorën e CIA-s, në mënyrë vullnetare nga Shërbimi Britanik, apo ndonjë person i infiltruar i amerikanëve brenda këtij shërbimi. Gjithsesi, dokumenti prej 20 faqesh është një dëshmi e pakundërshtueshme se britanikët e kanë filluar operacionin e tyre kundër Shqipërisë komuniste si rrjedhim i sabotimit të bazave të komunistëve grekë në territorin shqiptar dhe jo me synimin e qartë për të rrëzuar pushtetin komunist.
Është folur dhe shkruar shumë mbi synimet britanike kundër regjimit të Enver Hoxhës pas Luftës, si dhe angazhimet e tyre për rrëzimin e këtij vendi pro-sovjetik. Gjithsesi, mund të themi se ky dokument, një nga me të hershmit që flet mbi operacionet angleze aq shumë të famshme në historinë tonë, tregon qartë se interesi primar i Shërbimit Sekret Britanik ishte ndihma që mund t’i jepte Ushtrisë Kombëtare Greke në shkatërrimin e gueriljeve komuniste që vepronin në Veriun e Greqisë.  Për këtë arsye, mund të lexojmë qartë se armiqtë e dikurshëm që britanikët kishin shpallur në luftën kundër gjermanëve, organizata e Ballit Kombëtar, tashmë ishte shndërruar në një organizatë nga ku kryheshin rekrutimet për të ndërmarre këto operacione në prapavijën e gjeneralit Markos, që operonte në vargmalin e Gramozit. Armiqtë e djeshëm, sot ishin shndërruar në miq, megjithëse nuk kishin kaluar vetëm 5 vjet nga koha kur kompania balliste e Azis Biçakut kapte rob ushtarakun më të lartë britanik në Shqipëri, gjeneralin David “Trocki”, apo kërkonte për të kapur rob zëvendësin e gjeneralit, kolonelin Arthur Nichols, i cili vdiq nga gangrena në shtëpinë e Ifsan Toptanit.

Nga AURON TARE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu