BD, “zi e terr” për PDK-në

0
914

Bashkimi Demokratik në Prizren po vazhdon akuzat ndaj Partisë Demokratike të Kosovës për shpifje “të ulëta pro-serbe” ndaj liderit të kësaj partie, Zafir Berishës.

BD, përmes një komunikate për media, ka thënë se PDK i ka dërguar një letër mediave, letër të cilën, sipas BD-së, nuk ka guxuar ta nënshkruajë asnjë zyrtar, dhe, sipas BD-së, kjo “tregon fytyrën e vetë të këtyre mbeturinave të Serbisë të cilët kanë përvojë nga e kaluara “Me gjuajt Gurin dhe fsheh dorën””.

E kjo gjë, sipas këtij subjekti politik, “ka ndodhur vazhdimisht nga njerëz dhe maskarenj të llojit të atyre që kanë shkruar atë komunikatë dhe që nuk e nënshkruajnë sepse, të pa besë kanë lindur dhe të pa besë kanë me vdes”.

“Shpifjet e ulëta jo njerëzore dhe të pa baza janë që janë bërë në adresë të liderit Zafir Berisha, familjes së tij, shokëve dhe miqve të tij nuk janë asgjë tjetër për veç asaj që tashmë është publike se mbeturinat dhe shërbëtoret e pushtetit serb kanë shtrirë rrënjët thellë në bandën që quhet PDK. Në paçavuren e cila ka dalë me siglën e PDK-së vihet në pikëpyetje pjesëmarrja në luftë e liderit tonë z. Berisha, atëherë shtrohet pyetja kush paska qenë pjesëmarrës në luftë? Këto mbeturina që janë në PDK dhe që kanë ikur me gomone për Itali apo Zafir Berisha me shokët e tij që më 12 qershor 1999 triumfalisht kanë marshuar në qytetin e Prizrenit”, thuhet në reagimin e BD-së.

Bashkimi Demokratik thotë se Qytetarët e Prizrenit e dinë më mirë se çdokush tjetër kush është regatash në Prizren, “ashtu siç e dinë mirë që lideri ynë Zafir Berisha ka shkrirë gjithë pasurinë e tij dhe familjes së tij për ta vënë në shërbim të Kosovës dhe për këtë mund të flasin qindra qytetarë që të cilëve iu ka ndihmuar disa prej të cilëve për fat të keq vazhdojnë të jenë në shërbim të bandës së quajtur PDK”.

“Anëtarët, simpatizantët e Bashkimit Demokratik janë krenarë që në krye kanë njeriun e sfidave dhe më meritorin për luftën e UCK-së në regjionin e Prizrenit Zafir Berishën dhe shpifjet përmes paçavures të PDK-së janë niveli më i ulët i njerëzve që do të gjykohen me votën e qytetarëve më 1 dhjetor”, thuhet më tej në reagim.

“Ju që fshiheni pas kësaj komunikate e dini shumë mirë së z. Berisha me 8 prill 2010 ka dhënë dorëheqje nga PDK-ja e hajnave dhe tendenca e juaj, o injorantë që fshiheni pas maskave se gjoja z. Berisha është përjashtuar nuk shitet tek qytetarët e Prizrenit dhe Kosovës”, theksohet në vazhdim të reagimit.

Bashkimi Demokratik paralajmëron padi ndaj letrës së PDK-së në organet e drejtësisë për, siç thonë ata, “shpifjet qyqare dhe të poshtra për të vetmin qëllim për ta kuptuar fytyrën e poshtër të atyre që qëndrojnë pas kësaj komunikate e shkruar në stilin e UDB-së”.

BD e përfundon komunikatën me këtë fjali: “Ne kemi emër dhe mbiemër, kush jeni ju qe lëshoni komunikata anonime dhe nuk nxirrni fytyrën….”, fjali kjo e nënshkruar nga zëdhënësi i BD-së, Leart Batusha.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu