Autonomia e Sanxhakut

0
715

Shaban Murati:

Një drithërimë e përshkoi Beogradin, kur Muamer Zukorliç, kryetar i Komunitetit Islamik në Serbi, dhe njeriu më me infl uencë në Sanxhak më shumë edhe se politikanët sanxhakas, që Serbia i ka futur në qeveri, deklaroi më 24 prill se “autonomia e Sanxhakut është më tepër se e sigurt”. Drithërima erdhi, jo se kërkesa për autonomi ishte e re dhe e papritur, por sepse po i bie kambanës për rajonin, për Bashkimin Europian, për Këshillin e Europës, për OSBE-në, dhe për mbarë faktorin ndërkombëtar, se Serbia ka një çështje të hapur, shumë të mprehtë, që quhet Sanxhak.
Është rajoni në jugperëndim të vendit, në kufi me Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën, me popullsi prej 420 mijë banorësh, dhe që dominohet nga shumica boshnjake dhe pikërisht, sepse nuk janë serbë kanë katandisur ndër zonat më të varfra dhe më të prapambetura ekonomikisht të Serbisë. Është rajoni, ku boshnjakët, siç shprehen vetë ata, kanë pësuar asimilimin e dhunshëm dhe konvertimin e detyrueshëm fetar. Është rajoni, ku në tetor të vitit 1991 Këshilli Kombëtar Boshnjak organizoi referendumin popullor, dhe 98 për qind e votuesve votuan për autonominë e Sanxhakut. Kërkesën për autonomi e ka bërë në vitin 1993 edhe politikani i njohur i Sanxhakut, Sulejman Ugljanin, i cili akuzoi Serbinë për gjenocid. Edhe në vitin 1997 Sulejman Ugljanin njoftoi se do të shpallet autonomia e Sanxhakut, në përputhje me vendimin e referendumit popullor të vitit 1991. Serbia, si në kohën e presidentit Sllobodan Millosheviç, ashtu dhe në kohën e presidentit Boris Tadiç, ka përdorur të gjitha mjetet dhe mënyrat për ta shtypur kërkesën e popullit boshnjak të Sanxhakut për autonomi. Sulejman Ugljanin është sot ministër i qeverisë së Boris Tadiçit, dhe me sa duket e ka lënë për në memuaret vendimin e popullit të vet.
Kërkesa për autonomi ka shtrirje të gjerë te populli i Sanxhakut, i cili në rrugë demokratike dhe paqësore ka përsëritur nga viti në vit, që të bëhet realitet vendimi i shprehur nga populli në vitin 1991. “Ne kërkojmë që Serbia të na japë një shkallë autonomie brenda kuadrit të rendit kushtetues”, – shprehet Zukorliç.
Për Serbinë, ngritja e kërkesës së Sanxhakut për autonomi, është një komprometim i gjithë fushatës së saj diplomatike për ta paraqitur vendin sikur i ka realizuar të gjitha parametrat dhe standardet demokratike, që kërkon integrimi europian dhe sikur e meriton t’i akordohet menjëherë statusi i shtetit kandidat në BE, por dhe t’i përshpejtohet kalendari i anëtarësimit në BE. Asaj i intereson që ta mbajnë gojën mbyllur “qytetarët e kategorisë së dytë”, që jetojnë në Sanxhak, dhe që BE-ja, Këshilli i Europës, OSBE-së etj. Të mos e dëgjojnë zërin dhe vullnetin e një populli, që ndjehet i shtypur dhe i diskriminuar.
Kërkesa e popullit të Sanxhakut për autonomi i komprometon sidomos fushatën dhe strategjinë e Serbisë për minoritetin serb në veri të Kosovës. Sepse Serbia nuk mund të pretendojë shkallën më të lartë të autonomisë për minoritetin serb në Kosovë, dhe madje të luftojë që t’i japë atij minoriteti një status shtetformues, kur në Sanxhak, i cili ka një popullsi dhjetë herë më të madhe se sa minoriteti serb në Kosovën e Veriut, të mos lejojë as shkallën më minimale të autonomisë.
Kjo nuk është vetëm dëshmi e politikës së standarteve të dyfishta, që ndjek Serbia, por është dosja përvëluese e politikës diskriminuese, që qeveria serbe ndjek ndaj popullsive jo-serbe brenda në Serbi, ndaj boshnjakëve në Sanxhak, ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe ndaj hungarezëve në Vojvodinë. Nëse Vojvodina, për shkak të organizimit politiko administrativ si krahinë autonome në ish-Jugosllavi, dhe Lugina e Preshevës për shkak të konfliktit të armatosur në vitin 2000, janë më të njohura për opinionin ndërkombëtar, Sanxhaku ka qenë më pak e njohur sepse edhe problematika e boshnjakëve të Sanxhakut ka qëndruar në kufijtë e shpresës për mirëkuptim nga qeveritë në Beograd.
Ka një rregull të artë të pashkruar në diplomacinë ndërkombëtare, që thotë se faktori ndërkombëtar nis të merret me një çështje, jo kur ajo është e drejtë, por kur ajo bëhet problem .
Në qëndrimin ndaj Sanxhakut ka ndikuar edhe një tezë, jo shumë bindëse e faktorit ndërkombëtar, i cili në synimin për të forcuar pozitat e grupeve pro-europiane në Serbi, ka menduar se mbyllja e syve përballë realiteteve tronditëse etnike të shoqërisë serbe, ndihmon konsolidimin e atyre grupeve. Por, ky qëndrim jo vetëm nuk i ka bërë më të forta grupet pro-europiane, por ka bërë më agresivë forcat nacionaliste në Serbi. Madje ka ndikuar negativisht, duke inkurajuar agresivitetin e diplomacisë serbe ndaj shteteve të tjerë në Ballkan, ku jetojnë pakica serbe.
Sfida gjithë e më arrogante, që forcat separatiste të të ashtuquajturës “Republika serbe” në Bosnjë Hercegovinë po i bëjnë marrëveshjeve ndërkombëtare dhe faktorit ndërkombëtar, do të ishte në nivele shumë më të ulëta, nëse faktori ndërkombëtar do t’i kujtonte Serbisë se ajo ka disa “gropa të zeza” brenda shtetit të saj, të cilat duhet t’i zgjidhë në mënyrë demokratike, para se të merret me ndërhyrje në shtetet e tjera. Këto “gropa të zeza” quhen Vojvodinë, Lugina e Preshevës dhe Sanxhak. Këto janë karta të forta diplomatike për t’u luajtur me Serbinë në pokerin gjeopolitik për rajonin e Ballkanit. Nëse faktori ndërkombëtar do t’i bëjë të qartë Beogradit se përkrahja për politikën separatiste të serbëve të Bosnjës dhe të serbëve të Veriut të Kosovës do të hapë thesin e erërave centrifugale në Vojvodinë, në Sanxhak dhe në Luginën e Preshevës, me siguri do të shihnim skifterë më të zbutur se sa udhëheqësi i tanishëm i serbëve të Bosnjës.
Një zhvillim interesant paraqet fakti se në një takim të nivelit të lartë, të mbajtur më 26 prill në Karagjorgjevo të Serbisë, me pjesëmarrjen e presidentit të Turqisë, të presidentit i Serbisë dhe të presidencës së Bosnjë Hercegovinës, sipas burimeve diplomatike, është diskutuare dhe çështja e Sanxhakut. Është hera e parë, që në një takim ndërkombëtar çështja e Sanxhakut hyn në rendin e ditës të diskutimeve. Kjo është provë e qartë e një ndërkombëtarizimi të çështjes së Sanxhakut. Ndonëse ndërkombëtarizimi është rajonal, prapë se prapë është i rëndësishëm, sepse tërheq vëmendjen e diplomacisë europiane se në Serbi ka një çështje të hapur, që kërkon angazhim ndërkombëtar.
Nuk ka informacion se në çfarë forme dhe kuadri është diskutuar çështja e Sanxhakut, dhe pak rëndësi ka nëse pjesëmarrësit e takimit trepalësh kanë folur se zgjidhja e çështjes së Saxhakut janë projektet ekonomike dhe përmirësimi i kushteve të jetesës. Vetë presidenti serb, Boris Tadiç, e pranoi pas takimit të nivelit të lartë, se boshnjakët e Sanxhakut janë të papërfaqësuar në mënyrë proporcionale në administratën e shtetit.
E rëndësishme është që faktori ndërkombëtar të mos ndjekë iluzionin e gabuar të së kaluarës, kur mendohej se kriza nacionale në ish-Jugosllavi është rezultat i pabarazisë ekonomike dhe sikur projektet ekonomike do ta zgjidhnin çështjen nacionale. Historia e 20 viteve të fundit të shteteve, që dolën nga ish-Jugosllavia, e provon qartë këtë të vërtetë. Çështjet nacionale duhen përballuar si çështje nacionale, dhe duhen zgjidhur si të tilla. Dhe nëse Sanxhaku kërkon autonomi brenda kuadrit kushtetues të Serbisë, kjo kërkesë, e zgjidhur në mënyrë demokratike në atë kuadër, nuk është as kundër integrimit europian dhe as kundër standarteve demokratike. Kjo do të ndihmonte realisht Serbinë në procesin e demokratizimit të saj.
Sanxhaku është, dhe do të bëhet edhe më shumë në të ardhmen, pjesë e shahut diplomatik dhe gjeopolitik në Ballkan. Ai ndodhet në zemër të rajonit, dhe nuk duhet harruar se atje jetojnë edhe shumë shqiptarë, për të cilët shteti dhe diplomacia shqiptare kanë detyrë kushtetuese dhe kombëtare të interesohen. Është mirë ta kuptojë si detyrë edhe Ministria e Jashtme, ku për hir të së vërtetës duhet pranuar se gjysma e saj nuk e dinë se ku bie Sanxhaku dhe çështja e Sanxhakut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu