Artan Didi: Iku koha e Tanzimatit

0
904

Ka ardhur koha të marrë fund policia e kohës së Tanzimatit, kur policia vetëm vilte gjobat”. Kreu i ri i Policisë së Shtetit, Artan Didi ka dashur ta cilësojë në këtë formë, rikthimin e tij në krye të Policisë së Shtetit. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, Didi ka treguar objektivat e policisë, ndryshimet që do të prekin policinë, si dhe arsyen se pse ai vendosi të rikthehej në këtë detyrë të mohuar prej kohësh.
Cilët do të jenë objektivat tuaj në krye të Policisë së Shtetit?
Objektivat për veprimet policore dhe shërbimin policor, do të jenë të tilla që policia të jetë pranë komunitetit, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të shoqërisë, pranë shoqërisë, sepse kështu duket sikur është një kaos, do të jetë një polici që e ka partnere dhe do të bashkëpunojë me shoqërinë civile. Do të kemi një model të ri të policisë, që do ta zbatojë vetë ligjin, vetëm duke qenë një polici që e njeh ligjin dhe që e zbaton vetë atë, do të jetë një polici që më së miri dhe me përgjegjshmëri do të kërkojë edhe zbatimin e ligjit nga qytetari. Neve si objektiv kryesor, duke pasur parasysh që ky nuk është vetëm objektivi ynë, por edhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë, kemi një luftë të ashpër dhe të papajtueshme kundër krimit të organizuar, trafiqeve të lëndëve narkotike, trafiqeve të qenieve njerëzore, pastrimit të parave, korrupsionit, krimit ekonomik, sepse lufta ndaj këtyre fenomeneve do të jetë çelësi që do të çojë në përmirësimin e policisë sonë, do të jetë çelësi që do të afrojë policinë tonë drejt dyerve të botës.
Çfarë do ndryshojë në Policinë e Shtetit nën drejtimin tuaj, gjë që nuk është bërë nga drejtuesit e mëparshëm?
Unë mendoj dhe besoj se do të jetë një polici ndryshe, në kuptimin që, do jetë më qytetare, më profesionale. Dhe kur them kështu, e kam fjalën që në pamjen e jashtme të uniformave të policisë, e cila tashmë nuk do të shihet më me përçmim, por punonjësi i policisë do të jetë në shërbim të qytetarit. Ka ardhur koha që qytetari të mos e shohë punonjësin e policisë me mospërfillje, por me respekt. Ka ardhur koha që të marrë fund periudha kur policia ishte rikthyer në kohën e Tanzimatit, kur të gjithë kishin vetëm një synim, atë të vjeljes së gjobave. Tashmë policia do t’i ketë sytë jashtë xhepave dhe dyerve të bizneseve.
Si vendosët të riktheheshit në krye të Policisë së Shtetit?
Në fakt, unë kam vite që e bëj këtë propozim, që të vij në këtë detyrë që jam. Unë e kam bërë vetë propozimin për t’u rikthyer në krye të Policisë së Shtetit, që pas periudhës kur mua dhe shumë specialistë të tjerë na larguan pa të drejtë nga policia dhe na degdisën në zona dhe skuta shumë të largëta.

 

Nga: Aurora Koromani

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu