Auditori gjen se qeveritë e kaluara kanë bërë shpenzime të panevojshme rreth 49 milionë

0
92
Auditori gjen se qeveritë e kaluara kanë bërë shpenzime të panevojshme rreth 49 milionë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Organizimi dhe menaxhimi i investimeve të teknologjisë së informacionit në institucionet publike”.

Raporti nxjerr përfundimin se mungesa e organizimit dhe koordinimit mes institucioneve publike ka mundësuar zhvillimin e projekteve paralele në fushën e teknologjisë së informacionit si dhe ka krijuar shpenzime të panevojshme.WERBUNG

Në auditim janë përfshirë ministria e Zhvillimit Ekonomik, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, ministria e Financave me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës, ministria e Punëve të Brendshme me Agjencinë e Regjistrimit Civil, si dhe Komuna e Pejës dhe Komuna e Prizrenit.

Institucionet e Kosovës, sipas ZKA-së, gjatë periudhës 2015-2018, kanë shpenzuar rreth 49 milionë euro në teknologji të informacionit, mirëpo rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet e audituara nuk kanë arritur të sigurojnë qeverisje të mirë në këtë fushë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka arritur të miratojë Strategjinë e Qeverisjes Elektronike e cila është hartuar nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit. Në mungesë të saj, Qeveria nuk ka një plan të prioriteteve për investime në fushën e TI-së. Pasi që menaxhimi i shërbimeve të teknologjisë së informacionit në sektorin publik është i decentralizuar, në nivel të institucioneve apo departamenteve brenda institucionit, ka dyfishim të roleve si dhe këto njësi nuk kanë bashkëpunim mes veti që ka rezultuar me investime të panevojshme. Për më tepër, nuk ka regjistër të projekteve të TI-së, si në nivel shtetëror apo në nivel të organizatave buxhetore. Mungesa e regjistrit të plotë të shpenzimeve e pamundëson identifikimin e saktë të gjendjes ekzistuese”, ka thënë ZKA-ja në raportin e fundit.

Në raport është konstatuar që institucionet publike të audituara kanë hyrë në investime pa bërë identifikimin e nevojave për projekte, pa analiza të fizibilitetit për zhvillimin e projekteve si dhe pa bërë hulumtim të çmimeve të tregut.

Po ashtu, ZKA-ja thotë se ka mungesë të theksuar të bashkëpunimit ndërmjet ministrive për shfrytëzim më optimal të infrastrukturës së TI-së e cila ka rezultuar me shfrytëzim jo-optimal të pajisjeve të TI-së, menaxhim jo të mirë të shërbimeve, si dhe rritje të shpenzimeve financiare.

Mangësi të ngjashme, ZKA-ja ka vërejtur edhe në komunat të cilat kanë qenë subjekt i auditimit, duke filluar nga planifikimi strategjik, politikat dhe procedurat e TI-së si dhe në menaxhimin e investimeve në fushën e TI-së.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, përmes një deklarimi publik, ka theksuar që rezultatet e auditimit tregojnë nevojën e menjëhershme për përmirësime në organizimin dhe menaxhimin e investimeve në këtë fushë.

“Duke marrë parasysh rëndësinë që kanë në nivel vendi organizimi dhe investimet në teknologjinë e informacionit, kemi dhënë një rekomandim me prioritet për Qeverinë e Kosovës, që posaçërisht të adresojë çështjet rreth strategjisë elektronike të teknologjisë së informacionit si dhe të sigurohet koordinim i duhur ndërmjet Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e teknologjisë së informacionit”, ka thënë Osmani.

Me qëllim të adresimit të çështjeve të ngritura, Zyra Kombëtare e Auditimit, në këtë raport ka dhënë 17 rekomandime për institucionet përgjegjëse.

Ky auditim është realizuar për të vlerësuar zhvillimin e qeverisjes së teknologjisë së informacionit dhe menaxhimin e investimeve në këtë fushë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu