“Avullohen” 1.4 milionë euro të MPB-së për pasaporta

0
433

Prishtinë, 1 nëntor – Janë “avulluar” një milion e katërqind mijë euro të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me të cilat do të duhej të paguhej kompania austriake “Osterreichische Staatsdruckerei” (OSD) për prodhimin e mijëra pasaportave kosovare.

Gjatë një hulumtimi dyjavor, “Zëri” ka mësuar se shuma e parave është zhdukur në Prishtinë dhe atë nga përfaqësuesja e OSD-së në Prishtinë, Natalije Velija, e cila, pasi i ka marrë paratë nga dikasteri i brendshëm, nuk i ka përcjellë ato te kompania të cilën e përfaqëson.

Burime të besueshme të “Zërit” brenda MPB-së bëjnë të ditur se gjermanja këtë veprim e ka ndërmarrë falë bashkëpunimit të saj edhe me disa zyrtarë të lartë të MPB-së.

“Këtu janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë të ministrisë sonë. Gjithçka është bërë në bashkëpunim me zonjën Natalije Velija, e cila tash e një muaj më nuk është përfaqësuese e kompanisë OSD. Ata së bashku e kanë orkestruar krejt këtë dallaver”, ka thënë burimi.

Gazeta ka pritur përreth dy javë përgjigje zyrtare nga drejtori gjeneral i kompanisë OSD, Reinhart Gausterer, për çështjen në fjalë, por ai nuk është përgjigjur, edhe pse herë pas here i është rikujtuar se në e-mailin e tij zyrtar janë pyetjet nga “Zëri”. Ndërkaq, në emër të tij gazeta ka marrë dy e-maile, nga menaxheri ndërkombëtar i shitjes, Gerhard Wastl, i cili ka kërkuar që të pritet deri më 5 nëntor, kur, sipas tij, kthehet në punë drejtori Gausterer, ngase momentalisht nuk është në Austri.

Por, faktin se rreth një milion e gjysmë euro nuk kanë “arritur” kurrë te kompania, por janë tjetërsuar në Kosovë, e ka konfirmuar vetë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili gjatë një bisede ka pohuar se për këtë çështje ka pasur disa herë takime sikurse me drejtuesit e kompanisë “Osterreichische Staatsdruckerei”, gjithashtu edhe me ambasadorin austriak në Kosovë.

“Është e vërtetë që paratë nuk kanë arritur, edhe pse ne iu kemi dëshmuar kompanisë… pagesat janë bërë, i kemi verifikuar edhe nëpërmjet BQK-së, bankës NLB… ato janë përcjellë. Por, kompania OSD e ka caktuar një partner të vetin, për t’i kryer shërbime, qoftë zhdoganime, qoftë shërbime tjera, dhe me një aneks-marrëveshje e kanë autorizuar që paratë të shkojnë nëpërmjet këtij përfaqësuesi në Austri. Pra, një shumë të parave nuk e ka përcjellë përfaqësuesi i tyre”, thotë Rexhepi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu