Arrestime për të bërë “zhurmë”

0
563

Arrestimi i më shumë se njëzet personave, shumica prej tyre shqiptarë, nga policia maqedonase, ka tensionuar jashtëzakonisht shumë situatën në Maqedoni. Kjo situatë madje, ka frikësuar komunitetin shqiptar që jeton në këtë vend.

Në grupin e të arrestuarve, që dyshohen se i kanë vrarë pesë të rinjtë maqedonas një muaj më parë, më së shumti ka të moshuar, pensionistë, pleq, plaka dhe vajza të reja.

Siç kanë raportuar mediet nga shteti fqinj, në mesin e të arrestuarve është ish-zdrukthtari Qani Aziri, gjashtëdhjetekatërvjeçar, vëllai i tij, Fejzi Aziri, pesëdhjetëvjeçar, i cili është bujk me profesion, Haki Aziri, tridhjetedyvjeçar, që punon si shofer kamioni.

Madje, policia maqedonase ka arrestuar edhe shtatë femra, ndër to edhe gjashtëdhjetëvjeçaren Feride Bilalli, e cila, siç është raportuar, jeton e vetme në shtëpi meqenëse djemtë i punojnë në shtetet perëndimore.

Kohë më parë, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka deklaruar se “ata (vrasësit) janë shumë mirë të stërvitur dhe me motive shumë të larta që nuk janë parë ndonjëherë”, ndërsa, mediet shqiptare në Maqedoni të mërkurën kanë parashtruar pyetjet se si ka mundësi që gratë dhe pleqtë të jenë të stërvitur për të bërë vrasje të tilla.

Derisa të arrestuarit janë mbajtur në qendra të ndryshme policore, familjarët e tyre kanë kërkuar që ata të lirohen sa më parë, ndërsa janë shprehur të bindur se ata nuk kanë të bëjnë asgjë me vrasjen e mëhershme të pesë qytetarëve maqedonas.

Por, pavarësisht nga kjo ngjarje, të mërkurën nuk kanë reaguar asnjëra nga partitë shqiptare në Maqedoni, qofshin ato që janë në pushtet apo ato në opozitë.

Zëdhënësi i partisë opozitare, Partia Demokratike Shqiptare, Agon Ferati, i ka thënë “Zërit” nëpërmjet telefonit se kjo parti nuk mund të japë qëndrim, meqenëse situata aktuale është shumë kontradiktore.

Por analisti shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, gjatë një bisede për “Zërin” ka thënë se shqiptarët tashmë janë mësuar me situata të ngjashme me atë të fundit.

“Shqiptarët duhet të pyesin veten se sa janë të mbrojtur nga dhuna institucionale dhe kush duhet t’i shpëtojë nga roli i fajtorit kujdestar. Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë e kurrë nuk do jenë antiperëndimorë. Ata ngërthejnë në vetvete ylberin shumreligjioz, e s’kanë pse të vuajnë nga fajësia kolektive për cilindo lloj të radikalizmit. Pastaj jo sot, por qysh në kohët e Millosheviqit është bërë çmos që shqiptarët e këtyre anëve të barazohen me radikalizmin islam. Andaj nëse i shikoni vëmendshëm incizimet e policisë gjatë arrestimeve, do vëreni me çfarë pompe paraqiten fotot e luftëtarëve të UÇK-së, ku nuk ka asnjë simbol religjioz por vetëm kombëtar”, ka thënë ai.

Ndërsa, për analistin kosovar, Belul Beqaj, arrestimet e fundit janë si pasojë e trysnisë së opinionit dhe përgjegjësisë së madhe që ka pushteti, siç thotë ai, ndaj aktit kriminal me porosi të shumta ogurzeza.

“Situata mund të tensionohet vetëm nëse në vend të kriminelëve të vërtetë arrestohen kriminelët e supozuar vetëm sa për të arsyetuar veten pushteti. Nëse hetimet e pavarura, të cilat po monitorohen edhe nga BE-ja tregojnë se janë duke gjurmuar në drejtim të duhur, besoj se është interes i të gjithëve që ta dënojmë krimin. Në të kundërtën kriminelët do të mbeten të lirë, dhe derisa ata janë të lirë atëherë çdokush mund të ndihet i kërcënuar duke shëtitur në korzo, nëse është duke mbjellë në fushë, duke luajtur, apo duke zënë peshk”, thotë Beqaj.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu