Bajrush Xhemaili jep dorëheqje

0
701

(E plotësuar) Kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemaili, ka njoftuar se tërhiqet nga funksioni, pasi Gjykata Supreme konfirmoi dënimin e shkallës së parë me 2.5 vjet burgim si shkaktar i aksidentit rrugor, më 21 maj 2009, ku kishte mbetur i vdekur një i ri.

Sipas ligjit për qeverisje lokale, tani në Komunën e Ferizajt duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar.

Deklarata për opinion e Xhemailit:

Tërheqje nga funksioni i Kryetarit të Komunës së Ferizajt

Të nderuar bashkëqytetarë të Komunës së Ferizajt

Me të pranuar lajmin nga avokatët e mi, se Gjykata Supreme e Kosovës, ka marrë vendim, me të cilin konfirmohet aktgjykimi i Shkallës së Parë, përkitazi për dënimin tim, ndjehem i thirrur moralisht që:

Në respekt të moralit tim human, qytetar e kombëtar;

Në respekt të angazhimit tim për afirmimin e vlerave demokratike të shoqërisë sonë;

Në respekt të familjes sime, miqve të mi dhe në respekt të deshirave, përkushtimit e angazhimit të bashkëqytetarëve të mi për përparim e zhvillim të mëtutjeshëm të Komunës, të tërhiqem, respektivisht, ta ndërpres së ushtruari detyrën e shenjtë e fisnike të Kryetarit të Komunës së Ferizajt.

Gjatë katër vjetëve sa e kam ushtruar këtë detyrë, jam ndjekur nga parimi atdhetar e qytetar i ndërtimit të një qeverisjeje, në piedestalin e së cilës do të ishte njeriu-qytetari, si vlerë esenciale e çfarëdo motivimi.

Të gjitha veprimet, platformat, programet e angazhimet, të cilat i kam ndërtuar me bashkëpunëtorët e mi dhe në bashkëpunim të thellë me të gjitha grupet e fokusit dhe me bashkëqytetarët e mi, ishin të orientuara në tri drejtime: afirmimin dhe përparimin e vlerave demokratike në Komunën tonë, rritjen e mirëqenies sociale të bashkëqytetarëve tanë dhe mbi të gjitha, rritjen e ndërgjegjësimit për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetësisë sonë.

Sigurisht që nuk kam dashur që mandatin ta përfundoj në këtë mënyrë. Por, që nga momenti i kandidimit tim për kryetar Komune, parimi im i deklaruar për mënyrën e qeverisjes, mbi të gjitha ka qenë, parimi zbatimit të ligjshmërisë, zhveshja e institucionit nga cfarëdo ndikimi i ngushtë politik dhe fuqizimi i normës së moralit politik në qeverisje. Jam i bindur se këtij parimi i jam përmbajtur përpikmërisht, së bashku me bashkëpunëtorët e mi, duke ndërtuar platforma, programe e ide, të cilat i kemi vënë në jetë në formë veprimesh e projektesh, të cilat Komunën tonë e kanë identifikuar si Komunën më të suksesshme në Kosovë.

Dua të vlerësoj edhe bashkëpunimin dhe mbështetjen që e kam pasur nga të gjithë qytetarët e Komunës sime. Ishin pikërisht këta që më kanë motivuar të jap tërë kontributin, dijen dhe përkushtimin tim, në drejtim të kultivimit e forcimit të vlerave të lartpërmendura.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Gjatë tërë jetës sime të deritanishme, personalisht dhe familjarisht, nuk kemi kursyer asgjë dhe kemi qenë të gatshëm të paguajmë edhe çmimin më të shtrenjtë, në shërbim të lirisë e pavarësisë së popullit e Atdheut tonë. Kam përjetuar situatat dhe përvojat e tmerrshme të persekutimit nga okupatori, derisa në vitet e nëntëdhjeta, duke vuajtur edhe burgun e dytë politik, nuk arrita t`i shoh të rriten as dhe fëmijët e mi. Të bijën time, nuk e pashë madje as në çastin e lindjes së saj. Për herë të parë e pashë në burg.

Mbi të gjitha, i mbetem borxh tërë jetën bashkëshortes sime, e cila ka qëndruar aq dinjitoze nëpër të gjitha plagët e mia, duke qenë bashkërendëse e idealeve tona të përbashkëta, e gatshme të përballet dhe t`i tejkalojë të gjitha vështirësitë e sfidat, duke u bërë kështu, me tërë thjeshtësinë, menqurinë, urtësinë, durimin dhe përkushtimin e saj, një madhështi e vërtetë e ndërtimit dinjitoz të familjes sime. Por, çfarëdo flijimi në të mirë të brezave të rinj, ia ka vlejtur dhe jam i lumtur që kam pasur gatishmërinë dhe përkushtimin që të jem i rreshtuar gjithmonë drejt në synimet e popullit tim.

Nuk ndjehem mirë që e ndërpres punën time në Komunën e Ferizajt para kohe, sepse bashkë kishim edhe më tutje për të bërë. Gjatë tërë kohës, kam qenë i mbështetur nga familja ime, miqtë e mi, bashkëqytetarët e mi dhe në veçanti nga stafi im në Komunë, të cilët dua t`i falënderoj nga zemra për bashkëudhëtimin e bërë, në drejtim të rritjes dhe përparimit të Komunës sonë në të gjitha aspektet.

Më mbetet të deklaroj bindjen time, se Ferizaj, si Komunë-model, do ta vazhdojë këtë frymë qeverisëse, integruese, të urtë, efikase e të përkushtuar edhe në të ardhmen, pasi që ka të gjitha kapacitetet e duhura intelektuale e profesioniste për një synim të tillë. Po ashtu, dua të falënderoj përzemërsisht bashkëqytetarët e mi, të cilët më votuan në mënyrë pothuaj plebishitare, duke konfirmuar kështu besimin e rritur në institucionin e Komunës dhe në programin e ndërtuar nga unë dhe bashkëpunëtorët e mi. Një respekt e mirënjohje të veçantë dua ta shpreh edhe për aktivistët e PDK-së në Ferizaj, të cilët besuan në konceptin tim dhe e jetësuan atë nëpërmjet mbështetjes së përkushtuar. Po ashtu, dua të shpreh edhe vlerësimin për korrektësinë dhe bashkëpunimin e sinqertë të partnerit bashkëqeverisjes në Komunë, AKR-së, e cila ishte faktor i rëndësishëm i ngritjes së idesë së qytetarisë, mbi atë të politikës së ngushtë partiake. Ishte një kënaqësi e imja bashkëpunimi edhe me opozitën, e cila ka dëshmuar në të shumtën e rasteve konstruktivitet në arritjen e vendimeve të rëndësishme për rritën e mëtejme të Komunës sonë.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Edhe në të ardhmen do të vazhdoj, nga cilado pozitë, të jem afër zhvillimeve në Komunën time. Do të jem i gatshëm të ofroj për këdo që ka interesim përvojën time në hartimin dhe ekzekutimin e projekteve të zhvillimit të Komunës sonë të dashur. Jam i bindur se kjo situatë, nga bashkëqytetarët e mi të urtë dhe të kujdesshëm, por edhe nga faktorët politikë e jo politikë në Komunë, do të tejkalohet në formën më të mirë të mundshme, gjithnjë në interes të perspektivës së brezave tanë të ardhshëm.

Me respekt të thellë dhe gjithmonë mirënjohës, i juaji Bajrush Xhemaili.

Gjykata Supreme konfirmon dënimin e Xhemailit

Gjykata Supreme ka konfirmuar aktgjykimin për kryetarin e Ferizajt, Bajrush Xhemaili, i cili ishte dënuar me 2.5 vjet burgim si shkaktar i aksidentit rrugor, më 21 maj 2009, ku kishte mbetur i vdekur një i ri. Sipas ligjit për qeverisje lokale, tani në Komunën e Ferizajt duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar.

Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Makfire Gashi, i konfirmoi Gazetës Jeta në Kosovë se gjykata ka vërtetuar aktgjykimin për Xhemailin.

“Gjykata Supreme ka vërtetuar dje, më 19 mars, gjykimin e shkallës së parë në të gjitha pikat e saj”, tha Gashi.

Xhemaili, kryetari i Ferizajt u gjet fajtor për thyerje të rregullave të komunikacionit që patën si pasojë vdekjen e 21-vjeçarit Labinot Rrustemi nga fshati Banullë e Lipjanit.

“Gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë dhe të plotë ka vërtetuar vendin dhe kohën e ndodhjes së aksidentit, pjesëmarrësit dhe pasojat e shkaktuara. Këto nuk vihen në dyshim dhe nuk kontestohen as në ankesa”, thuhet në vërtetimin e Supremes.

Gjykata Supreme e Kosovës në Prishtinë, me kryetare të kolegjit, Valdete Daka, tha se sipas gjetjes së gjykatës së shkallës së parë, shkas i ndodhjes së aksidentit kanë qenë tejkalimi i veturës kombi nga Xhemaili duke rrezikuar komunikacionin.

Supremja thekson se Xhemaili kishte marrë këtë veprim “pa u vërtetuar paraprakisht se mund ta bëjë, pa e rrezikuar komunikacionin […] që për pasojë kanë pasur prekjen e pjesës së përparme të djathtë të kombit, humbjen e kontrollit mbi veturë dhe barturën – kalimin në rrugë në drejtim të kundërt ku ka ardhur, deri te goditja me automjetet e markës ”Daimler Benz 124” dhe “Ford Mondeo”, të cilat kanë qarkulluar nga drejtimi i kundërt”.

Mbrojtja e të akuzuarit, në ankesën e tyre kanë thënë se gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë, sepse janë anashkaluar dy faktorë të rëndësishëm që i kanë kontribuar ardhjes së aksidentit dhe është ‘marrë se vetëm një faktor – faktori njeri, në rastin konkret i akuzuari, kinse me lëshimet e tij ekskluzive, ka shkaktuar aksidentin e komunikacionit’.

Sipas nenit 56 të Ligjit për Qeverisjen Lokale, mandati i kryetarit të komunës përfundon në rast se me një vendim përfundimtar të gjykatës, kryetari privohet nga cilësia juridike. Ndërsa neni 11.2 i Ligjit për Zgjedhjet Lokale parasheh që kryetari i komunës, të cilit i ka përfunduar mandati, zëvendësohet përmes mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në atë komunë.

Gazeta ka provuar ta marrë një prononcim zyrtar nga drejtuesit e Komunës së Ferizajt, por ata kanë refuzuar. Ndërkohë, nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Besim Zymberi, ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme me drejtorët komunalë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu