Prishtinë, 25 prill – Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Dr. Blerim Rexha bëri dje publike se kjo agjenci ka nënshkruar një projekt individual – Ndërmarrja e Re hotel Onix Banja e Pejës dhe Banja e Shëndetit Shpk, që do të thotë se ky aset tash ka pronarin privat. Koha. net merr vesh se pronar i saj është Xhevdet Shoshi.
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve nr. 19 përmes metodës së Likuidimit dje shpalli fituesit e përkohshëm për asetet e ndërmarrjeve shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.
Gjithsej janë pranuar 83 oferta dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 5.402.469 euro.
Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Dr. Blerim Rexha, i cili e bëri hapjen zyrtare të kësaj ceremonie, tha para të pranishmëve se, ceremonitë e hapjes së ofertave dhe përmbylljet e tenderëve si kjo e ditës së mërkurë paraqesin ngjarje të rëndësishme për Agjencinë, sepse janë dëshmi se po vazhdohet përpara me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre dhe se, ky është mandati ligjor i AKP-së, që të privatizoj ndërmarrjet shoqërore pa vonesa.
“Agjencia deri më tani ka përmbyllur 18 valë të shitjeve të aseteve ku janë nënshkruar 303 kontrata të shitjes, vlera e të cilave kap shumën 62 mil. euro. Ndërsa sa i përket privatizimit, kryetari i Bordit tha se nga fillimi i procesit deri më tani janë përmbyllur 711 privatizime, prej tyre është nënshkruar edhe një projekt individual – Ndërmarrja e Re hotel Onix Banja e Pejës dhe Banja e Shëndetit Shpk. ku shuma totale e këtyre shitjeve të përmbyllura është 553.2 mil. euro”, tha Dr. Rexha.
Kryetari i Bordit rikujtoi se në rastet kur ka pakënaqësi të drejtohen me shkrim në zyret e AKP-së, dhe siguroi se çdo ankesë do të ketë trajtim të veçant dhe do të ndërmerren masat e duhura.
“Më lejoni t’ju falënderoj edhe një herë juve të nderuar investitorë për kontributin që po jepni në zhvillimin e procesit të privatizimit, si dhe mediave që e përcjellin vazhdimisht punën e AKP-së”, tha në përmbyllje të fjalimit të tij Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Dr. Rexha.
Agjencia Kosovare e Privatizimit, është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe/ose aseteve investitorëve private-blerësve, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmesnjë procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ushtron funksionet dhe përgjegjësitë që ka në mënyrë plotësisht të pavarur dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.