Basha, një “Yll” që ngjitet mbi Kufoma

0
592

Është vetë Basha që përgënjeshtron Rusmailin, vetë ky “yll i ri” që po ngjitet në qiellin e politikës duke shkelur mbi trupat e të vrarëve më 21 janar.

Kohët fundit, në kampin blu, ka nisur të perceptohet një etje për ta reklamuar Lulzim Bashën si një “yll të ri në ngjitje” në qiellin e politikës së trazuar shqiptare. Dhe më shumë se me karrierën e tij politike, kjo tendencë duket se lidhet me nevojën që po shfaqet në kampin blu, për një dalje të butë të Sali Berishës nga politika, tani që më shumë se kufijtë fizikë, janë ata politikë që e bëjnë vazhdimin e karrierës së tij, haptazi të demoduar përballë rotacionit normal të lidershipeve që sugjeron një demokraci normale. Shkurt, në kampin blu kanë nisur të mendojnë për “pasardhësin”. Dhe këtej duket e ka burimin reklama për “yllin e ri në ngjitje”. Një strategji që është e mbarsur me shumë të këqija ndër të cilat, me rrezikun që ndërrimi i lidershipit të vjetër të mos shënojë lindjen e një periudhe të re në politikë, por të bëhet maskë me “gjak të ri” e sundimit të së njëjtës frymë të vjetër autokratike. Sepse, sikundër thuhej në një spot të opozitës në zgjedhjet e fundit lokale, “Basha është Berisha” prandaj, kush shpreson të bëjë transfuzion në politikë, duke zëvendësuar Berishën me Bashën gënjen vetveten. Dhe mbi të gjitha do të mbetet në fuqi, tipari më i pështirë dhe tiranik i politikës shqiptare, pandëshkueshmëria e qeveritarëve të korruptuar dhe të papërgjegjshëm.

* * *

Vështirë të ketë në politikë një figurë që të konkurrojë me Lulzim Bashën për nga mungesa e vullnetit për të pranuar përgjegjësitë dhe i përfitimit nga statusi revoltues i pandëshkueshmërisë me të cilin e kanë veshur veten një klan qeveritarësh shqiptarë. Ngjason me një “yll” që në vend se të bjerë për shkak të skandaleve, merr energji nga shpërthimi i tyre për t’u ngjitur edhe më lart në qiellin e politikës. Në më pak se 8 vjet, ky ish-përkthyes i humbur në Kosovë dhe i katapultuar nga Berisha në majë të politikës, është gjendur në qendër të disa prej skandaleve më zulmëmëdha të politikës shqiptare. Si ish-ministër i Punëve Publike dhe Transporteve u shfaq si promotori i procedurave tepër të dyshimta tenderuese lidhur me ndërtimin e “Rrugës së Kombit”. Nuk pranoi asnjë përgjegjësi për shpërdorimin e milionave nga fondet publike dhe i shpëtoi përballjes me akuzën e prokurorisë, duke gjetur një shteg procedural arratisjeje nga drejtësia te shkelja e afateve të hetimit. Por më diskredituesja, më e papranueshmja është masakra e 21 janarit, ku 4 protestues opozitarë u vranë pa asnjë shkak nga armët e Gardës së Republikës të qeverisur prej ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha. Ajo që ndodhi më pas është pa precedentë në historinë e demokracisë. Në vend që të jepte dorëheqjen, duke marrë përsipër përgjegjësinë politike për ngjarjen e rëndë, Basha u ngjit edhe më parë në qiellin e politikës duke “fituar”, me vota të dyshimta dhe vendimesh gjykatash të kapura nga pushteti, postin e kryetarit të Bashkisë të Tiranës. Që ky nuk është fare morali i demokracive perëndimore dhe as mënyra sesi politikanët marrin përsipër përgjegjësi politike, shpjegohet qoftë edhe nga ky ilustrim: thuajse një dekadë më parë, Jorge Coelho, ministër i Punëve Publike i Portugalisë dha dorëheqjen pasi një urë u shemb dhe si rrjedhojë, 70 njerëz humbën jetën. Kryeministri portugez pranoi dorëheqjen e ministrit Coelho i ndodhur nën presion të madh që qeveria të pranojë përgjegjësinë. Ishte plotësisht e qartë se ministri nuk kishte asnjë përgjegjësi personale për shembjen e urës. Madje ai kish firmosur edhe për ndërtimin e një ure të re ndonëse punimet nuk kishin nisur. Por Coehlo u dorëhoq, duke marrë mbi vete përgjegjësinë politike për fatkeqësinë. Ky është standardi europian, standardi demokratik. Në Shqipëri kemi standardin autokratik të mosmarrjes përsipër të përgjegjësisë nga qeveritarët dhe prej nga buron edhe privilegji i ulët i pandëshkueshmërisë së tyre nga drejtësia. Vriten 4 qytetarë në një demonstratë nga forcat e gardës që me ligj janë në vartësi të ministrit të Rendit dhe ky ministër, që në këtë rast është “ylli” Lulzim Basha, jo vetëm nuk pranon përgjegjësinë politike për ngjarjen, duke dhënë dorëheqjen, por vazhdon të bëjë karrierë e të ngjitet në qiellin e politikës. Ndërkaq ndryshe nga ministri portugez që nuk kish asnjë përgjegjësi personale në shembjen e urës, përgjegjësia personale e Bashës në masakrën e 21 janarit mbetet mister. Është detyrë e prokurorisë ta zbulojë. Por fshirja e regjistrimeve të kamerave të serverit të Kryeministrisë, që duhet të kenë xhiruar edhe brenda korridoreve të saj, ndërsa jashtë bëhej batërdia, është tipike për një fajtor që fshin gjurmët e krimit. Incidenti të bën të dyshosh jo vetëm për Bashën po edhe për vetë Berishën. Në një demokraci normale ku politikanët marrin mbi vete përgjegjësi, të dy këta politikanë duhet të kishin dhënë dorëheqjen, duke marrë përsipër, së paku, përgjegjësinë politike për vrasjet. Por ata vazhduan. Pasi dështuan në skenarin shpifarak të vrasjes së demonstruesve nga opozita, pasi dështuan edhe me mashtrimin e “puçit”, pasi po dështojnë edhe me plumbat “rikoshetë”, tani po përpiqen t’ia hedhin fajin gardistëve që paskan qëlluar pa urdhër. Me një qëndrim të tillë, Basha është shumë larg jo vetëm standardeve morale dhe të përgjegjshmërisë politike në Perëndim, por edhe me disa precedentë të vetëqeverisjes së “demokratëve”. Basha është shumë prapa edhe Fatmir Mediut, ish-ministrit të Mbrojtjes që, të paktën, dha formalisht dorëheqjen kur të vrarët u bënë kapicë në Gërdec. Basha është ku e ku prapa Ilir Rusmailit që dha dorëheqje nga posti i ministrit, vetëm pse i vëllai u përfol për një privilegjim në një tender. Një akt vërtet qytetar që vetë Rusmaili e propagandoi si moralin e ri të qeverisjes demokratike. Por mjerisht nuk doli të ishte kështu. Dhe është vetë Basha që përgënjeshtron Rusmailin, vetë ky “yll i ri” që po ngjitet në qiellin e politikës duke shkelur mbi trupat e të vrarëve më 21 janar.

 

Nga, Andrea Stefani

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu