Arrestime në MPB për riatdhesimin

0
791

(E plotësuar) Kapakun e një shishe e ka shndërruar në taketuke, ndërsa e ka vendosur mbi një tavolinë plastike përreth së cilës janë dy karrige. Kjo tavolinë nuk gjendet në ballkon, por në mesin e një dhome ku po ashtu gjendet edhe një shtrat, një stufë elektrike dhe disa dollapë për vendosjen e enëve. Në korridorin e ndërtesës ku gjendet kjo dhomë është edhe një banjo, e cila në mes të ditës dukej e errët. Në këtë hapësirë që gjendet në lagjen “Bazhdarhane” në Prizren, jeton Shaban Braha, rreth të dyzetave, i cili është në mesin e qindra personave që e ka statusin e të riatdhesuarit në Kosovë.

Ai ka një vit që është kthyer nga Zvicra, ngase është përzënë nga atje, për shkak se nuk ka pasur dokumentacion për qëndrim të mëtejmë në këtë vend. Në këtë banesë, ai është vendosur tash e disa muaj dhe atë pasi që ka fituar statusin e të riatdhesuarit.

Banesën të cilën e shfrytëzon ai është marrë me qira nga Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht nga zyra e patundshmërisë “Iliricym” nga Prishtina, e cila në prill të vitit të kaluar ka nisur implementimin e kontratës së fituar nga MBP në vlerë prej rreth 600 mijë euro dhe me kohëzgjatje prej dy plus një vit.

Rrymën që e shfrytëzon Shaban Braha, por edhe të riatdhesuarit e tjerë- mbi 200 familje sa janë gjithsej, e ka për obligim që ta paguajë MPB-ja derisa furnizimin me ushqim për të riatdhesuarit e ka kontratën kompania “Ben Af”. “Ka më shumë se dy muaj që unë nuk kam rrymë në këtë banesë, ndërsa ushqimi nuk më vjen me rregull”, thotë Shaban Braha, i cili ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Unë kam qenë i martuar me një shtetase të Zvicrës dhe kur erdha në Kosovë në luftë më janë prishur dokumentet. Para katër viteve kam shkuar në mënyrë ilegale dhe më kanë kthyer vitin e kaluar pasi që më kanë gjetur duke punuar ‘në të zezën’”, tregon më tej Shabani.

Nga lufta e fundit ai ka humbur të pamurit gjatë mbrëmjes, por njëkohësisht edhe ka probleme me këmbë ngase disa nga damarët thotë se i ka të pëlcitur.

Për tërë këto halle, ai ka bërë një mori ankesash në MPB, në Komunën e Prizrenit dhe tek organet tjera për të kërkuar ndihmë. Deri më tani ai nuk ka marrë përgjigje, megjithatë vazhdon të ushqehet tek ata që bëjnë “rahmet”, e vazhdon të lahet po ashtu tek ato familje përreth që ia mundësojnë një gjë të tillë.

Policia me kontrolla rutinore

Pos problemeve me rrymë e ushqim Shabani ka edhe një brengë tjetër. Ai nuk po ndihet i qetë në banesën ku gjendet, ngase disa herë tek ai ka qenë në vizitë policia.

“U sollën shumë keq… iu tregova që kam qenë në luftë e ato çfarë kam përjetuar. Vetëm sa më injoruan dhe tentonin që përmes meje të nxjerrin ndonjë raport negativ ndoshta për atë që na ka riatdhesuar. Unë thjesht nuk i di qëllimet për ato sjellje”.

Policia nuk ka shkuar vetëm në shtëpinë ku jeton Shaban Braha nga Prizreni. Me urdhër të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, policët e Kosovës kanë shkuar te dhjetëra familje për të parë mënyrën e jetesës, vendin ku jetojnë, kanë përpiluar raporte të cilat ia kanë dorëzuar Prokurorisë së Qarkut përkatësisht, prokurores Drita Hajdari.

“Kanë ardhur policia e më kanë thënë që të nënshkruaj një raport se kinse kushtet ku jetoj s’janë të mira. Unë s’kam dashur ta nënshkruaj”, thotë një e riatdhesuar tjetër, e cila nga policia është vizituar katër herë që nga koha kur është kthyer në Kosovë.

“Është e vërtetë që unë e kam pasur atë lëndë, por tashmë ia kam dorëzuar kolegut Lulëzim Sylejmani dhe ai është duke punuar në këtë rast”, thotë Hajdari.

“Unë jam duke ndërmarrë veprime hetimore përkitazi me atë nëse është duke u respektuar kontrata për vendosjen e personave të riatdhesuar dhe nuk mund të japë më shumë detaje përkitazi me këtë çështje”, thotë në anën tjetër prokurori Sylejmani.

Prokurorja Hajdari thotë që ka hequr dorë nga kjo lëndë për shkak se për të njëjtën çështje njëkohësisht ka pasur dy lëndë.

Arrestohet zyrtari për ryshfet

Tenderin për akomodimin e personave të riatdhesuar të shpallur nga MPB-ja e ka fituar kompania “Iliricum” dhe kontrata ka nisur të implementohet në prill të vitit të kaluar. Pronarit të kompanisë “Iliricum”, Rexhep Krasniqi, punët nuk i kanë ecur mbarë ngase persona nga Ministria e Punëve të Brendshme i kanë kërkuar të holla gjatë implementimit të tenderit. “Hajde qysh s’po jep pare, e ke marrë tender mbi gjysmë milioni”, i kishin thënë atij disa zyrtarë nga MPB.

Krasniqi kishte kuptuar se hetuesit policorë po dilnin në terren dhe po i “shqetësonin” të riatdhesuarit dhe në bisedë me zyrtarë nga MPB-ja, atij i ishin kërkuar para në këmbim të mosshqetësimit dhe mosprishjes së tenderit. Tërë këto biseda Krasniqi i ka incizuar.

“Kur të lyp Jeton Veliu pare, jepi se është njeri i afërt me Bajram Rexhepin edhe mundet me ta prish tenderin”, është kjo porosia e dhënë në drejtim të Krasniqit nga drejtori i auditimit në MPB, Bashkim Berisha.

Jeton Veliu i cili sipas dokumenteve në MPB, është i punësuar si person që bart postën brenda Ministrisë, kishte shkuar disa herë te Krasniqi dhe i kishte kërkuar të holla. Ai kishte arritur të merrte në disa raste shuma nga 200 deri në 500 euro.

I shqetësuar me këto që po i ndodhnin, Krasniqi kishte shkuar te prokurorja Drita Hajdari. Asaj ia ka ofruar disa nga incizimet e mëhershme, por këto nuk i kanë mjaftuar prokurores për të ardhur deri te një aksion.

“Fillimisht rastin e kam pranuar nga Krasniqi sipas ankesës së tij që vozitësi i Ministrisë po i kërkonte ryshfet. Ai është thirrur në disa incizime të cilat mund të jenë indicie për prokurorinë, por jo edhe prova për gjykatën. Duke u bazuar në këtë, ne e kemi realizuar një simulim ku Jeton Veliu është arrestuar në momentin që po i merrte 400 euro nga Krasniqi”, thotë Hajdari e cila ka intervistuar disa zyrtarë nga MPB-ja derisa lista e zyrtarëve të kësaj ministrie që përmenden në incizimet e ofruara nga Krasniqi, është rreth 15 persona.

“Mendova që kemi të bëjmë me një grup kriminal dhe kam punuar me përkushtim, mirëpo vetëm ai rast i simulimit ishte si provë dhe nuk kishte të tjera dhe për këtë arsye rastin e kam dorëzuar në kompetencë të Prokurorisë Komunale, pasi që kemi të bëjmë me veprën penale të ryshfetit”, sqaron Hajdari.

Vetë Krasniqi nuk dëshiron të komentojë përkitazi me ryshfetet e kërkuara nga zyrtarët e MPB-së dhe për kontratën në përgjithësi ngase shton se është duke punuar me përkushtimin më të madh për zbatimin e kontratës që e ka për obligim derisa çështjet e tjera ia ka lanë në duar avokatit të angazhuar dhe organeve kompetente.

Paraburgim për “piunin” e ministrit

Edhe Bashkim Berisha, drejtor i prokurimit në MPB, nuk komenton mbi shtytjen që ia ka bërë Rexhepi për t’i dhënë para Jeton Veliut, i cili në ministri njihet si person i afërt me ministrin Bajram Rexhepi. “Veliu është piun i ministrit. Edhe punët private ai ia ka kryer dhe ka qenë xhoker për gjithçka”, thotë një zyrtar në MPB.

Bshkim Berisha pranon se është audituar procesi i riatdhesimit por në momentin që pyetet rreth lidhjeve të tij me të arrestuarin, ai nuk flet.

“Unë nuk jam në gjendje të përgjigjem për këtë që pyesni”, thotë ai i kontaktuar nga gazeta. Jeton Veliu është arrestuar më 21 mars të këtij viti dhe arrestimi i tij është mbajtur fshehtas. Ai është mbajtur për një muaj në paraburgim, ndërsa tashmë gjendet në arrest shtëpiak. Lënda e tij është në duart e prokurorit komunal, Ymer Beka, i cili ka ngritur propozim akuzën me numër PP.nr.1628/12.

Ai në ndërkohë është suspenduar nga puna, por suspendimi i tij sipas sekretarit të MPB-së, Ilhami Gashi, nuk ka të bëjë asgjë me procesin e riatdhesimit. “Ai është suspenduar për disa çështje të tjera dhe nuk ka të bëjë me riatdhesim”, ka thënë sekretari.

Arrestimi i tij dhe tashmë kalimi i lëndës në kompetencë komunale nuk ka arritur qëllimin e Krasniqit për zbulimin e tërësishëm të ryshfeteve të kërkuara dhe për këtë arsye mbrojtësi i tij, avokati Tomë Gashi, ka bërë me dije se lënda është në shqyrtim edhe nga misioni EULEX.

“Klienti im mendon se prapa Jeton Veliut qëndrojnë zyrtarë më të lartë të MPB-së dhe për këtë arsye është i pakënaqur me punën që ka bërë prokurorja Drita Hajdari”, thotë Gashi.

“Klienti im është i shokuar tej mase ngase prokurorja e ka udhëzuar si të veprojë, duke i fotokopjuar monedhat në zyrën e saj dhe ato monedha ia ka dhënë zyrtarit të MPB-së në formë ryshfeti. Klienti im duke besuar se do t’i sigurojë mbrojtje ligjore dhe fizike ka pranuar që në trupin e tij të vërë përgjues ku edhe është incizuar biseda me personin e arrestuar dhe prokurorja tashmë thotë se nuk ka prova”, thotë Gashi.

Dorëzohet MPB-ja

Në lidhje me arrestimin e zyrtarit të MPB-së, sekretari Ilhami Gashi, nuk preferon të flasë ndërsa pranon se procesi i riatdhesimit u ka dalë të jetë i komplikuar dhe pranon se për dyshimet eventuale vetë kanë kërkuar ndihmën e hetuesisë dhe të prokurorisë.

“Ne sot në bisedë me ministrin kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të formohet një agjenci e pavarur për menaxhimin me procesin e riatdhesimit për shkak se ne nuk kemi arritur të jemi të mirë”, ka sqaruar Gashi.

Ai ka shtuar se janë mbi 3 mijë persona që kanë përfituar në riintegrim benificione të ndryshme nga MPB-ja, ndërsa mbi 200 familje që janë duke shfrytëzuar banesat me qira nga kontraktuesi. “Ne e kemi për obligim të paguajmë faturat, por ka banesa që është trashëguar borxhi i vjetër dhe ne nuk mund të bëjmë pagesa të tilla”, thotë Gashi duke konfirmuar se 95 për qind e familjeve të riatdhesuara sipas raporteve të nxjerra janë duke jetuar në kushte të mira derisa vetëm 5 për qind e tyre kanë ankesa.

E Shaban Braha e shumë të riatdhesuar të tjerë do të presin derisa qeveria të vendosë se çfarë strategjie i shkon për shtati Kosovës. Nëse vazhdon të jeton në terr, atij i shkoi mendja që të emigrojë sërish.

“Nëse edhe njëherë shkoj, më nuk kthehem. Unë erdha në luftë i pari, e mbeta i fundit”, përfundon Shaban Braha.

 

Nga Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu