Bajrushi blen 80 mijë euro vetura

0
792

(E plotësuar) Shpenzimeve marramendëse institucionale për blerje të veturave u është bashkëngjitur edhe kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli. Komuna që udhëhiqet nga Xhemajli të martën që shkoi ia ka dhënë kontratën kompanisë NPSH “AGS” në vlere 80 mijë e 82 euro për blerje të veturave për administratën komunale.

Në tenderin për blerje të automjeteve kanë konkurruar 4 kompani, ku çmimi më i lartë ka qenë 82 mijë e 950 euro, ndërsa është vendosur që tenderi t’i jepet kompanisë “AGS”, e cila ka qenë për rreth 2900 euro më e lirë.

Me kompaninë fituese nënshkrimi i kontratës parashihet të bëhet më 16 mars 2012, pas kalimit të afatit ligjor për ankesa.

Në lidhje me këtë tender, gazeta “Zëri” të mërkurën e ka kontaktuar vazhdimisht kryetarin Xhemajli në telefonin e tij zyrtar, mirëpo ai nuk është përgjigjur fare.

Ndërsa zyrtarët e tjerë komunalë nuk kanë qenë në gjendje të flasin të mërkurën për tenderin në fjalë.

Në anën tjetër, Ideal Shala, përfaqësues i kompanisë “AGS”, ka thënë se Komuna e Ferizajt ka blerë vetura të markës “KIA”, por pa dhënë më shumë detaje për numrin e veturave dhe çmimin e tyre.

Në ueb faqen zyrtare të KIA Kosova, çmimet me pakicë të veturave të kësaj marke kalojnë shumën 10 mijë euro. Vetura KIA Rio kushton 10 mijë e 214 euro, KIA Procee’d kushton 11 mijë e 990, KIA Venga deri në 16 mijë euro, etj.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kritikojnë kryeministrin Hashim Thaçi për moszbatim të vendimeve sa i përket zvogëlimit të shpenzimeve.

”Ka qenë ndër vendimet e para të Qeverise Thaçi 1 mbi përdorimin dhe shpenzimet qeveritare, në nivelin qendrore dhe lokal, e i cili vendim nuk është zbatuar as brenda atyre ditëve te publikimit te tij. Vendimi i 22 janarit 2008, parasheh uljen e shpenzimeve, blerjeve dhe të gjitha shpenzimet e tjera qeveritare te panevojshme nga ana e institucioneve publike”, ka thënë për “Zërin” Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i lëvizjes “Fol”.

Sipas tij, me këto shpenzime po keqpërdoren taksat e qytetarëve. ”Prej vitit 2008 e këtej, ne, qytetaret e Kosovës kemi parë se si janë keqpërdorur taksat tonë në lidhje me luksin në blerjen dhe shpërdorimin e automjeteve nga ana e zyrtarëve publik. Pra, vendimi I Thaçit 1 është shkelur në vazhdimësi, dhe ne nuk kemi parë asnjë ndëshkim për këtë gjë”, ka pohuar Zogaj.

Muaj më parë edhe përfaqësues të partisë opozitare Lëvizja “Vetëvendosje” i kishin kërkuar kryetarit Xhemajli që ta shesë xhipin e tij zyrtar me vlerë 50 mijë euro dhe të ndihmojë, siç kanë thënë ata, së paku dhjetë familje që jetojnë në skamje.

Aktivitet i Vetëvendosjes ishte zhvilluar në hapësirat e sheshit kryesor, ndërsa qytetarë të shumtë i lexonin pankartat e vendosura aty, e në të cilat edhe arsyetohej shitja e këtij automjeti luksoz.

“Me shitjen e xhipit mund të sigurohen mjetet të cilat mund të sigurojnë ekzistencën e së paku dhjetë familjeve për një vit. Kryetari i Komunës vihet para alternativës, “Luks për vete apo bukë për 10 familje”, kishin thënë aktivistët nga Qendra e Vetëvendosjes në Ferizaj.

Për më tepër “Vetëvendosje” një kërkesë të tillë e kishte arsyetuar me faktin se nëse kryetari Xhemajli e jetëson këtë gjë, me shembullin e tij, do të ndikojë edhe te pjesa tjetër e administratës komunale që të bëjë kursime të ngjashme, duke hequr dorë nga luksi dhe duke përdorur paranë publike aty ku duhet.

Përndryshe, Bajrush Xhemajli deri në vitin 2007, kur ka qenë “ministër i Energjisë” në Kabinetin (në Hije) për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, PDK-së, ka qenë shumë i zhurmshëm kundër qeverisjes së koalicionit LDK dhe AAK dhe ndërkombëtarëve.

Ai i kritikonte vazhdimisht këta të fundit për politika të gabuara ekonomike, në lidhje me procesin e privatizimit, ku ka kërkuar vazhdimisht transparencë.

Mirëpo, me ardhjen në krye të Ferizajt vite më parë, Xhemajli është shumë mbyllur për medie dhe pothuasje shumë rrallë është përgjigjur në telefon, derisa deri në vitin 2007 ka qenë shumë i hapur dhe bashkëpunues me mediet.

“Fol”: Të hetohen shpenzimet për vetura

Petrit Zogaj nga “Fol” thotë se nuk është vetëm Komuna e Ferizajt, por janë edhe ajo e Klinës, Malishevës dhe të tjera që kanë shpenzuar para të mëdha duke blerë makina të shtrenjta për udhëheqësit e tyre. Madje, këto Komuna dhe kryetarët e tyre, sipas tij, i kanë shndërruar në garë këto blerje se kush po lëviz me makina më të shtrenjta.

”Përpos që këto blerje janë krejtësisht të panevojshme për këta kryetarë, kisha kërkuar që këto blerje të fillohen të hetohen dhe që të ketë përgjegjësi për të gjitha ato shpenzime të panevojshme. Kryetarët e këtyre komunave do të duhej të angazhohen në garë se kush po qeveris më mirë, e jo se kush po lëviz më makina më të shtrenjta dhe luksoze. Besoj që qytetarët t’i regjistrojnë të gjitha këto keqpërdorime dhe t’i denoncojnë nëpër institucionet përkatëse”, ka nënvizuar Zogaj.

 

Nga, Lavdim Hamidi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu