Azem Syla mori qindra mija franga, i bindur se i takonin

0
745

Bernë, 27 shkurt  – Mbi 16 vjet Zvicra i ka përkrahur financiarisht Azem Sylën dhe familjen e tij. Sot refugjati i dikurshëm është anëtar i Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, Syla kërkon që Zvicra edhe më tutje të mbulojë shpenzimet e tij të jetesës dhe të mbajë lejeqëndrimin C. Po ashtu ai refuzon t’i kthejë kontributet financiare që i ka marrë në formë të pensionit. Dy procedura gjyqësore janë duke u zhvilluar, ka konfirmuar avokati i Sylës për “SonntagsZeitung”.

Syla nuk ka punuar kurrë në Zvicër. Pasi mori ndihma sociale, ai nga viti 2002 mori një pension, sepse gjoja ishte 100 për qind invalid për arsye psikike. Pasi “SonntagsZeitung” në janar 2011 kishte njoftuar se Syla ende e ka lejeqëndrimin C, kantoni i Solothurnit më 1 shkurt 2011 i ndërpreu pagesat. Deri atëherë ai kishte marrë 426 mijë franga. Syla nuk e pranon ndërprerjen e pagesave, ai dëshiron të marrë edhe më tutje pension. Për këtë duhet të vendosë gjykata e çështjeve të sigurimeve.

Në janar 2012, kantoni i Solothurnit vendosi të kërkonte nga Syla që t’i kthente prapa 190,954 franga që i kishte marrë si pension, pasi këto para i kishte tërhequr pa pasur të drejtë. Edhe këtë ai e kundërshton.

Ky kosovar gjatë gjithë këtyre viteve, kur kinse ishte i paaftë për punë, ishte mjaft aktiv: gjatë luftës së Kosovës 1998/99, ai ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, mori pjesë në negociatat për paqe në Rambouillet, u bë anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës të kryeministrit Hashim Thaçi dhe ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme. Ai kreu studimet në distancë në një universitet privat amerikan dhe në dhjetor 2010 u zgjodh deputet në Parlament. Në webfaqen e Parlamentit të Kosovës figuron kjo adresë e Sylës: Kishnarekë në Kosovën Qendrore.

Por avokati i Sylës thotë se klienti i tij ende banon në kantonin e Solothurnit. Sipas tij, kur kantoni ia ndali pagesat, ai u detyrua që bashkë me gruan e tij të shkonte për të banuar te e bija e tij.

Megjithatë, Syla nuk është i detyruar të heqë të zitë e ullirit. Sipas medieve kosovare, ai para zgjedhjeve ka bërë publike pasurinë e tij: ai merr 12 mijë euro rrogë vjetore si anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës. Rroga mesatare vjetore në Kosovë është 3600 euro. Syla ka deklaruar se shtëpia e tij në Kishnarekë vlen 170 mijë euro, ndërsa në xhirollogari bankare i ka 150 mijë euro. Po ashtu, siç thotë avokati i tij, ai merr rrogë edhe si deputet.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Azem Syla, është famëkeq: sipas raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, ai është i përfshirë në tregtinë e mundshme me organe, të kryer nga njerëz të UÇK-së. Po ashtu edhe një ish-anëtar i shërbimit sekret të UÇK-së SHIK e ka akuzuar atë rëndë. Ish-anëtari i SHIK-ut (fjala është për Nazim Bllacën, v.j.) ka thënë se Syla i takon kuadrit të trupës, e cila pas luftës është angazhuar për interesa të kryeministrit Hashim Thaçi dhe mendohet të ketë vrarë kundërshtarë politikë.

Enti i Migracionit i kantonit të Solothurnit tani dëshiron ta dëbojë Sylën. Deri më tani ai ka kundërshtuar me sukses. Por, më 13 shkurt 2012 ai humbi para Gjykatës Administrative. Në vendimin, të cilin e ka SonntagsZeitung, gjyqtarët flasin qartë: ata thotë se Sylës nuk është dashur t’i jepej lejeqëndrimi C në vitin 1999. Atëbotë ai ishte anëtar i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Gjyqi shkruan: “Që një ministër i mbrojtjes në detyrë i një vendi të prekur nga lufta parimisht duhet të qëndrojë në vendin e tij, kjo duhet të konsiderohet si e vetëkuptueshme”.

Më tutje gjykatësit theksojnë se Syla “pa asnjë dyshim është në gjendje” të punojë dhe  të fitojë para. Duket se ai nga kjo “dëshiron të heqë dorë” dhe “me vite të tëra në mënyrë drastike e ka shfrytëzuar dhe madje keqpërdorur sistemin social të Zvicrës”.

Gjykata Administrative e Solothurnit ka vendosur që Azem Syla ta lëshojë Zvicrën deri më 15 maj 2012. Ende është e hapur nëse ai do të ankohet kundër këtij vendimi gjyqësor.

Në komentin e “SonntagsZeitung” theksohet se Syla e dëmton imazhin e bashkëkombësve të tij të ndershëm

Azem Syla nuk është i vetmi nga kasta drejtuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilin Zvicra e ka pranuar si refugjat gjatë viteve 90. Zvicra lejoi që këta aktivistë nga këtu të organizojnë luftën e armatosur në Kosovë. Pas vitit 1999, prijësit e UÇK-së pak a shumë vullnetarisht hoqën dorë nga lejeqëndrimet zvicerane C dhe nga ndihma sociale. Që në vitin 2011, politikani i privilegjuar në Kosovë, Azem Syla, lufton me gjyq kundër ndërprerjes së domosdoshme të ndihmës sociale zvicerane, është diçka e padëgjuar. Me kësi parazitësh socialë Syla e dëmton edhe imazhin e bashkëkombësve të tij në Zvicër.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu