Armend Zemaj, ne e dimë pse ishe në Kuvend

0
900

Skender Buçpapaj

Armend Zemaj, nipi i Tahir Zemajt, më 26 shkurt 2016 ishte i pranishëm në Kuvendin e Kosovës, në të gjitha seancat e mbajtura atë ditë dhe atë natë. Tê nesërmen, ai iu është përgjigjur sulmeve ndaj tij në mediat sociale, duke u shfajësuar: “Dje isha në anën e shtetit të Kosovës, vota ime dihej”.

Ndoshta Armendi ende nuk e di mirë pse ai ishte në seancat më famëkëqija të Kuvendit të Kosovës. Ai ishte atje si të gjithë të tjerët, si 81 deputetët që morën pjesë në tri raundet e votimeve. 81 deputetët e Hashimit, të Isës e tjerë ishin atje në përpjekje, në orvatje, në tentativë për t’ia plotësuar kuorumin Thaçit, për t’ia bërë atij të vlefshme 61 a më shumë votat që ai do të merrte për t’u zgjedhur president i Kosovës.

Veprimi juaj, që ishit të pranishëm në sallë, në rastin më të arsyetueshëm, ishte një veprim pragmatik. Në rast se votat e Thaçit nuk do të ishin të ligjshme, atëherë Kuvendi do të shpërndahej dhe ju nuk do t’i merrnit më rrogat tuaja si deputetë të Kosovës.

Askush nuk e pranon se ju dhe deputetë të tjerë të LDK-së vepruat në pajtim me bindjet tuaja politike, si institucionalistë, si të interesuar dhe të përkushtuar për shtetin e Kosovës. Prej kur LDK-ja është aleate e PDK-së ka pushuar së qeni parti institucionaliste. Ajo iu është nënshtruar interesave dhe vijës së PDK-së, një parti anti-institucionaliste, një parti që ka ideal të vetëm pushtetin.

Prej vitit 2007 e deri sot LDK-ja i është nënshtruar Hashim Thaçit. Ajo e ka humbur identitetin e saj dhe ka marrë identitetin e PDK-së. Hashimi e ka përsëritur papushim se PDK-ja dhe LDK-ja i përkasin të njëjtit pozicion në spektrin politik, si parti të qendrës së djathtë, kanë të njëjtin program, të njëjtën platformë. Mbetet vetëm ta pohojë edhe Isa se nuk ka pse këto të jenë dy parti, mbasi janë një parti.

Kritikat që iu bëhen ju dhe disa deputetëve të tjerë të LDK-së që muarët pjesë në seanca, ju bëhen sepse opinioni kishte besuar se ju nuk do të ishit pjesë e kuorumit të Thaçit. Ato janë kritika të drejta.

Ishit ju që e fyet elektoratin me veprimin tuaj. Ai mbeti i zhgënjyer nga ju. Prandaj në kritikat ndaj jush kishte edhe ngjyrime fyese.

Ta dini, pra, se askush nuk e përshëndeti dhe nuk do ta përshëndesë praninë tuaj në ato raunde votimesh.

Nga Skënder Buçpapaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu