Babai i 24 vjeçarit: Hoxha dhe Qeveria ka gisht në vrasjen e djalit tim

0
764

Xhihadi

Gjatë ditës së sotme është vrarë në Siri 24 vjeçari nga Nerodimja e Epërme e Ferizajt, Arbënor Uksmajli. Arbënori me vete kishte marrë edhe dy djemt e tij, Andin tre vjeç dhe më i vogli Omeri një vjeçar.

Po ashtu ai në Siri kishte marrë edhe bashkëshorten e tij Laurën dhe vëllain Albertin, raporton KTV.

Babai i Arbënor Uksmajlit, Faik Uksmajli, ka treguar për KTV-në se si ka shkuar djali i tij në Siri.

“Ai ka shkuar në qershor. Unë atje e kam tjetrin djalë dhe rejën. Reja është viktimë e gjithë kësaj”, thotë Faiku.

Ai thotë se ka gisht dikush në këtë punë, pasi që sipas tij, që të pesë anëtarët kanë shkuar përmes aeroportit të Rinasit të Tiranës pa asnjë dokument deri në Turqi. Sipas babait të viktimës, gjatë tërë kohës ka bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, dhe këta të fundit ia kishin konfiskuar dokumentacionet që të pesë anëtarëve.

“Se si kanë arritur në Tiranë unë nuk e di. E këtu ka gisht hoxha dhe qeveria. Unë nuk mund të kuptoj se si pa asnjë dokument ka arritur të shkojnë atje, sepse unë kam udhëtuar dhe nuk e di se mund të udhëtosh pa dokumentacion”, ka treguar Faiku.

Babai i Arbënorit tregon se ka shkuar edhe në Alepo për ta kërkuar djalin e tij, por nuk ka mundur ta gjej atë.

“Unë kam shkuar deri në kufi të Turqisë, aty mi kanë marrë 15 mijë euro deri në Alepo dhe kam qëndruar 8 ditë. Kam shkuar me i marrë por nuk kam mundur ti gjej”, ka rrëfyer tutje ai.

Ai akuzon Hoxhën e fshatit Manastric, Nehat Hysenin për shkuarjen e djemve të tij në Siri. Sipas tij, Alberti, ka qenë student në shkencat kompjuterike me sukses të shkëlqyer me të gjitha 10-ta, por që vetë hoxha, e ka bindur që të shkoj në Siri.

“Alberti ka qenë student me të gjitha 10-ta, në shkencat kompjuterike edhe fakulteti ia ka mundësua që të shkoj në Gjermani edhe dy ditë më herët është taku me Nehat Hysenin, hoxhën edhe ai i ka thënë se është haram me shku atje me punu”, ka rrëfyer babai i Abërnor Uksmajlit.

Ndërkaq, KTV ka vizituar edhe hoxhën Nehat Hyseni, i cili nuk pranoi të flas.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu