Agim Bahtiri nga AKR-ja thotë se ka pasur ofertë që të jetë pjesë e qeverisë Haradinaj, por ka refuzuar sepse nuk dëshiron të jetë pjesë e koalicionit me PDK-në.
Në Interaktiv të KTV-së, Bahtiri ka thënë se partia e tij është bashkuar me LDK-në me qëllim që të dërgojë PDK-në në opozitë.
Ai ka treguar se është takuar me të nominuarin e PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj. Bahtiri thotë se Haradinaj i ka ofruar post në qeveri, por këtë e ka refuzuar.
“Dje isha me Haradinajn, por në asnjë formë ne nuk kemi ndërmend të hyjmë me PDK-në. I tregova se nuk më intereson asnjë post politik, por vetëm që qytetari të jetë aty ku duhet. Gjitha ofertat janë të hapura nga Haradinaj, por është vendim i prerë i imi dhe i partisë që të mos bisedojmë për këto çështje. Unë jam zëvendës i kryetarit në parti, kam ndikim në AKR, dhe ai dhe të tjerët kërkojnë që të lëvizi në atë drejtim, por lëvizja ime është e vdekur. Ajo rrugë është e vdekur. Nuk po tregoj se çfarë më ka kërkuar, por rruga e bashkimit me PDK-në është e vdekur. Ofertë kishte”, ka thënë Bahtiri.