As Presidentja e vendit se viziton Familjen Jsharaj në Prekaz

0
404

Vizita “blic” e presidentes Atifete Jahjaga në Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz, ka ngjallur reagime nga qytetarët e komunës së Skenderajt dhe shoqatat që përfaqësojnë ish-guerilët e UÇK-së, të cilët të paren e shtetit e konsiderojnë si të pamatur dhe mosmirënjohëse.

Nxitimi për të vendosur lule te varri i komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari, pa bërë lëvizje nëpër kompleksin e varrezave, siç bëjnë zakonisht të gjithë ata që nderojnë sakrificën e Jasharëve, e sidomos refuzimi për t’u kthyer në Kullën e Jasharëve, nga qytetarët e komunës së Skenderajt është konsideruar si veprim jo i drejtë.

Madje dy ditë pas vizitës, ata derdhin vrer mbi presidenten, duke konsideruar se ajo “ ka ardhur në krye të shtetit pa merita”.

Vetë familjarët e ish-komandantit legjendar Adem Jashari shprehen të rezervuar ndaj vizitës së Jahjagës. Bilall Jashari, kryetar i lagjes, tha se krejt çka ka pasur, e ka thënë Murati, andaj edhe nuk ka dëshiruar të bëjë komente shtesë, ndërkohë një tjetër banor i kësaj lagjeje, Jashar Jashari, gjithashtu është shprehur i rezervuar.

Ai vetëm tha se nuk është ndjerë mirë, por ripërsëriti qëndrimin se Jasharët janë të matur në deklarata.

Mihrije Shala, një qytetare që kishte shkuar në Prekaz për të nderuar komandantin legjendar Adem Jashari dhe dëshmorët e tjerë, në Ditën e pavarësisë së Kosovës, tha se kishte pritur me padurim të vijë presidentja.

“Kur dëgjova se po vjen, u gëzova dhe vendosa ta pres atë. E kam pasur një respekt për të, kam menduar se është e zonja, por më zhgënjeu. U soll me mendjemadhësi, madje nuk përgjigjej as në urimet tona për 4-vjetorin e pavarësisë..”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, Hisni Ngucati, kryetar i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës në Skenderaj, është shprehur me pezëm për presidenten. “Ajo e ka injoruar gjakun e dëshmorëve të Jasharëve, para së gjithash. Nuk i respektoi dëshmorët deri në fund iku sapo vendosi lule te varri i komandantit. U kënaq vetëm me kaq, ndërsa nuk lëvizi fare nëpër kompleksin e varrezave, për t’i nderuar edhe dëshmorët e tjerë të Jasharëve. Ky është mohim i sakrificës së Jasharëve”, konsideron ai.

Kupa është mbushur, sipas tij, kur ajo nxitoi për t’u larguar nga Prekazi. “As që e ktheu kokën nga kulla e Jasharëve, të paktën për t’i parë gjurmët e një lufte të madhe që bëri komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998”, thotë ai.

Ndërkaq, Brahim Misimi, sekretar i degës së Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, tha se “presidentja Jahjaga kishte ardhur në Prekaz me zor”. “Ajo erdhi në Prekaz sa për sy e faqe, për mos me thanë që nuk qe në Prekaz. Ngutej shumë, nuk e shihte askënd, madje as ata pak qytetarë që e nderonin. Ajo nuk pati gojë për t’i thënë as edhe dy fjalë. Secili president që ka vizituar Kompleksin Memorial, gjithmonë ka shkuar edhe në familjen Jashari”, thotë ai.

Të gjithë, sipas Misimit, gjithmonë janë shprehur mirënjohës për këtë familje, përveç Atifetes, e cila “siç duket nuk është fare e vetëdijshme për funksionin që mban dhe i cili e obligon atë për t’i respektuar vlerat e luftës dhe kontributin e dëshmorëve të kombit”.

Në anën tjetër, kryetari i degës së Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Haki Aruçi, gjithashtu e ka vlerësuar presidenten Jahjaga si të padenjë për ta udhëhequr shtetin. “Me një këso qasjeje ndaj një familjeje që ka dhënë 20 anëtarë për lirinë e vendit, ndaj një familjeje që këputi hallkat e robërisë dhe Kosovën e nxori nga okupimi shekullor, ajo nuk e meriton fare të jetë aty ku është”, konsideron ai.

Qytetarët, sipas tij, nuk harrojnë atë që i bëjnë politikanët. “Ata mbajnë mend për sjelljet e gjithsecilit, qoftë ai edhe president, kryeministër apo lider politik. Gjaku i derdhur na obligon të gjithëve, por ka të atillë që nuk e ndjejnë këtë obligim, në mesin e të cilëve është edhe znj. Presidente”, ka deklaruar Aruçi.

 

Nga, Kajtaz Gecaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu