Banesa për ish-të përndjekurit politikë

0
960

Ligjit, i cili mbron të drejtat e të përndjekurve politikë, i miratuar dy vjet më parë, deri më tani i janë dashur vite të tëra për të nisur zbatueshmërinë. Ministritë të cilat kanë përgjegjësi për zbatimin e këtij ligji, kanë filluar me nxjerrjen e udhëzimeve administrative.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, të enjten nxori Udhëzimin Administrativ për caktimin e kushteve dhe kritereve për sigurimin e banimit familjar për ish-të dënuarit, ish-të burgosurit dhe ish-të përndjekurit politikë.

Ky Udhëzim sipas zyrtarëve të kësaj ministrie do të sigurojë banimin familjar të këtyre kategorive që akoma nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit me ndihmën e programit për ndërtimin e objekteve me qira joprofitabile, programit për adaptimin e banesave tjera në pronësi të komunës dhe Ligjit për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit.

“Përfituesit nga ky Udhëzim Administrativ janë familjet e ish-të dënuarve, ish-të burgosurve dhe ish-përndjekurve politikë që plotësojnë kriteret për sigurimin e banimit sipas UA, për përcaktimin e radhës së përparësisë për kategoritë e familjeve që mund të përfitojnë nga programet e veçanta të banimit të vitit 2010”, ka thënë zëdhënësja e kësaj ministrie, Gëzime Hasani.

Duke iu referuar ligjit në fuqi, Hasani ka thënë se kategoritë që mund të përfitojnë nga këto programe janë familjet që nuk kanë banesë apo shtëpi në pronësi individuale, kanë mbetur pa banesë (shtëpi) si rezultat i dëmtimit të shtëpive gjatë luftës së fundit dhe posedojnë sipërfaqe banimi nën normat e banimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike.

“Kërkesa për realizimin e së drejtës për sigurimin e banimit te familjeve të ish-të dënuarve, ish-të përndjekurve dhe ish-të burgosurve politikë parashtrohet në organet përkatëse komunale për çështjet e banimit”, ka thënë Hasani. Mirëpo, ajo nuk ka treguar për shumën e buxhetit që është ndarë nga kjo ministri për sigurimin e banimit të këtyre kategorive.

“Një pjesë e buxhetit është nga ministria, ndërsa pjesa tjetër është nga komunat përkatësë”, ka thënë ajo shkurt duke mos specifikuar shumën. Ajo po ashtu nuk ka folur edhe për atë se nëse kjo Ministri është vonuar me sigurimin e banimit të kësaj kategorie, pasi që 13 vjet pas luftës tashmë shumica nga ta mund ta kenë zgjidhur vetë këtë çështje.

Ish-i burgosuri politik, Berat Luzha, ka thënë se edhe pse është vonë për këtë çështje, mëgjithatë sipas tij, për këtë kategori duhet të bëhet diçka pasi që, sipas tij, deri më tani nuk është bërë asgjë.

”Është sigurisht vonë, zbatimi i ligjit ka filluar vonë, megjithatë shpresojmë që këtë vit do të fillojë, më mirë vonë se kurrë. Është bërë shumë pak, të burgosurit politikë kanë qenë shumë modest në kërkesat e veta, ndoshta ka qenë dashtë me qenë më radikalë në kërkesa por kanë qenë shumë modestë dhe kjo u ka kushtuar”, ka thënë Luzha.

Hysen Durmishi, po ashtu ish-i burgosur politik, tani anëtar i kryesisë në Lëvizjen Vetëvendosje, arsyetimin e qeverisë se ligji që mbron të drejtat e kësaj kategorie nuk po gjen zbatim për shkak të mungesës buxhetore e quan absurd.

“Kjo natyrisht që është absurd, por e natyrshme për një Qeveri e cila ka hequr dorë nga vlerat kombëtare dhe njohja politike dhe përkujdesja për këto kategori të popullit që kanë kontribuar më së shumti. Jemi dëshmitarë të një Qeverie të skandaleve të përditshme dhe aferave korruptive të vazhdueshme”, ka thënë Durmishi.

Ai nuk beson as në këtë udhëzim administrativ i cili siguron atyre banimin pasi që sipas tij, mund të ketë keqpërdorime. “Ky udhëzim administrativ është i mirë në vetvete, por duke e ditur që në secilin projekt të deritashëm këta qeveritarë kanë bërë keqpërdorime, është vështirë e besueshme që të mos ndodhë edhe në këtë rast. Shpresojmë që nga ky projekt të përfitojnë ata që e meritojnë më së shumti dhe ata që kanë nevojë më së shumti e jo njerëzit e afërt me pushtetin”, ka përfunduar Durmishi.

 

Nga Saranda Rama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu