Policia e Kosovës ka vazhduar të arrestojë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje pas aktiviteteve të fundit që kanë zhvilluar këta të fundit për ta kundërshtuar nënshkrimin e marrëveshjes së fundit për AKS’në në Bruksel.
Rreth orës 10:00, LVV ka njoftuar se është arrestuar aktivisti i tyre nga Gjakova, Ngadhnjim Haxhosaj. Sipas tyre, Haxhosaj është kapur në vendin e tij të punës.
“Sot, rreth orës 10:00 u arrestua në Gjakovë aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Ngadhnjim Haxhosaj, derisa ishte duke punuar në vendin e tij të punës.
Ndërkohë që qendra jonë në Gjakovë po përgatitet për organizimin e tribunës kundër “Zajednicës”, Policia po i kërkon për t’i arrestuar edhe disa aktivistë të tjerë nga Gjakova.
Sinjalet që po i dërgon Isa Mustafa, se kushdo që e kundërshton “Zajednicën” do të arrestohet, do t’i kthehen mbrapsht me organizim qytetar që do ta shkarkojë cilindo politikan që është i gatshëm t’ia imponoj popullit ndarjen etnike”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.