“Athina të dorëzojë Naum Dishon”

0
614

Aleanca Kuq e Zi reagon me forcë ndaj deklaratës së Ministrit të Jashtëm grek, Stavros Dimas, i cili e konsideroi dënimin me një vit burg të Naum Dishos, për dhunimin e varrezave në Boboshticë, si një akt të turpshëm të drejtësisë shqiptare. Aleanca Kuq e Zi e konsideroi si të turpshme edhe sjelljen e Tiranës zyrtare, “që heshti përpara kësaj përdhosjeje të radhës së identitetit dhe dinjitetit kombëtar”. Duke iu drejtuar autoriteteve greke, Aleanca i kërkoi Athinës që “të distancohet nga dhunuesit e varreve dhe të dorëzojë Dishon, për të vuajtur në Shqipëri dënimin e dhënë më parë nga Gjykata e Korçës”. Sipas Aleancës Kuq e Zi, ministri grek fyeu drejtësinë shqiptare, ndërsa Athina vijon të ndërhyjë në sovranitetin e vendit. Ndërkohë, Aleanca Kuq e Zi e cilëson si turp mosreagimin e diplomacisë shqiptare në lidhje me deklaratat e ministrit grek. “Athina digjet, diplomacia greke krihet. Ndërhyrja e Athinës është precedent unik. Turp heshtja e diplomacisë shqiptare. Tirana zyrtare heshti përpara kësaj përdhosjeje të radhës së identitetit dhe dinjitetit kombëtar”, theksohet në deklaratën e Aleancës. Dimas, në një seancë parlamentare në Athinë tha se “ne kemi deklaruar tashmë në mënyrë të përsëritur se dënimi i Naum Dishos me një vit burg është një zhvillim i turpshëm për marrëdhëniet e minoritetit grek etnik në shtetin shqiptar, duke prekur, pa dyshim dhe marrëdhëniet e dy vendeve”. Kreu i Omonia-s për Korçën, Disho u dënua më parë gjatë vitit me një vit heqje lirie për dhunimin e varrezave të Boboshticës, me qëllimin e ngritjes së një kryqi për dy ushtarë grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vendimi u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, por ai u largua nga vendi pak ditë përpara se të ekzekutohej dënimi dhe besohet se ai ndodhet në Greqi, nën mbrojtjen e shtetit grek.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu