Arvizu tek Berisha: “Mos ndërhyni në KQZ, do përplaseni me SHBA”

0
806

Ambasadori amerikan i bën thirrje mazhorancës që të mos ndërhyjë në punën e KQZsë. “Struktura ekziston, e rëndësishmja është që KQZ-ja të lejohet që të kryejë punën e saj”

Ndërhyrja e politikës në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas SHBA- ve, cenon, jo vetëm procesin e 23 qershorit, por edhe marrëdhëniet që Shqipëria ka me ndërkombëtarët. Është kjo deklarata e bërë dje nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili i bëri thirrje partive politike, e veçanërisht mazhorancës, që të mos ndërhyjnë në punën e KQZ-së. Takimi me Berishën Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë nuk është mjaftuar me kaq, në mbrëmje, para votimit në Parlament të shkarkimit të anëtarit të LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho, ka shkuar për të takuar kryeministrin Sali Berisha në zyrën e tij. Arvizu ka zhvilluar një takim urgjent me Berishën në një përpjekje për ta bindur që të tërhiqet nga kjo nismë. Ambasadori amerikan ka biseduar gjatë mbrëmjes së djeshme rreth 45 minuta, duke i kërkuar atij të mos ndërhyhet në KQZ si dhe i ka kërkuar atij të negociojë me opozitën sa i përket kësaj çështjeje. Në qendër të takimit kanë qenë zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë tek lëvizjet që kryeministri ka planifikuar në KQZ pas largimit të LSI-së nga koalicioni qeverisës. Ambasadori Arvizu, mësohet se i ka kërkuar Berishës që procedura të vijojë sipas Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Kryeministri i ka shpjeguar ambasadorit Arvizu se procedura që po ndiqet për heqjen e anëtarit të KQZ-së është konform ligjit dhe Kushtetutës dhe se do ta votojnë në Parlament shkarkimin e Muhos pasi ka kryer shkelje dhe nuk e ka bërë transparente gjatë periudhës së shqyrtimit të kandidaturës së tij në Komisionin e Ligjeve një vit më parë. Ndërkohë gjatë paradites, ambasadori Arvizu deklaroi se: “Nuk mendoj se ka njeri që do të donte një vendim apo veprim, që do ta vendoste Shqipërinë në rrugën e përplasjes me SHBA-të. Sepse synimi këtu, objektivi janë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Arvizu pas aktivitetit me temë “Fuqizimi ekonomik i personave me aftësi të kufizuara”, që u mbajt paraditen e djeshme në Vorë. Përgjegjësia e KQZ-së Ndërsa duke u ndalur tek pavarësia dhe përgjegjësia e KQZ-së për të organizuar zgjedhjet e 23 qershorit, diplomati amerikan theksoi se KQZ-ja është ngritur dhe mandatuar siç duhet dhe ligjërisht. “KQZ-ja ka përgjegjësinë parësore për të zhvilluar zgjedhjet e 23 qershorit. KQZ-ja është ngritur dhe mandatuar siç duhet dhe ligjërisht. Ai është institucioisht ni përgjegjës për zhvillimin e zgjedhjeve dhe, si i tillë, është me rëndësi që pavarësia e këtij institucioni të respektohet. KQZ-ja duhet të jetë e lirë nga çfarëdo ndërhyrjeje nga ndonjë individ, nga ndonjë institucion, dhe këtu përfshihet edhe Kuvendi i Shqipërisë”, tha Arvizu. Thirrja e ambasadorit Në prononcimin e tij ambasadori komentoi edhe situatën e krijuar me largimin e Ilir Metës nga qeveria Berisha. Sipas tij, ndryshimi i rregullave në mes të procesit nuk i shërben besimit të zgjedhësve dhe se do e dëmtonte procesin zgjedhor. “Pozicioni i SHBA-ve është që KQZ-ja, siç është e ndërtuar aktual- institucioisht, ka jo vetëm kapacitetin, por edhe përgjegjësinë për të trajtuar çështjet që lindin nga administrimi i zgjedhjeve. Dhe kjo, sigurisht, përfshin edhe pse nuk kufizohet vetëm në përbërjen e 89 KZAZve. Me fjalë të tjera, struktura ekziston, e rëndësishmja është të lejohet KQZ-ja që të kryejë punën e saj. Është e qartë që do ketë diskutime, negociata, por ky është thelbi i çfarëdo shoqërie demokratike. Marrja dhe dhënia politike, ndodh në çdo demokraci funksionale dhe, që demokracia shqiptare të ketë sukses, ka nevojë që kjo të ndodhë edhe këtu. Pika e fundit që do ngrija dhe mund të kemi kohë për një ose dy pyetje, është që së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, ajo që kemi theksuar në mënyrë vazhdueshme dhe të përsëritur, është apeli për të gjithë personalitetet, për të gjitha institucionet, për njerëzit në qeveri, për njerëzit në opozitë, të veprojnë në mënyra që rrisin besimin e njerëzve, jo vetëm, tek rezultati, por tek procesi, në mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet. Pra, është një thirrje shumë e thjeshtë dhe bazike që e kemi bërë dhe, ndryshimi i rregullave në mes të lojës, në mes të procesit, është pikërisht mënyra e gabuar për të frymëzuar besimin për të cilin flasim”- u shpreh Arvizu.

 

Nga: Herion Mesi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu