BE-ja: Sa më parë qeveria e re dhe vazhdimi i dialogut

0
750

Blloku

Bashkimi Evropian kërkon që sa më shpejt të formohet qeveria e re dhe të vazhdojë dialogu me Serbinë. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës ka thënë për gazetën “Zëri” se BE-ja është duke e përcjellë me shumë përkushtim situatën për formimin e qeverisë, duke shpresuar se ajo do të formohet sa më shpejt për të mos mbetur pezull proceset e rëndësishme për vendin.

“Ajo që ne shpresojmë është se qeveria e re të formohet sa më parë që është e mundur, në mënyrë që t’i adresojnë sfidat e ndryshme që ballafaqohet vendi, si reformat në ekonomi, përmirësimin e rendit dhe të ligjit, si dhe vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, kanë thënë zyrtarët e BE-së në Kosovë të hënën për “Zërin”.

Tash dy muaj nga përfundimi i zgjedhjeve nacionale, më 8 qershor, Kosova ende nuk i ka institucionet e reja të vendit, për shkak të ngërçit politik, ku partitë shqiptare i bënë bllok, partisë fituese, PDK-së, duke mos i thënë asnjëra “Po”, për të krijuar së bashku qeverinë e re.

Mundësinë për të shkuar në zgjedhje të reja, nëse nuk ka zgjidhje të situatës, nuk e preferojnë shumica e partive politike e këtë nuk e përmendin as Bashkësia Ndërkombëtare.

Nuk preferohet qeveri gjithëpërfshirëse

Ditë më parë në media të Kosovës ka qarkulluar një raport ndërkombëtar përmes së cilës bëhen paralajmërime mbi rrezikun e një destabiliteti politik në vend.

Dhe për të dalë nga kjo situatë thuhej se ndërkombëtarët kanë rekomanduar një qeveri teknike gjithëpërfshirëse, e cila do të ketë një agjendë të qartë evropiane. Kjo qeveri teknike duhet të përfundojë reformën elektorale, të nisë dhe të përfundojë amendamentet në Kushtetutë, të aprovojë ligjet lidhur me Gjykatën Speciale për krimet e luftës, si dhe të vazhdojë dialogu me Serbinë, në ndërkohë të zbatohen marrëveshjet e arritura.

Shumica e partive politike janë shprehur kundër idesë së formimit të një qeverie gjithëpërfshirëse, ku në të do të bënte pjesë edhe PDK-ja.

Ajo që LDK, AAK dhe Nisma kërkojnë është një qeveri e formuar nga kjo treshe, me mundësi të përfshirjes edhe të “Vetëvendosjes” në të, duke e lënë jashtë PDK-në.

Pa LVV-në Blloku nuk i ka numrat për ta formuar qeverinë, prandaj edhe janë bërë takimet mes tyre për të arritur një marrëveshje, e cila deri më tani mbetet e parealizuar.

Nga 17 korriku, kur u mbajt seanca e parë e Kuvendit të Kosovës, Blloku më nuk ka zhvilluar asnjë takim me “Vetëvendosjen”.

E mbajnë lidhjen me telefona

Më 17 korrik, Blloku: LDK, AAK, Nisma, refuzoi marrëveshjen, që një ditë më parë e bënë me LVV-në, ku pikë kryesore ishte ndërprerja e bisedimeve me Serbinë dhe vazhdimi i saj me serbët e Kosovës.

Nga ajo ditë nuk janë zhvilluar më takime mes tyre, ndërsa kontakti i vetëm bëhet përmes telefonatave në mes të Dardan Molliqajt, sekretar i “Vetëvendosjes”, dhe Kujtim Shalës, nga LDK-ja. Këtë e ka bërë të ditur për “Zërin” zëdhënësi i kësaj Lëvizjeje, Erzen Vraniqi.

Vraniqi tha se Shala, i cili kryesisht i bën thirrjet, kontaktet po ndodhin sa për të mbajtur një marrëdhënie mes tyre dhe të LVV-së, që siç shprehet ai: një kontakt që as nuk i prish e as nuk i ndreq marrëdhëniet”.

Vraniqi shtoi se sa i përket LVV-së ajo nuk do të heqë dorë nga kërkesat e saja, që kanë të bëjnë me ndryshimin e kursit politik të Hashim Thaçit.

“Marrëveshje pa parime, ne nuk e pranojmë”, tha ai, ndërsa shtoi se LVV-ja nuk e pranon as idenë e krijimit të një qeverie gjithëpërfshirëse.

“Me një qeveri gjithëpërfshirëse nënkupton që aty të jetë edhe PDK-ja, të cilën ne e bëjmë përgjegjëse për degradimin e Kosovës, qoftë në rrafshin politik, por edhe ekonomik”, tha Vraniqi.

Ndryshe, të gjitha partitë politike janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila do të japë mendim lidhur me përzgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Isa Mustafa, të cilin PDK-ja e ka konsideruar të paligjshëm.

Gjykata Kushtetuese pritet të japë mendimin më së largu më 21 gusht.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu