Ballkani, mjedis ideal për mafian

0
728

Tre vende ballkanike, përfshirë Shqipërinë, në shënjestër të strategjisë së Obamës kundër krimit të organizuar transnacional. “Institucionet e dobëta në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë kanë mundësuar grupet e krimit të organizuar transnacional me qendër në Ballkan të marrin kontrollin e rrugëve kryesore të trafikut të drogës dhe të njerëzve dhe tregjeve europianë perëndimorë”. Akuza vjen drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë. Po ashtu, ekziston droja se në rajonin e trazuar ka depërtuar mafia ruse që kontrollon ish-vendet komuniste me emrin “Rrethi i vëllazërisë”. Indikacione ka dhe për implikimin e “mafia-s së kuqe” në pronat e patundshme në Shqipëri, tranzitin e materialeve bërthamore nëpërmjet portit të Durrësit etj. (“sindikatat kriminale ruse dhe oligarkët e lidhur me to mund të përpiqen të hyjnë në marrëveshje kriminale me struktura shtetërore ose të lidhura me shtetin me qëllim që të minojnë konkurrencën në tregjet kryesore nga pikëpamja strategjike të gazit, naftës, aluminit dhe metaleve të çmuara. Në të njëjtën kohë, TOC-et rajonale vendosin lidhje me rrjetet globale të narkotrafikantëve. Në ish-Bashkimin Sovjetik shkakton veçanërisht shqetësim kontrabanda e materialeve bërthamore”, thotë Shtëpia e Bardhë). Sikurse është bërë e ditur, presidenti amerikan Barak Obama nënshkroi një dekret për vendosjen e sanksioneve kundër katër grupimeve më të mëdha kriminale ndërkombëtare. Tani anëtarëve të tyre u ndalohet të udhëtojnë në SHBA dhe të lidhin kontrata tregtare në territorin e vendit. Në këtë listë kanë hyrë kartelet kriminale që veprojnë në in Meksikë, Japoni, Itali dhe Evropën Lindore: “Los Zetas”, një organizatë meksikane droge e lidhur me vrasje të shumëfishta; “Yakuza”, bandë e madhe e armatosur japoneze; “Camorra”, rrjet kriminal me seli në Italinë e jugut; dhe “Brothers’ Circle” (ose përmendet dhe në rusisht si “Bratski krug” – “Rrethi i vëllazërisë”), një grup kriminal eurolindor që operon në të gjithë botën. Plani i ri i paraqitur më 25 korrik për të luftuar krimin e organizuar transnacional parashikon një sërë masash që lejojnë autoritetet të trajtojnë me më shumë efektshmëri rrjetet e krimit që përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe ekonominë e SHBA-së.

 

Kërcënim ndaj sigurisë

Sipas dokumentit, “krimi i organizuar transnacional (TOC – Transnational Organised Crime) përbën kërcënim të rëndësishëm dhe në rritje ndaj sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, me pasoja të rënda për sigurinë publike, shëndetin publik, institucionet demokratikë dhe stabilitetin ekonomik anembanë botës”. Organizatat kriminale po zgjerohen dhe po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, thanë zyrtarët e SHBA-së. Ato nuk njohin asnjë kufi dhe përfshihen në një sferë të gjerë veprimtarish të paligjshme të krijimit të të ardhurave. Strategjia përcakton 56 aksione me përparësi, që kanë për qëllim uljen e forcës ekonomike të bandave të mëdha ndërkombëtare dhe mbrojtjen e sistemit financiar prej tyre. Duke vënë në dukje se TOC-i është një problem botëror, që e shfaq veten në pjesë të ndryshme të botës në mënyra të ndryshme, ajo rendit shtatë përparësi rajonale, duke përfshirë Ballkanin, dhe bën thirrje për bashkëpunim të ngushtë me vendet e tjerë.

 

Aleanca me qeveritë e korruptuara

“Rrjetet kriminale mes vendeve po bëjnë aleanca me elementë të korruptuar të qeverive të vendeve, duke përfshirë shërbimin informativ dhe personelin e sigurisë dhe ato përdorin pushtetin dhe ndikimin e këtyre elementëve për të çuar përpara veprimtaritë kriminale të tyre”, tha Xhon Brenan (John Brennan), këshilltar i posaçëm për luftën kundër terrorizmin dhe sigurinë kombëtare i Presidentit të SHBA-së Barak Obama. “Krimi transnacional kërcënon ekonominë botërore. Sofistikimi dhe dituria e biznesit e këtyre kriminelëve i lejon ata të hyjnë në tregje dhe të gërryejnë konkurrencën e ligjshme dhe integritetin e tregut, që mund të dëmtojë dhe shtrembërojë sistemet financiare dhe konkurrencën e ligjshme”, shtoi ai. Strategjia e re u zbulua një ditë pasi Obama nënshkroi një urdhër ekzekutiv që vendos sanksione ndaj katër bandave të mëdha kriminale nga pjesë të ndryshme të botës. Katër rrjetet kriminalë të renditur në dokument përfshijnë “Rrethin e Vëllezërisë”, një grup kriminal shumë-etnik i përqëndruar kryesisht në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe “Kamorrën” nga Napoli në jug të Italisë, që thuhet se fiton 17 miliardë euro në vit nga veprimtaritë e paligjshme. Dy të tjerat janë “Jakuza” japoneze, që kishte më shumë se 80,000 anëtarë më 2008 dhe “Los Zetas”, një rrjet kriminal tejet i dhunshëm i përqëndruar kryesisht në Meksikë, me anëtarë nga një numër vendesh të tjerë, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara.

 

 

Ballkani, mjedis ideal për mafian

Riçard Kauzlariçi thotë se kur ishte ambasador në Bosnjë në fillim të viteve 1990, çuditej me faktin se përfaqësues të grupeve të ndryshme etnike-religjioze, që luftonin kundër njëri tjetrit, në botën e krimit punonin së bashku. “Serbë, myslimanë, kroatë bashkëpunonin në kartele kriminale, sepse i bashkonte një qëllim i përbashkët: si të fitonin sa më shumë para”, thotë Kauzlariçi.

Në raportin e Shtëpisë së Bardhë vihet në dukje se “një kanal tradicional për kontrabandën mes lindjes dhe perëndimit, Ballkani është bërë një mjedis ideal për kultivimin dhe zgjerimin e TOC-it,” thuhet në dokumentin e Shtëpisë së Bardhë. “Institucionet e dobëta në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë kanë mundësuar grupet e TOC-it me qendër në Ballkan të marrin kontrollin e rrugëve kryesore të trafikut të drogës dhe të njerëzve dhe tregjeve europianë perëndimorë”, thuhet në dokument. Përveç qenies një burim i drogave sintetike, rajoni shërben tani si një pikë hyrje për kokainën latinoamerikane dhe një zonë tranziti për pararendësit kimikë të heroinës për përdorim në Kaukaz dhe Afganistan. Atje lulëzon gjithashtu tregu i zi i armëve. Kontrollet e pamjaftueshme kufitare dhe lehtësimi i marrjes së pasaportave mundëson tranzitin e kriminelëve dhe terroristëve në Evropën Perëndimore,” vuri gjithashtu në dukje dokumenti. “Bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, si dhe bashkëpunimi dypalësh me vendet në rajon, që ndihmon në forcimin e organeve të drejtësisë, progresin ekonomik dhe rritjen e cilësisë së qeverisjes, do të jetë kryesor në eleminimin e mjedisit që mbështet TOC-in”, thuhet në strategjinë e Presidentit amerikan.

Thanas Mustaqi

 

* * *

Tom Rixh e Uesli Klark, në listën e ‘avokatëve të djallit’

Nga ARBEN ROZHANI

Në një analizë të gjatë të faqes së mirënjohur amerikane online huffingtonpost, shtjellohet se si ish-zyrtarë të rëndësishëm të administratës amerikane lobojnë për qeveri, apo grupe të ndryshme nëpër botë, në këmbim të pagesave të majme prej tyre.
Huffington sjell rastin e grupit terrorist “Mujahideen-e Khalq” (MEK), i krijuar gjysëm shekulli më parë në Iran dhe që është në listën e zezë të departamentit të Shtetit. Ish-zyrtarë të administratës amerikane, mes të cilëve emra shumë të njohur edhe në Shqipëri, në këmbim të pagesave deri në 40 mijë dollarë për një fjalim apo deklaratë të shkurtër, premtojnë dhe mbështesin
nismën për heqjen e grupit terrorist nga lista e zezë. Sipas sajtit online huffingtonpost. com, emra të tillë ish-zyrtarësh të lartë si ish-drejtori i FBI-së Luis Frih, Ed Rendell, ish-guvernator i Pensilvanisë, ish-guvernatori i Vermontit Hauard Din, ish-sekretari
për Çështjet e veteranëve, Togo Uest, ish-sekretari për Sigurinë Kombëtare Tom Rixh, apo ish-gjenerali i luftës së Kosovës,
Uesli Klark: një listë e gjatë prej 33 ish-zyrtarësh të lartë kanë dhënë deklarata dhe “leksione” prej dhjetorit të vitit të kaluar në 22 takime të mbajtura në Uashington, Bruksel, Londër, Paris dhe Berlin. MEK ka shpenzuar miliona dollarë si shpërblime për folësit. Ishkryetari i komisionit për sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA Li Hamilton pranoi se kishte marrë një shpërblim “domethënës”.
Po kështu folës të tjerë pranuan se kishin marrë shuma nga 20 deri në 40 mijë dollarë për deklarata mbështetëse apo një
fjalim të shkurtër deri 6-minutësh në takimet e organizuara nga mbështetësit e grupit terrorist. Disa prej emrave që mbështesin dhe lobojnë kësisoj, janë mjaft të njohur në Shqipëri, sepse njihen si lobues edhe të kryeministrit Berisha. Në 2005 PD-ja bëri fushatë me kompaninë amerikane “BG&R”, kundrejt një kontrate, që nuk e ka bërë publike as sot. Në 2006-ën, ish-guvernatori
dhe ish-sekretarit amerikan për sigurinë kombëtare, Tom Rixh, i larguar nga administrata e Bush, në këmbim të lobimit për afrimin e Shqipërisë në NATO dhe rritjen e Sigurisë Kombëtare, u pagua me një faturë prej 480 mijë dollarësh amerikanë dhe përveç kësaj atij i ishin hequr me paratë e taksapaguesve shqiptarë edhe shpenzimet e udhëtimit apo qëndrimit në Shqipëri, ku rëndom vinte i shoqëruar nga sekseri serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, aq i përmendur në Ballkan si i lidhur me krime dhe trafiqe.
Ky i fundit ishte edhe shoqëruesi i ish-gjeneralit të luftës së Kosovës Uesli Klark, gjatë bisedimeve të tij për të hyrë në biznesin e lojërave të fatit në Shqipëri. Tom Rixh veç “këshillave” të tij ishte “kumbari” i kontratës së Microsoft-it, me qeverinë “Berisha”, kreu i të cilës deklaronte në 14 shtator 2006, se:
“Kam kënaqësinë t’ju bëj të njohur se ish-guvernatori i Pensilvanisë, Tom Ridge është këshilltari i qeverisë sime për probleme të sigurisë, por edhe për reformat në tërësi dhe në veçanti të teknologjisë së informacionit” (shih km.gov.al). Në një vendim të qeverisë, të datës 8 gusht 2007, pagesa ishte e kënaqshme: “Buxhetit 2007, t’i shtohet fondi prej 142 milionë, si pjesë e fondit
të përgjithshëm prej 426 milionë lekësh, për projektin e partneritetit strategjik në fushën e teknologjisë së informacionit dhe ky fond të përballohet nga Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave”. Pa përfshirë pagesën për këshilltarin Rixh. VKM nr.653, datë 27.9.2006 prashikonte: “Lejimin e Kryeministrisë, që, për fondin limit prej 46 608 000 lekësh, të përdorë procedurën
“prokurim i drejtpërdrejtë“, me shoqërinë “Ridge Global LLC”, për dhënie “shërbim konsulence”, për hartimin e strategjisë kombëtare për sigurinë, luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe kriminalitetit, sipas termave të referencës, që i bashkëlidhen këtij vendimi”.

 

Çfarë është grupi “Mujahideen- e Khalq”

I themeluar mbi baza marksiste në 1963, grupi “Mujahideen- e Khalq” ishte përgjegjës për vendosje bombash në Iran në vitet ’70, përfshirë edhje vrasjen e 6 amerikanëve. Pas fitores së Revolucionit Islamik, në 1979, Ajatollah Khomeini e përzuri grupin terrorist nga Irani, që u zhvendos 75 milje më tej, në Khalis, një zonë ku mbështetet, në Irakun fqinj. Në vitet 1980-’88, militantët e MEK mbështetën Sadam Huseinin në luftën kundër regjimit iranian, si dhe morën pjesë në sulmet e Sadamit kundër kurdëve dhe shiitëve në Irak. Kongresi Amerikan e futi në listën e zezë në 1997 dhe prej atëherë MEK ka financuar qindra milionë dollarë për
tu “pastruar”.

 

A.Rrozhani

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu