Bashkimi kombëtar si vullnet i popullit shqiptar e jo i shovinizmit serb

0
661

Valon Murati:

…apo pse Beogradi nuk mund ta injorojë ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe si i duhet përgjigjur politikës serbe mbi ndarjen e Kosovës në mes të Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë.

1. Kohët e fundit eksponentë të ndryshëm të politikës serbe, e deri tek Presidenti Boris Tadiq, në mënyrë të koordinuar po lansojnë tezën e ndarjes së Kosovës në mes të Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë. Si rrjedhim, ata po insistojnë se Beogradi duhet të bisedojë me Tiranën zyrtare, duke injoruar krejtësisht Prishtinën dhe shtetin e Kosovës. Në dukje kjo tezë mund të duket atraktive, deri edhe për përkrahësit e bashkimit kombëtar. Madje zyrtarët serbë po kanë kujdes që kësaj teze t’i japin edhe vellon e paqes, duke arsyetuar se kështu zgjidhet konflikti shekullor shqiptaro-serb (e që në të vërtetë ky është një konflikt në mes të popullit shqiptar dhe shovinizmit serb). Momenti politik i lansimit të kësaj teze nuk është i rastësishëm ashtu siç nuk janë të pa llogaritura mirë edhe përfitimet politike për shovinizmin serb.

2. Kjo tezë ndonëse dëshmon për një pozicion të ri në të cilën gjendet politika serbe karshi Kosovës, ngërthen në vete edhe një sërë kurthesh, tipike për shovinizmin serb. Realisht politika serbe, ka kohë që ka filluar ta kuptojë se e ka të pamundur ta kthejë tërë Kosovën nën juridiksionin e vetë. Por, në anën tjetër, duke e qenë vazhduese e politikës së vjetër shoviniste, por me veladon modern e gjuhë përplot demokraci e integrime evropiane, kjo politikë përpiqet të fitojë sa më shumë që është e mundshme nga kjo situatë e re. Duke injoruar ekzistencën e shtetit të Kosovës, të cilit përmes obstruksioneve të shumta në veri, në arenën ndërkombëtare dhe në fushën ekonomike e në shumë lëmi të tjera, po ia bën jetën shumë të vështirë, kjo politikë konsideron se përmes bisedimeve direkte me Tiranën, do të mund të përfitonte shumë më shumë sesa po të bisedonte me Kosovën dhe po ta njihte ekzistencën e shtetit të Kosovës. Pra hesapet e shovinizmit serb janë që me Tiranën në mënyrë më të padhembshme mund ta ndaj Kosovën në dobi të shovinizmit serb e në dëm të interesit të shqiptarëve sesa që kjo do të mund të ndodhte me Prishtinën. Gjithashtu teza se nuk mund të fitojnë vetëm shqiptarët por edhe serbët bazohet në ndarjen e Kosovës sipas kutit dhe interesit të shovinizmit serb. Kjo politikë llogaritë, se në fund të ditës, Tirana nuk do të bëjë probleme për çështje territoresh, sepse edhe ajo do të fitojë duke u zgjeruar shteti shqiptar. Në anën tjetër këto teza lansohen në kohën kur Prishtina zyrtare e ka tërësisht jashtë kontrollit veriun e vendit, dhe këtu jo vetëm tri komunat me shumicë serbe, por edhe veriun e qytetit të Mitrovicës dhe fshatrat përreth nga ku me dhunë janë dëbuar mbi 12.000 qytetarë shqiptarë.

3. Në këtë ofensivë të re të shtetit serb, politika e Prishtinës zyrtare është gjendur si zakonisht në pozita krejtësisht defensive, e papërgatitur dhe naive, duke ua lënë gjithë situatën në dorë politikanëve ndërkombëtarë, e vetë duke u mjaftuar me përsëritjen e frazave bajate se “ndarjet i takojnë shekujve të kaluar e ne jemi për rrugën evropiane, për zgjidhje dhe integrime evropiane”. Në të vërtetë është momenti ideal, kur Prishtina zyrtare do të duhej ta merrte situatën në dorë dhe të fillonte të bënte politikë duke i ndërprerë bisedimet “teknike” me Beogradin, madje duke u nisur edhe nga preteksti i kësaj ofensive politike serbe. Qëndrimi i Prishtinës zyrtare në këtë situatë do të duhej të ishte se është fakt politik se Kosova në këtë moment është shtet, por si shtet, i kanë mbetur pa zgjidhur disa probleme politike me shtetin serb, të cilat duhet t’i zgjidh në tavolinën e bisedimeve. Ato probleme politike janë tri komunat serbe në veri të Kosovës (Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani) dhe tri komunat shqiptare në Kosovën Lindore nën okupimin serb (Presheva, Bujanoci dhe Medvegja). Prishtina zyrtare duhet të insistojë në zgjidhjen e këtyre problemeve përmes reciprocitetit, që do të nënkuptonte se të njëjtat standarde që përdoren në veri të përdoren edhe për tri komunat shqiptare në Kosovën Lindore. Për çështje të tjera Kosova nuk ka çka të bisedojë me Serbinë, e jo sidomos pa u zgjidhur këto probleme. Në anën tjetër çështja e pjesës veriore të Mitrovicës dhe fshatrave shqiptare përreth duhet të zgjidhet përmes kthimit të banorëve shqiptarë në pronat e veta. Serbia mund t’i refuzojë këto bisedime, bashkësia ndërkombëtare për momentin mundet gjithashtu të shqetësohet, sidoqoftë, kjo qasje Prishtinës zyrtare, do t’u dëshmonte qartazi të gjithëve se Kosova dhe shqiptarët e dinë se cilat janë interesat e tyre kombëtare, dhe se për pjesën e pazgjidhur të çështjes shqiptaro-serbe që i takon Kosovës, Kosova si shtet është e aftë ta zgjidh këtë çështje në tryezën e bisedimeve me Serbinë. Normalisht ndihma e shtetit shqiptar është e mirëseardhur, por aktori kryesor këtu duhet të jetë shteti i Kosovës.

4. Dhe vetëm me shtrimin e drejtë të problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe fillimit të zgjidhjes së tyre, fillojnë të krijohen rrethanat, që Pakoja e Ahtisarit, e cila është e mishëruar në Kushtetutë dhe njëkohësisht është mbi Kushtetutën e vendit, të bjerë, që Kosova dhe populli shqiptar në Kosovë përfundimisht të bëhet sovran dhe që në fund të mënyrë të lirë të vendos për bashkim me Republikën e Shqipërisë, si një e drejtë legjitime dhe domosdoshmëri politike dhe ekonomike e kombit shqiptar. Pra bashkimi duhet të vijë përmes finalizimit të procesit të pavarësisë së Kosovës, zgjidhjes së problemeve me Serbinë që në një moment të dhënë të relaksimit të marrëdhënieve mund të përfshijë edhe ri-definim të kufijve duke u bazuar në parimin e së drejtës së popujve në vetëvendosje (për tri komunat shqiptare në Kosovën Lindore dhe tri komunat serbe në veri të Kosovës), rënies së Pakos së Ahtisaarit dhe referendumit popullor. Bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk mund të vij si “vullnet” i shovinizmit serb, i Daciqit apo Tadiqit, por si vullnet i lirë i kombit shqiptar, i cili për këtë bashkim ka sakrifikuar afro njëqind vjet bijtë dhe bijat më të mira të kombit.

(Autori është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes për Bashkim)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu