Atentatori i Sarajevës: Hero apo terrorist?

0
882

100 vjet pas atentatit ndaj princit trashëgimtar austro-hungarez në Sarajevë, që pasoi me Luftën e Parë Botërore, opinionet në Bosnje-Hercegovinë për Gavrilo Princip janë ende të ndara. Një vështrim në të dy kampet.

Sa më shumë që afrohet 100 vjetori i atentatit të Sarajevës, aq më shumë ndizen ndjenjat nacionaliste në Bosnje dhe Hercegovinë. E kjo nuk është për t’u çuditur, sepse në vendin që ende vuan pasojat e luftës nga viti 1992 deri në 1995, boshnjakët, siç emërtohen myslimanët boshnjako-hercegovinas, serbët dhe kroatët, në mos me urrejtje, ende e shohin me dyshim njëri-tjetrin. I tillë është edhe vështrimi në histori. Varësisht se cilën anë përkrah dikush, ashtu edhe interpretohet atentati i 28 Qeshorit 1914 ndaj princit trashëgimtar austro-hungarez Franz Ferdinandit në Sarajevë. Plumbat vdekjeprurës të atentatorit serb Gavrilo Princip konsiderohen si shkaku që solli ndezjen e tragjedisë së Luftës së Parë Botërore, e për këtë arsye kanë një rëndësi të madhe për botëkuptimin e serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Një kalimtare në Mostar thotë se “opinionet për Princip janë të ndryshme”. “Mendoj se Princip me ndërgjegje apo jo ka punuar për interesat serbe. Ai u armatos nga “Dora e Zezë”, një grupacion i fshehtë i nacionalistëve serbë, që i merrte urdhrat nga shërbimi sekret serb, e në fund veç princit, ai vrau edhe një grua shtatzënë, për mendimin tim një akt terrorist.”

Interesa të ndryshme – interpretime po kaq të ndryshme

Gavrilo Princip

Jo vetëm mes etnive të ndryshme ekzistojnë qëndrime të kundërta për atentatin. Një shekull më pas liderët nacionalistë në Bosnje përpiqen të nxjerrin kapital politik nga debati për rolin e atentatorit. Pasi në vjeshtë 2014 në vend zhvillohen zgjedhje, dhe ky vit përkujtimor u vjen për shtat disa politikanëve për të forcuar pozicionet e tyre. Disa politikanë serbë kanë bërë të ditur se duan t’i ngrenë Gavrilo Principit një përmendore në Beograd dhe në pjesën lindore të Sarajevës. Ndërsa politikanët boshnjakë duan t’i ngrenë një përmendore princit trashëgimtar të vrarë, Franz Ferdinand në Sarajevë. Të dyja palët i referohen historë, por shpesh në mënyrë të njëanshme dhe selektive. Faktet historike dhe të vërtetat nxirren nga konteksti i duhur dhe përdoren për qëllime të caktuara.

“Për shkak se elita boshnjake është e paaftë të përmirësojë gjendjen aktuale ekonomike dhe politike të qytetarëve të saj, ata konkurrojnë tani të ndryshojnë historinë e përbashkët. Atentati është vetëm një element i deformimeve dhe manipulimeve që i bëhn historisë së Bosnjes, me të cilën oligarkia sunduese nacionaliste legjitimon vetveten”, interpreton debatin aktual gazetari i Sarajevës, Senad Pećanin.

Në një intervistë me Deutsche Wellen analisti thekson se “ata që himnizojnë sundimin otoman, shohin tek Gavrilo Princip paraardhësin e drejtpërdrejt të Radovan Karadxhiçit dhe Ratko Mladiçit. Të tjerët, që kujtojnë idealizmin tragjik të atentatorit, harrojnë që grupi “Dora e Zezë” ka qenë një instrument i realizimit të hegjemonisë serbe. Në grindjen mes dy kampeve, Gavrip Princip përdoret nga dy palët e me këtë edhe mundësia për të vëzhguar me kthjelltësi faktet e historisë.”

“O bashkim o vdekje”

Pak para atentatit ndaj princit trashëgimtar austro-hungarez në Sarajevë

Me këtë lidhet edhe pyetja e debatuar nëse Gavrilo Princip ka qenë një terrorist, hero, apo viktimë e indoktrinimit serbomadh? Ka punuar organizata “Bosnja e re”, anëtar i së cilës ishtë edhe Princip, për ambiciet serbomadhe nën mantelin mbrojtës të Jugosllavisë? Sa influencë kishte tek organizata “Bosnja e re”, grupi “Dora e Zezë”, që njihej edhe nën emrin “O bashkim o vdekje”? Edhe për këto pyetje merr përgjigje nga më të ndryshmet sot nga historianët.

Sipas gjasave nuk ka prova që “Dora e Zezë” kishte lidhje direkte me qeverinë serbe, edhe pse dihet që kjo organizatë kishte si liderë, njerëz që njiheshin si pjesëtarë të elitës së pushtetit atëherë. Drejtuesi i grupit ishte Dragutin Dimitrijevic, i njohur si Apis, nga i cili komplotistët e Sarajevës merrnin armët. Profesori në Fakultetin e Historisë, Edin Radušcić thekson : “‘Dora e Zezë’ ishte një organizatë nacionaliste serbe dhe për shkak të akteve të dhunshme edhe një organizatë terroriste. Kjo organizatë bënte paradë me një lloj jugosllavizmi, që në thelb synonte dominancën serbe.”

Debat i hapur

Grafikë: Atentati ndaj princit Franz Ferdinand

Historiani boshnja, Tomislav Išek kundërshton: “Qarqe të caktuara e përdorën këtë rast për t’ia kaluar përgjegjësinë për Luftën Botërore vetëm njërës palë. Ndërkohë që atentati ishte vetëm një pretekst për një luftë që ishte përgatitur të bëhej. Qeveria serbe nën Nikola Pašićin ishte absolutisht kundër luftës”, thotë historiani.

Se sa të ndryshme janë qëndrimet për atentatin e Sarajevës e tregon edhe një vështrim në portalet e njohura të internetit. Kryeredakroti i faqes “buka” – Trazimi – Aleksander Trifunović thotë se në Bosnje Hercegovinë tek njerëzit ke akses vetëm me emocionet e për këtë nuk lihet rast pa u përdorur. “Riinterpretimi e ndryshimi i vazhdueshëm i historisë tregon se sa e pazhvilluar është shoqëria jonë.” Ndërsa redaktori i faqes “neznase” – “nuk dihet” shkruan se “historia e ngritjes së një përmendoreje për Franz Ferdinandin është një përgjigje primitive e historisë po aq idiote të ngritjes së përmendores për Gavrilo Princip.”

Serbia e feston Gavrili Princip si hero

Në Serbi nuk ka debat se kush e çfarë ishte Princip. Në këtë vend ai konsiderohet hero. Aleksandar Becić, redaktor dhe themelues i portalit të internetit “kolumnista” thekson për Deutsche Wellen: “Askush nuk e percepton Principin si terrorist, por vetëm si një hero, që mbante idealin e lirisë në vetvete dhe luftoi për të.”

Duket se historia e atentatit të Sarajvës ende nuk ka marrë fund. Dhe se hendeku mes etnive të ndryshme lidhur me aktin e kryer nga Gavrilo Princip sot është më i thellë se para 100 vjetësh.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu